Obama uron shqiptarët për 100-vjetorin e pavarësisë

0
253

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i ka dërguar dje një mesazh urimi për 100-vjetorin e pavarësisë kreut të shtetit shqiptar Bujar Nishani. Në mesazhin e tij Obama shprehet se aleanca e SHBA-së me Shqipërinë është e fortë dhe e qëndrueshme, duke shprehur edhe vazhdim të marrëdhënieve të mira edhe në të ardhmen. “Shtetet e Bashkuara i bashkohen popullit të Shqipërisë në kremtimin e 100-Vjetorit të Pavarësisë më 28 nëntor. Në këtë ngjarje të rëndësishme, ne i rikonfirmojmë Shqipërisë miqësinë dhe përkushtimin tonë të fuqishëm dhe presim me kënaqësi që ta thellojmë edhe më tej marrëdhënien tonë në vitet e ardhshme. Aleanca jonë me Shqipërinë është e fortë dhe e qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euroatlantike. Vlerësojmë thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj misionit të NATO-s në Afganistan ku ushtarakët shqiptarë shërbejnë me trimëri krah për krah me aleatët dhe partnerët e ISAF-it. Ne jemi mirënjohës gjithashtu për mbështetjen që i jep Shqipëria qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor duke ditur që përparimi i vazhdueshëm rajonal është kyç në përmbushjen e qëllimit tonë të përbashkët për një Evropë të lirë, në paqe dhe të bashkuar”, – shprehej në mesazhin e tij kreu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, Obama nënvizoi faktin se lidhja e ngushtë mes dy vendeve ka nisur që me mbërritjen e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. “Kjo lidhje u fuqizua edhe më tepër me ndërhyrjen vendimtare të Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 dhe ka vazhduar të lulëzojë përgjatë dy dekadave të fundit pas vendosjes së demokracisë në Republikën e Shqipërisë. Fjalimi historik i Sekretares së Shtetit Clinton në Parlamentin shqiptar shënoi një tjetër gur të rëndësishëm kilometrik në marrëdhënien tone”, – tha Presidenti amerikan. Mesazhin e tij kreu I Shtëpisë së Bardhë e mbyll me fjalët: “Populli amerikan bashkohet me ju, duke ju uruar më të mirën në përpjekjet tuaja të ardhshme për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të begatë!”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency