Hasan Prishtina Jahjaga – Berisha: Arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë

0

Është përuruar dje përmes një ceremonie të veçantë busti i Hasan Prishtinës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm personalitete të larta të vendit dhe Kosovës. Në fjalën e mbajtur gjatë këtij përurimi, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Kryeministri Berisha vlerësuan maksimalisht figurën e Hasan Prishtinës, duke e cilësuar atë si arkitektin e pavarësisë së vendit. Duke marrë fjalën në këtë ceremoni, Presidentja e Kosovës, Jahjaga, vlerësoi rolin e patriotit Hasan Prishtina për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. “Ne sot (dje) nderojmë veprën e Hasan Prishtinës, të njeriut që gjithë jetën punoi për ta bërë Shqipërinë një shtet të lirë të Evropës. Ne po i nderojmë të gjithë veprimtarët që nuk kursyen asgjë nga vetja për ta bërë reale lirinë dhe pavarësinë e vendit”, – vuri në dukje Jahjaga. Po kështu dhe kreu i qeverisë shqiptare dha vlerësimet e tij për këtë figurë të rëndësishme për historinë kombëtare. “Sot (dje) për kryeqytetin e Shqipërisë është një ditë e shënuar pasi vendoset këtu apo kthehet në Preshevën e Shqipërisë arkitekti i Shqipërisë etnike, arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë, burri i madh që shkriu jetën e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, për pavarësinë e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve”, – veçoi Berisha, gjatë fjalës së tij. Në po këtë linjë, shefi i ekzekutivit shtoi se “Hasan Prishtina në veprën e tij me të gjithë përkushtimin e tij u shndërrua në flakë mbajtësin e idealit të madh të Lidhjes së Prizrenit. Ai udhëhoqi lëvizjet më të mëdha që shqip kanë pasur në kohërat moderne. Përfaqësuesi i Shqipërisë në parlamentin e perandorisë osmane është zotuar se do bënte gjithçka për Shqipërinë etnike”.

Loading...

 

 

Loading...