Rezoluta e PE-së PS hedh fajin tek mazhoranca: Nuk e kemi bllokuar integrimin

0
280

Gëzim Saliu

Partia Socialiste e cilëson rezolutën e Parlamentit Evropian si një konfirmim të qëndrimeve të saj kritike për ecurinë e vendit në kuadër të aspiratës evropiane. Kryetarja e delegacionit të PS-së në Parlamentin Evropian, Valentina Leskaj, pohoi se ashtu si BE e SHBA, edhe PE ritheksoi dje se testi më i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit mbetet zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm me standarde. “Si asnjëherë tjetër në historinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, Parlamenti Evropian, vendet anëtare të BE-së, por dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Sekretares së Shtetit gjatë vizitës së saj në Shqipëri theksojnë domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme parlamentare në vitin 2013 si një test për demokracinë shqiptare që do të përcaktojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, – u shpreh deputetja socialiste.

 

Raporti

Duke theksuar se qëndrimet e Parlamentit Evropian nuk lidhen me opozitën, por me mazhorancën qeverisëse, deputetja Leskaj theksoi se është kryeministri ai që po bllokon integrimin e vendit. “Dëshiroj të përshëndes Rezolutën e miratuar dje nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian, e cila konfirmon edhe njëherë mbështetjen e vyer që Parlamenti Evropian i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë procesit të integrimit Evropian të Shqipërisë. Rezoluta konfirmon një fakt të rëndësishëm: në Bashkimin Evropian po ravijëzohen gjithnjë e më qartë qëndrime kritike në lidhje me mungesën e arritjeve të Shqipërisë. Këto qëndrime nuk lidhen aspak me alibinë e Sali Berishës se integrimin po e bllokon opozita, por thjesht e vetëm me dështimet e vetë Sali Berishës në përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian”, – tha ajo. Në këtë kontekst, kryetarja e delegacionit të PS-së në PE pohoi se eurodeputetët evidentuan problematika që janë identifikuar edhe më parë, sipas saj, edhe nga qëndrimet e Holandës, Gjermanisë, Francës, Anglisë, Spanjës, Suedisë, Danimarkës. “Dështimet në sundimin e ligjit, në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, në dënimin e zyrtarëve të lartë të shtetit të akuzuar për korrupsion, cenimin e lirisë së medias, papunësinë dhe varfërinë e skajshme të një numri të madh shqiptarësh, politizimin e administratës publike etj., etj.”, – u shpreh Leskaj.

 

Fieri

Në deklaratën e saj publike, deputetja e selisë rozë rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin e socialistëve për çështjen e Fierit, duke theksuar se PS ka fituar zgjedhjet dhe gjyqet për këtë qark. “Kryeministri deklaroi se opozita u tërhoq nga e Fierit pasi e arriti qëllimin e saj për bllokimin e integrimit. Dëshiroj t’i kujtoj se opozita as është tërhequr e as nuk mund të tërhiqet nga çështja e Fierit sepse ka fituar zgjedhjet, ka fituar dhe gjyqet në lidhje me Qarkun e Fierit. Kjo histori me tërheqje është shpifja e radhës e Sali Berishës për të justifikuar dështimin me integrimin duke fajësuar opozitën, në një kohë që është vetë Sali Berisha që ka marrë peng Qarkun e Fierit dhe refuzon të njohë fitoren e opozitës me votë, refuzon të zbatojë 13 vendimet e gjykatave te të gjitha shkallëve që i japin të drejtë Partisë Socialiste”, – theksoi deputetja socialiste Valentina Leskaj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency