Zv.ministri: 2013, rritja ekonomike kap shifrën 4 për qind

0

Viti 2013 do të shënojë një rritje ekonomike të Shqipërisë në nivelin 4 për qind. Deklarata u bë dje nga zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, i cili paraqiti shkurtimisht projektbuxhetin e vitit 2013 në Konferencën e Kryetarëve. Ky është buxheti i katërt që hartohet në kushtet e një krize ekonomike dhe financiare globale që ka nisur qysh prej vitit 2008. Në fjalën e tij përpara Konferencës së Kryetarëve, zoti Haldeda paraqiti shkurtimisht disa nga arritjet dhe realizimet e buxhetit të vitit 2012, duke nënvizuar se sipas vlerësimit të institucioneve financiare ndërkombëtare, Shqipëria ka treguar stabilitet makroekonomik duke mundur të shmangë në masë të konsiderueshme prekjen nga kriza, sipas zëvendësministrit.

Loading...

Për vitin 2013, sipas zotit Haldeda, qeveria parashikon një rritje ekonomike prej 4%, ruajtjen e inflacionit në nivelin 3% dhe ruajtjen e nivelin të borxhit publik në 62,6%. Për sa i përket nivelit të importeve në vlerë nominale ato parashikohen në 6,4%, ndërsa eksportet në 25%. “Qeveria parashikon zbatimin e një politike fiskale me objektiv kryesor nxitjen e rritjes ekonomike. Investimet publike parashikohen të arrijnë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si një nga instrumentet kryesore për realizimin e objektivit të rritjes ekonomike. Rritja e pagave dhe pensioneve që prek një pjesë të madhe të familjeve shqiptare dhe për rrjedhojë ka një impakt të konsiderueshëm në ekonomi, është një tjetër instrument, sipas zotit Haldeda, për arritjen e këtij objektivi”. Ndërkaq, kalendari i miratuar me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve parashikon shqyrtimin në seancë plenare në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2013” në datë 7 dhjetor 2012, ndërkohë që nen për nen dhe në tërësi do të shqyrtohet në datë 17 dhjetor.

 

Loading...