One Stop Shop Halimi: Sistemi i ri sjell uljen e burokracisë dhe reduktim të korrupsionit

0
444

Sonja Caka

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë prezanton avantazhet e sistemit të ri, siguria që qytetarët do të kenë nga noterët, mospërsëritja më e shitjeve 2 apo 3 herë e një prone

Qytetarët e Durrësit nuk do t’u drejtohen më zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por te noteri për të përmbyllur çdo veprim që kanë me pronat e tyre, si për shitje, ashtu dhe për blerje të saj. Këtë e mundëson fillimi i punës së sistemit të ri “One Stop Shop për noterët”, i cili u përurua dje. Pas Tiranës, tashmë e ka radhën qyteti bregdetar i Durrësit për të implementuar këtë sistem të ri, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Për ministrin Halimi, sistemi i përpunimit të automatizuar i të dhënave është sistem me tre fitues, qytetarët, biznesin dhe shtetin fiskal. “One Stop Shop për noterët” do të mundësojë kryerjen e veprimeve online, vetëm me dy hapa dhe vetëm për 6-10 ditë dhe qytetarët do të marrin vërtetimin e pronësisë, drejtpërdrejt nga noteri duke shmangur procedurat e tejzgjatura tek Zyra e Regjistrimit te Pasurive të Paluajtshme, e cila zgjaste deri në 30 ditë në rastin më të mirë. Krijimi i një regjistri unik dixhital i noterëve në të gjithë Shqipërinë do të shmangë fshehjen e pasurive, pastrimin e parave dhe mos shlyerjen e detyrimeve fiskale. “One Stop Shop” do t’i krijojë mundësi aksesi për verifikim ILDKP, Prokurorisë Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe Tatimeve.

Ndryshimet

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, deklaroi se dixhitalizimi i sistemit të noterisë ka të bëjë me dy aspekte: e para me aksesin online të noterit me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për marrjen e informacioneve dhe e dyta me dixhitalizimin e regjistrave noterialë dhe krijimin e një regjistri unik dixhital të noterëve në të gjithë Shqipërinë. Deri më dje, për të kryer një transaksion, qytetarët e qarkut të Durrësit, blerësi dhe shitësi, para se të shkojnë te noteri duhet të kryejnë disa veprime me radhë. Shitësi duhet të shkojë te ZRPP-ja të rifreskojë aktin e tij të pronësisë. Pasi ka vajtur dhe ka bërë kërkesën te ZRPP-ja i duhet të presë edhe rifreskimin, por do të kalojë edhe dy hapa të tjerë, të cilët, në tërësinë e tyre, përbëjnë një afat jo më pak se 10 ditë. Më pas duhet të paraqitet te noteri, ku do të nënshkruajë kontratën dhe do të kryejë edhe pagesat respektive. Blerësi do të paraqitet në një moment tjetër në ZRPP, ky do të jetë hapi i katërt, ku do të bëjë një kërkesë për të regjistruar pasurinë dhe, në rastin më të mirë, blerësi do të marrë nga ZRPP-ja, në ditën e 25-të të veprimeve të tij, në tentativën për të blerë një pasuri të paluajtshme, një vërtetim pronësie. Por, me lançimin e djeshëm, “One Stop Shop për noterët” do të mundësojë kryerjen e veprimeve online, vetëm me dy hapa, dhe vetëm për 6-10 ditë, dhe qytetarët do të marrin vërtetimin e pronësisë, drejtpërdrejt nga noteri, pa qenë nevoja të dinë se ku bie zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ky sistem shkon bashkë me reformën tjetër për hapjen e zyrave noteriale edhe në disa bashki të tjera të qarkut, në mënyre që qytetarët mos nisen nga Manza apo Sukthi për të kryer një prokurë noteriale, për të kryer një veprim, apo për të verifikuar pasurinë, por mjafton të paraqiten në një zyrë noteriale dhe aty do marrin shërbimet e duhura në pak minuta.

Avantazhet

Kjo reformë, sipas Ministrisë së Drejtësisë, paraqet në mënyrë të dukshme disa avantazhe, pasi shkurton kohën e hartimit të një kontrate; shmang çdo mundësi korrupsioni dhe burokracie pranë administratës publike; por mbi të gjitha, krijon sigurinë dhe besimin e munguar gjer më sot, në transaksionin që kryhet, jo vetëm se i gjithë procesi përqendrohet në duart e një profesionisti, por edhe për shkak të transparencës dhe sigurisë që ofron verifikimi online. Në vijimësi do të jetë noteri që do te përqendrojë të gjitha veprimet në zyrën e tij, si verifikimin e pasurisë që do kryhet transaksioni, do të sigurojë garancinë e veprimit në regjistrin e pasurive, do të garantojë sigurinë e transaksionit financiar nëpërmjet llogarisë bankare, do të sigurojë vërtetësinë e aktit të pronësisë që do të marrë blerësi, duke bërë që të gjithë qytetarët ta bëjnë gjumin e qetë. Çdo veprim për çdo transaksion do të kryhet tek noteri, në “One Stop Shop”, duke paguar edhe tatimet, edhe në favor të shtetit, edhe në favor të shitësit apo investitorit, edhe në favor të pushtetit lokal për taksat, duke i dhënë fund fiktivitetit, por edhe duke garantuar qytetarët. “Kjo reformë shkon për qytetarët, po aq sa shkon edhe për noterët, shkon për qytetarët, po aq sa shkon për biznesin, shkon për qytetarët po aq sa shkon dhe për sistemin fiskal”, – bëri me dije në ceremoninë e përurimit ministri Halimi. Qytetarët do të paguajnë shumë më pak duke e marrë shërbimin në pak minuta. Një verifikim pasurie apo kartele që deri më sot kushton 1.5 mijë lekë, mund ta marrë vetëm për 400 lekë tek noteri dhe vetëm për pak minuta.

Aksesi në sistem

Nga sot në këtë sistem, në pasuritë e qarkut Durrës do të ketë akses online edhe ILDK, sepse ata mund të kërkojnë online të gjitha pasuritë e zyrtarëve. Do të këtë akses prokuroria për të hetuar pasuritë dhe veprimet, në mënyrë që të nxiten hetimet proaktive. Do të kenë akses, pastrimi i parave dhe tatimet, në mënyrë që askush të mos i shmanget detyrimeve fiskale të vendit. Madje, është diskutuar që edhe bankat që të kenë të drejtën e aksesit që qytetarët apo biznesi të mos paguajnë para shtesë për këto shërbime. Gjithashtu, me këtë sistem qytetarët do të jenë më të mbrojtur duke e ndjekur procesin që në momentin e hapjes së themeleve deri në momentin e përfundimit të objektit, dhe sistemi i kryqëzuar do të japë mundësi, jo vetëm që ndërtuesit të mos i shesin nga 2 herë pasuritë, por edhe që të garantojnë qytetarët që të mos flenë me ëndrra natën. “Ky sistem garanton qytetarët se histori të tilla ku paguanin para për të blerë një apartament dhe pastaj shitësi largohej duke e lënë me plot probleme blerësin nuk do të ndodhin më. Shitësi do t’i marrë paratë nga noteri, vetëm kur të marrë certifikatën e pronësisë, dhe kjo është garanci nga noteri për këtë proces”, – bëri me dije kreu i dikasterit të drejtësisë, duke shtuar se “unë jam i bindur se shmangia e kontaktit të qytetarit me zyrtarin, jo vetëm ndihmon qytetarin sepse i shkurton kohën por na ndihmon edhe neve, edhe për uljen e burokracisë si dhe reduktimin e korrupsionit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency