Rikthimi i poetëve në tokën e lindjes

0
506

Granit Sokolaj

Arbër Ahmetaj me ribotimin e plotësuar të “Flet-hyrje për në varr” dhe Bislim Ahmetaj me librin e ri poetik “Gjuetar ëndrrash” udhëtuan në një tur promocional në Tropojë dhe në Kukës. Një rast i mirë për të gjallëruar gjeografinë e jetës kulturore

 

E njohur qysh në lashtësi si nevojë e brendshme, si destinacion fatal, i pashmangshëm, rikthimi i poetëve në vendlindje përbën një ogur të mirë për poetët, po aq sa për vendlindjen e tyre. Dy shkrimtarë me origjinë nga Tropoja Bislim dhe Arbër Ahmetaj u kthyen në Tropojë dhe paraqitën librat e tyre para lexuesve të qytetit. Bislimi librin e tij të tretë me poezi “Gjuetar ëndrrash”, ndërsa Arbri ribotimin e romanit të tij të parë “Flet-hyrje për në varr” Në lumin e festimeve e promovimeve të gjithfarshme në pragfestën e madhe, ky aktivitet i organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve të Tropojës, do të binte pak në sy të mediave të mëdha. Por kjo është pak e rëndësishme për autorët dhe për mikpritësit e tyre, Lulzim Logu e Gjon Neçaj që drejtojnë shoqatën. Është e parëndësishme prania e mediave në një takim vëllazëror ku morën pjesë edhe shkrimtarë nga Peja e Gjakova, ish-mësuesit e shokët e gjimnazit, fqinjët dhe miqtë me të cilët ndanë fëmijërinë këta dy autorë. Për rrugën e tyre krijuese foli Lulzim Logu, pastaj miqtë sollën copëra kujtimesh nga rinia, nga bisedat rrugicave e shëtitoreve të qytetit. Gjon Neçaj u ndal pikërisht në këto kujtime, në bisedat me Arbrin, “autorin rebel që shkruante ndryshe qysh atëherë”. Lulzim Logu foli për veçanësinë e poezisë së Bislimit, duke i lënë më shumë vend për këtë gjë redaktorit të librit poetit e gazetarit të radios Demir Gjergji. Ai i quajti poetët oborrtarë të Zotit dhe bukuritë e Tropojës si mrekullitë e tij. «Edhe pse e lindur në Tropojë, poezia e Bislimit ka përshkuar gjithë kontinentet, qiellin e tokën duke iu drejtuar ndjenjave e shqetësimeve universale, si dashuria, etja për udhëtim, shqetësimeve të përditshmërisë që pak kujt i shkon mendja se mund të përbëjnë, apo të shndërrohen në poezi. Libri i tretë poetik i Bislimit “Gjuetar ëndrrash” vjen dhe plotëson portretin e tij si krijues. Në fjalën e tij Arbër Ahmetaj, që vinte nga Zvicra enkas për këtë takim dhe ata që do të vijonin në Kukës e Tiranë u shpreh: “Ne vijmë në Tropojë me përvujtësi, si fëmija tek nëna. Librat tanë kanë lindur këtu. Qyteti për të cilin ju lexoni në romanet e mia është ky qytet. Drama dhe vuajtja që përshkruaj është ajo që kemi përjetuar së bashku. Është prekëse prania juaj, respekti juaj ndaj krijimtarisë sonë modeste». Bislim Ahmetaj në fjalën e tij nënvizoi: “Gara e cilësisë poetike në Tropojë është e tmerrshme, s’mund të krahasohet me askund, pasi askund s’ka aq shumë poetë, e me aq cilësi shkrimi. Shkruaj poezi, pasi ashtu më urdhëron shpirti, ai shpirt që më urdhëroi të vi sot në Tropojë, në qytetin tim, imazhet e të cilit më rrinë në sy e në mendje gjithkah nga shkoj e gjithkund ku ndodhem». Kryetari i bashkisë zoti Agron Demushi i falënderoi vëllezërit krijues për iniciativën e tyre, duke vënë në dukje, se ishin të parët autorë tropojas, që linin kryeqytetin për të paraqitur fillimisht librat e tyre të rinj në vendlindje. “Ne krenohemi me krijues e me bij si ju, qyteti ka nevojë për prani e kontribut më të madh të personaliteteve të veta, të bijve të vet që shërbejnë e jetojnë larg tij fizikisht».

 

