CEZ, pagesa e faturave të energjisë, detyrim për të gjithë klientët

0

Në konfliktin e nisur tashmë midis institucioneve të vendit tonë dhe kompanisë CEZ Shpërndarje nuk mund të mos mbahet parasysh pasha e një faktori negativ, të përhapur në shoqërinë shqiptare. Pavarësisht se kush është, kush ka qenë apo kush do të jetë administrator apo pronar i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri, konsumi i energjisë nga klientët nënkupton ligjërisht pagesën për këtë shërbim. Por, një fakt të tërheq vëmendjen: që nga nëntori i vitit të kaluar, kompania CEZ Shpërndarje nisur bashkëpunimin edhe me kompani private të përmbarimit për ekzekutimin e urdhrave ekzekutivë, lëshuar nga gjykatat e rretheve përkatëse për klientët debitorë. Po pse? Pasi, edhe tani që kompania menaxhohet nga privati, zona të tëra vazhdojnë të vjedhin hapur energjinë, për vite me radhë.

Harta e Shqipërisë ndahen në disa zona sipas pagimit që i bëhet energjisë: Shqipëria e veriut dhe verilindja, Shqipëria e Mesme dhe ajo e jugut. Të gjithë konsumatorët, në të gjitha kategoritë e tyre, përfshi këtu edhe subjektet shtetërore, bizneset private dhe konsumatorët familjarë, në qarkun e Kukësit paguajnë nën nivelin e 50 për qind të energjisë së shpenzohet. Një shifër kjo që nuk parasheh edhe humbjet eventuale në rrjet që janë të ndryshme për zona të ndryshme. Në qarqet Berat, Burrel, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe në kryeqytet, niveli i pagesës së energjisë së arkëtuar në raport me atë që konsumohet shkon nga 50 për qind deri në 80 për qind. Mbi këtë nivel, 80 për qind, paguhet në Durrës, Elbasan dhe në Fier. Pothuaj e njëjta situatë është edhe në konsumin dhe pagesat vetëm për konsumatorët familjarë.

Kështu, në dy qarqet më të mëdha të veriut ky nivel është nën masën 50 për qind. Shkon deri në 80 për qind të pagesës në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Burrel, ndërsa më të rregulltit në pagesa, që shkojnë në nivelin mbi 80 për qind, CEZ arkëton energjinë e faturuar në Korçë, Gjirokastër, Fier dhe Berat.

CEZ dhe pasuria e saj, jo vetëm energjia që shpërndan, ka qenë në shënjestër të grabitjeve nga më të ndryshmet. Duke ju referuar statistikave të Ministrisë së Brendshme, vetëm në rastet e denoncuara dhe duke nisur që nga viti 2010, vjedhjet e pasurisë së saj kapin shifra shumë milionëshe. Edhe në këtë rast, vjedhjet më të mëdha kanë ndodhur në zonën veriore të vendit dhe atë jugperëndimore. Konkretisht e kanë pësuar 186 transformatorë me fuqi të ndryshme, një ton e gjysmë vaj transformatori, rreth 55 ton përcjellës bakri dhe 12 kilometra kabëll bakri, përcjellës alumini dhe përcjellës alumini e bakri janë zhdukur rreth 7 tonë, e të tjerë. Kryesisht, materialet e vjedhura shiten në pikat e grumbullimit të skrapit. Rastet e rigjetjes e rikthimit të pasurisë së grabitur janë fare të rralla dhe po kaq të rralla, janë dhe rastet e ndëshkimit të grabitësve. Por dëmi material që i shkaktohet kompanisë është vetëm njëra anë e problemit. Më dramatike bëhet situata kur, siç shpjegojnë specialistët, në shënjestër vihen neutrot e transformatorëve, të cilat janë të prodhuar prej bakri të pastër. Në një rast të tillë, shkaktohet rritja e menjëhershme e tensionit që vjen tek konsumatori, çka shkakton dëmtimin e rëndë deri dhe daljen jashtë përdorimit të pajisjeve elektrike.

Kjo situatë ka shkaktuar probleme, që kanë çuar deri në ftohjen e marrëdhënieve midis kompanisë dhe shtetit shqiptar. Si do të zgjidhen ato, kjo mbetet për t’u parë. Ka gjyqe, ka arbitrazhe, po ka edhe zgjidhje me mirëkuptim dypalësh. Në rast se të gjithë klientët do të paguanin faturat e prapambetura, situata do të ndryshonte rrënjësisht.