Mat Vrasja e 23-vjeçarit Barmeta: Nuk e vrava unë, por vëllai

0

“Nuk e vrava unë Fatjonin, por vëllai im dhe Fatjoni”, – ka deklaruar dje Astrit Boja, lidhur me vrasjen e 23-vjeçarit Fatjon Barmeta, duke bërë që ngjarja të marrë një tjetër rrjedhë, por edhe duke konfirmuar dyshimet e familjarëve të të vrarit se krimin e kishte bërë Përparim Boja dhe jo i vëllai. Një zhvillim ky i papritur dje në gjykatë si për familjarët, ashtu dhe për gjykatën dhe prokurorin e çështjes. Duke mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, Boja ka dëshmuar se ai ishte në dijeni të ngjarjes, por nuk e ka kryer ai krimin. Në Gjykatën e Matit u zhvillua dje seanca gjyqësore ndaj dy të arrestuarve Astrit Boja dhe Fatjon Cani, të cilët akuzohen për vrasjen e 23-vjeçarit Fatjon Barmeta, 23 vjeç. Sipas prokurorisë, 2 personat e akuzuar, në bashkëpunim kanë vrarë dhe zhdukur më pas trupin e Fatjon Barmetës. Ndërkohë që, dy ditë më parë, prangat i janë vënë edhe Përparim Bojës, pronarit të lokalit ku kishte punuar i riu kamerier. Tashmë, nuk dihet se cila do të jetë rrjedha e ngjarjes dhe veprimet që do kryejë organi i akuzës lidhur me pretendimet e ngritura nga Astrit Boja.