Në Kukës, tek Petrit Palushi…

Prozator bashkëkohor me peshë në letrat shqipe, Petrit Palushi shquhet edhe për veprimtarinë e tij falas për miqtë e tij shkrimtar. Pasi kishte mbyllur me sukses të madh një veprimtari të mrekullueshme për poetin martir Havzi Nela, Petrit Palushi do të organizonte me 13 nëntor një pasdite letrare me vëllezërit Ahmetaj. Ai shpjegoi njohjen e tij me ta, me krijimtarinë tyre. Kujtoi botimin e “Flet-hyrjes…” në vitin 1993 si një ngjarje shumë të veçante letrare në fillim të viteve 1990, si njërin ndër tekstet e para në mohim total të realizmit socialist. “Proza e Arbër Ahmetajt shquhet për denduri mendimi, për një frazë të kursyer por të sakte. Ngarkesa emocionale që përftohet nga proza e tij s’vjen sipas rregullave të përcaktuara ç’prej kohësh, dmth, hap pas hapi, por ajo është e menjëhershme, e njëtrajtshme, shokuese”. Poezia e Bislimit, ka aty këtu metafora befasuese, siç ka një frymëmarrje të gjerë, të lirë, urbane. Shqetësimet e tij poetike, trajtimi i tyre larg manierave, ndjeshmëria e lartë ndaj fenomeneve të përditshme e bëjnë këtë poezi të jetë shumë e veçantë. I pranishëm poeti Sulejman Dida foli për njohjen e tij me autorët, për afërsinë që ka treguar lexuesi kuksian dhe radioja e qytetit për prozën dhe poezinë e vëllezërve Ahmetaj – ata ngjasojnë si vëllezër, por janë krejt të ndryshëm si shkrimtar-përfundoi ai për të intervistuar të ftuarit për Radio Kukësin, një radio aq e dashur dhe e dëgjuar në atë rajon të Shqipërisë edhe për shkak të cilësisë së gazetarëve të saj. Gjimnaziste, poete, mësues, dashamirës të artit recituan poezitë e tyre dhe të miqve të tyre duke e shndërruar atë pasdite në një festë letrare. Shkrimtarët Bislim dhe Arbër Ahmetaj nënshkruan librat e tyre të rinj dhe i shkëmbyen ato me krijuesit e lexuesit kuksianë.

 

Prezantimi në Tiranë, Bislim e Arbër Ahmetaj, të ngjashëm si vëllezër, të ndryshëm si shkrimtarë

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Skanderbeg books”, në kuadrin e aktiviteteve të shumta për 100-vjetorin e pavarësisë, organizuan promovimin e librave të shkrimtarëve Bislim e Arbër Ahmetajt. Morën pjesë gazetarë, shkrimtarë, profesorë, të afërm të autorëve, lexues të prozës së Arbër Ahmetajt dhe të poezive të vëllait të tij, Bislimit. Botuesja dhe shkrimtarja Flutura Açka theksoi veçanësinë e prozës së Arbër Ahmetajt. «Proza e tij, – tha ajo, – është ndër tekstet letrare më të sofistikuara. Fraza e tij është e përpunuar, e thjeshtë, mjeshtërore. Gjuha e përdorur është e kuptueshme, nuk është gjuhë fjalorësh, megjithëse ka pasuri shumë të madhe. Është intensiteti i lartë i mendimit simbolik e shumështresor që vështirëson në njëfarë mënyrë leximin e teksteve të tij. Kjo lloj letërsie kërkon lexues shumë të kualifikuar, të durueshëm e Arbri nuk bën kompromise me tekstin e tij letrar për të rritur fiktivisht numrin e tyre. Kam botuar në fillim të vitit romanin e tij “Varri i braktisur”, i cili menjëherë tërhoqi vëmendjen e kritikës letrare. Menduam se ribotimi i romanit të tij të parë “Flet-hyrje për në varr” do të ishte një ndihmë për lexuesin bashkëkohor, pasi personazhet, idetë, përsiatjet filozofike të këtij romani të botuar në fillim të viteve ‘90, rimerren tek “Varri i braktisur”. Ai luan me legjendat, me mitet, me tabutë, luan me vet strukturën klasike të romanit, duke dëshmuar se asgjë nuk është e ngrirë, se letërsia mund dhe duhet të guxojë. Ribotimi i “Flet-hyrjes për në varr”, është bërë duke përfshirë në volum edhe shumicën e artikujve kritike të botuar rreth këtij romani që autori preferon ta quaj: shënime për nuk e di se çfarë dreq vepre letrare. Romani u botua edhe në Francë e nuk kaloi në heshtje. Lexuesit gjejnë në këtë ribotim kritikën shqiptare, franceze e rumune për prozën e Arbër Ahmetajt. Profesor Edmond Tupja, përkthyesi i romanit në frëngjisht, foli për romanin dhe për përvojën gjatë përkthimit të tij. “Pasi e lexova kuptova që ky ishte një tekst letrar ndryshe prej atyre që kisha përkthyer e ishin botuar në Francë. Nuk bëhej fjalë të përktheja një ngjarje në gjithë kompleksitetin e saj. Me këtë libër më duhej të përktheja imazhin dhe simbolikën e një epoke. Qyteti i Arbër Ahmetajt më solli ndërmend qytetin e rinisë sime, qytetin me njerëz e shkrimtarë të ngrirë, të tëhuajësuar, të trembur. Si shumica e qyteteve periferike që jetojnë në një jokohë, nën dhunë dhe frustrim permanent. Ribotimi i këtij romani me cilësinë që keni në dorë është një rivlerësim i kësaj vepre. Unë ju këshilloj ta lexoni!” Në vijim për poezinë e Bislim Ahmetajt nga vëllimi i “Gjuetar ëndrrash” foli botuesja Açka, poetët Demir Gjergji, Rexhep Shahu, Bujar Balliu, gazetari Agron Bala etj. Poezia e këtij vëllimi u vlerësua për ndjeshmërinë e saj të lartë, për natyrën dhe detajin gazetaresk, pothuajse të rëndomtë e që befas bëhet poezi. Autorët përshkruan udhëtimin e tyre krijues e njerëzor dhe lidhjen me letërsinë si një vokacion të brendshëm, si një komponent që ka forcuar shoqërinë mes tyre, miqësinë me botën dhe me njerëzit. Para pak ditësh ata kishin prezantuar librat edhe në vendlindjen e tyre, në Tropojë, pastaj, edhe në Kukës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency