Kurth biznesmenit Juristja e kap dashnor, të fortit e Bulqizës i vënë gjobë 100 mijë euro

0
322

Elton Qyno

Zbardhet skema e gjobëvënies ndaj pronarit të një agjencie reklamash. Policia arreston katër persona, mes tyre një femër

Një grup kriminal ka përdorur si karrem një studente të Fakultetit Juridik, me qëllim marrjen e një shume prej 100 mijë euro ndaj një biznesmeni që ushtronte aktivitetin e tij në fushën e reklamave. 25-vjeçarja Reviola Lila së bashku me tre persona të tjerë nga Bulqiza ka ushtruar presion ndaj biznesmenit, duke i kërkuar shumën prej 100 mijë eurosh, pasi në të kundërt i dashuri i saj dhe shokët e tij do e vrisnin atë së bashku me biznesmenin Julid M. E gjithë ngjarja ka një histori sentimentale të sajuar, me qëllim që biznesmeni Julid M. të afrohej pranë 25-vjeçares dhe më pas në këtë moment do të ndërhynin personat e tjerë të arrestuar si Ervin Gjana, Altin Dardha dhe Rustem Koçi, ky i fundit i dënuar me për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje”. Dhe pikërisht ashtu ka ndodhur, ku teksa 25-vjeçarja ka arritur pas shumë lajkave të pijë kafe me biznesmenin dhe të dy së bashku, të bien dakord për të shkuar në një hotel të Tiranës për të kryer marrëdhënie seksuale, pikërisht në këtë moment para tavolinës së tyre janë shfaqur shtetasit Ervin Gjana, i dashuri i 25-vjeçares si dhe shtetasi Altin Dardha. Ata kanë marrë me forcë, 25-vjeçaren duke e kërcënuar me jetë dhe ofenduar rëndë, për shkak të “kapjes” me biznesmenin. Ndërsa këtij të fundit i kanë pohuar se nuk do ta linin të qetë dhe se do kishte në ditët në vijim punë me ata. Në këtë krim ka ndihmuar dhe motra e shtetasit Ervin Gjana, e cila duke shfrytëzuar njohjen shoqërore me biznesmenin, i ka dhënë të dhëna grupit kriminal, duke i vënë në dispozicion numrin e telefonit, si dhe shumë informacione të tjera rreth pasurisë së tij.

Gjoba 100 mijë euro

Dy ditë pasi kishin zënë me “presh në duar”, biznesmenin dhe 25-vjeçaren, shtetasit Altin Dardha dhe Ervis Gjana me vullnetin edhe të Reviola Lilës, kanë vijuar planin, duke vendosur që t’i kërkonin në formën e gjobës një shumë financiare prej 100 mijë euro biznesmenit të një kompanie reklamash. Për një gjë të tillë është vendosur që 25-vjeçarja të zhvillojë një takim me Julid M., duke i kërkuar këtij të fundit që të dorëzojë një shumë financiare prej 100 mijë eurosh, pasi në të kundërt i dashuri dhe shoku i tij do t’i vrisnin që të dy. Për t’i futur frikën “dashnorit” të saj, Lila ia ka prezantuar biznesmenit dy të rinjtë si tepër problematikë dhe që njihen në zonën e Bulqizës si të fortët e qytetit dhe që lëvizin çdo ditë të armatosur. Nisur nga kjo situatë, Julid M. ka pranuar të japë lekët e kërkuara, por që në fakt nuk ka pasur mundësi financiare. Për pasojë, 25-vjeçarja është larguar me lot në sy, ndërkohë që disa ditë më vonë është rikthyer sërish duke bërë të njëjtën kërkesë. Gjatë kësaj periudhe një numër i madh mesazhe kanë shkuar në adresë të numrit të telefonit të shtetasit Julid M., duke e kërcënuar se nëse nuk dorëzonte pasurinë atëherë fillimisht do vrisnin 25-vjeçaren dhe më pas radha shumë shpejt do t’i vinte atij.

“Lekët paguaji me këste”

Për shkak të dërgimit të mesazheve kërcënuese dhe që në tekstin e tyre kërkohej në mënyrë të vazhdueshme shuma e parave, biznesmeni Julid M., ka zhvilluar një tjetër takim me shtetasen Reviola Lila, duke i kërkuar që ta linin rehat pasi nuk kishte asnjë mundësi financiare që të paguante atë shumë. Pas kësaj, vajza i ka kërkuar që nëse nuk ishte në gjendje, atëherë ai duhet të paguante me këste shumën e kërkuar, pasi në të kundërt rrezikohej seriozisht jeta e saj, por edhe e tij. Nisur nga kjo situatë, biznesmeni që administron një kompani reklamash në Tiranë, ka rënë dakord që të paguajë një këst financiar, që kap shifrën prej 25 mijë euro. Për këtë kanë lënë një takim mesditën e djeshme në rrugën “Bardhok Biba” me personat që e kërcënonin me qëllim dorëzimin e këstit të parë. Nisur nga kjo situatë, biznesmeni i është drejtuar me një kallëzim penal policisë së Tiranës, ku pas hetimeve të kryera është arritur të administrohen në dosje provat e nevojshme dhe më pas të jepet sinjal për dorëzimin e kontrolluar të parave. Gjatë këtij procesi janë kapur shtetasit Ervin Gjana, Altin Dardha dhe shoku i tyre Rustem Koçi. Në prangat e policisë ka rënë dhe shtetasja Reviola Lila, e cila siç mësohet nga policia e Tiranës ka bashkëpunuar me të arrestuarit.

Dëshmia

Biznesmeni: Vajza më provokoi disa herë,

në takime vinte me veshje provokative

Pas arrestimit të katër personave, është marrë në pyetje biznesmeni Julid M., i cili ka deklaruar para oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe prokurorit të çështjes se vajza 25-vjeçare kishte insistuar të kishte një lidhje intime me të, megjithëse ai e kishte vënë në dijeni se ishte i martuar dhe me dy fëmijë. “Në të gjitha takimet ajo ka ardhur me një veshje provokative dhe që binte në sy. Jemi takuar disa herë dhe më pas kemi vendosur që të takohemi sërish të bashkëbisedojmë. 25-vjeçarja në takime shfaqej tepër e gatshme për të kryer marrëdhënie dhe për pasojë kemi vendosur së bashku të bëjmë një gjë të tillë, por nuk kemi arritur të shkojmë në hotel, pasi kanë ndërhyrë dy persona gjatë qëndrimit në kafe dhe aty ka lindur një debat”, – mësohet të ketë deklaruar në polici biznesmeni i dëmtuar. Më tej, ai ka treguar të gjithë rrjedhën e ngjarjes që kishte ndodhur më pas, duke pohuar dhe për shumat që i kishin kërkuar të arrestuarit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency