Konferenca me Gruevskin Berisha, Ramës: Rezoluta e PE-së tregoi se nuk ka lidhje mes Fierit dhe tri ligjeve

0

Ina Jano

Në vizitën njëditore në Tiranë, dy kryeministrat nënshkruan marrëveshje me leverdi për të dyja vendet, siç ishte ajo e njohjes së lejeve të drejtimit dhe hapja e pikës kufitare Trebisht-Xhepisht

 

Kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi konferencën e përbashkët më homologun maqedonas Nikola Gruevski për t’i shprehur Ramës qëndrimin e tij në lidhje me rezolutën e Parlamentit Evropian në lidhje me Shqipërinë. Numri një i qeverisë qartazi u shpreh se pikërisht kjo rezolutë tregon se nuk ka asnjë lidhje mes tri ligjeve që duhet të miratohen në Parlament dhe çështjes së qarkut të Fierit që është pretendimi i ngritur nga socialistët. “Do të doja që zoti Rama ta lexonte këtë votim. I garantoj shqiptarët se, në qoftë se Fieri do të qëndronte si problem, ajo Rezolutë do të kishte jo 1, por disa nene për Fierin. Këtë çështje zoti Rama e ka ngritur në të gjitha instancat që ka mundur, por ai ka marrë një përgjigje të prerë se ndërkombëtarët nuk shohin asnjë lidhje midis Fierit dhe votimit të 3 ligjeve në Parlament, që zoti Rama i bllokon. Kjo është e vërteta”, – tha Berisha. Kryeministri përmendi edhe mocionin si zgjidhje për qarkun e Fierit, por gjithashtu u shpreh se fakti që u tërhoqën nga gjykimi i çështjes dëshmojnë se tani janë të kënaqur, sepse përmbushën misionin. Ndërkohë që theksoi se oferta e tij për mocionin vijon të jetë e vlefshme. Pa e shmangur dot, kreu i ekzekutivit shqiptar hoqi një paralelizëm mes rastit shqiptar dhe atij maqedonas, sa i përket bllokimit të integrimit. Zoti Berisha tha se për Maqedoninë statusi është vonuar nga faktorë të jashtëm siç është Greqi, për çështjen e emrit, ndërsa për Shqipërinë janë elemente të brendshëm ata që pengojnë hyrjen e vendit në familjen e madhe evropiane, duke shigjetuar kështu opozitën socialiste. Një tjetër çështje e diskutuar gjatë kësaj vizite është respektimi i Marrëveshjes së Ohrit. Kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski u shpreh se plagët janë ende të freskëta ndaj dhe ka pasur mangësi në respektimin e kësaj marrëveshjeje. “Në vitin 2001 u ballafaquam me një konflikt që u kurorëzua me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit. Kaluan një kohë të gjatë nga ky konflikt por plagët e konfliktit janë të freskëta dhe të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm të mos lëndojmë ndjenjat e palës tjetër. me partnerin tonë të koalicionit BDI, bëjmë përpjekje për të mbajtur komunikimin e mirë mes dy komuniteteve, dhe në pjesën më të madhe e bëjmë në mënyrë të suksesshme. Por edhe ne si të gjithë në botë kemi mosmarrëveshje, por kemi dialog që do të zgjidhim të gjitha problemet”, – u shpreh Nikolla Gruevski.

Marrëveshjet

Pas katër vjetësh, Kryeministri maqedonas zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Shqipëri, megjithëse në mënyrë private ai kishte qenë edhe më parë ne disa fshatra të minoritetit ne vend. Dje u nënshkruan dy marrëveshje të rëndësishme për të dyja vendet, siç është ajo e njohjes së ndërsjellë të lejeve të drejtimit dhe marrëveshja për hapjen e një pike kufitare të përbashkët që do të quhet Trebish-Xhepisht. Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e homologut të tij maqedonas si një kontribut të ri shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore dhe në bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve. Në takim, kryeministrat ripohuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes vendeve në nivelin, bilateral dhe atë multilateral, si dhe theksuan angazhimin reciprok për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, veçanërisht për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, në interesin më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.

Topalli e Nishani

Në kuadër të vizitës për jubileun e pavarësisë, shefi i kabinetit qeveritar maqedonas u takua edhe me kreun e shtetit Bujar Nishani dhe Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Gjatë të dy takimeve u nxitën marrëdhëniet mes dy vendeve për të kaluar në një fazë tjetër edhe më të rëndësishme. Kryeministri maqedonas i uroi politikanët shqiptarë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.