Zhdukja e Remzi Hoxhës, pafajësi për Sefgjinin dhe Koldashin

0
378

Sonja Caka

Gjykata: Nuk ka prova që i implikojnë, Ilir Kumbaro fajtor dhe dënohet me 15 vite burg. Arsyetimi për Kumbaron: Ka qenë aktiv në keqtrajtimin dhe torturimin e të dëmtuarve, mjaft çnjerëzor dhe mizor

Katër vite proces gjyqësor, seanca të gjata të mbushura me dëshmi të ndryshme të dëgjuara ose të dhëna me dyer të mbyllura përgjatë këtij procesi maratonë, dhe pas disa orësh këshillimi, trupi gjykues shpalli vendimin, duke dhënë dy pafajësi për të pandehurit Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, si dhe dënimin me 15 vite burg për të pandehurin Ilir Kumbaro. Gjykata ka lexuar vetëm diapozitivin e vendimit për gati gjysmë ore, ndërsa deklaroi se vendimi i plotë do të zbardhet pas disa ditësh dhe do t’u vihet në dispozicion avokatëve dhe prokurores së çështjes. Sipas gjykatës, nuk ka prova që vërtetojnë implikimin e Sefgjinit dhe Koldashit, ndërsa shtoi se ka qenë mjaft aktiv, madje çnjerëzor në torturimin e të ndaluarave, vetëm i pandehuri Ilir Kumbaro. Sipas gjykatës, ky i pandehur, i dënuar me 15 vite burg, ka torturuar në prani edhe të Budion Meçes shqiptaro-maqedonasin Remzi Hoxha, duke i shkaktuar vdekjen. Më parë se të jepej verdikti përfundimtar nga trupi gjykues, avokatët thanë fjalën e fundit para gjykatës, duke kërkuar pafajësi për klientët e tyre, me pretendimin se janë të papërfshirë në këto rrëmbime për të cilat flet akuza.

Pretenca

Pas disa shtyrjesh, një seancë më parë, prokurorja Elisabeta Imeraj ka deklaruar para gjykatës se cila ishte fjala e fundit e akuzës për tre të pandehurit Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, lidhur me akuzën për rrëmbimin, torturimin dhe më pas zhdukjen pa lënë gjurmë të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Çështja është veçuar për të pandehurin e katërt, Budion Meçe, i cili ndodhet në gjendje kome në spital dhe për momentin procesi është pezulluar. Përfaqësuesja e akuzës renditi para gjykatës arsyet e fillimit të këtij procedimi dhe rinisjen e hetimeve pas sigurimit të provave dhe dëshmive të reja. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur 17 vite më parë, kur më 21.10.1995, është rrëmbyer dhe ka humbur çdo kontakt me familjarët e tij viktima Remzi Hoxha. Por jo vetëm, pasi në këtë proces hetimor u përfshinë edhe rrëmbimi dhe torturimi për të njëjtën akuzë dhe për lidhje mes tyre edhe i shtetasve Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Ky i fundit, sipas akuzës, është rrëmbyer nga fundi i shtatorit të vitit 1996 nga persona që punonin në Shërbimin Informativ Kombëtar dhe i është kërkuar përmes trysnisë së keqtrajtimeve fizike dhe psikike dhënia e informatave të ndryshme që kishin lidhje me sigurinë kombëtare. Sipas akuzës, ky person është mbajtur për disa ditë dhe keqtrajtuar derisa i kanë shkaktuar dëme të mëdha shëndetësore. Loshaj ka rrëfyer se ka parë Remzi Hoxhën në ambientin ku e mbanin të izoluar strukturat e SHIK-ut të asaj kohe. Edhe Ziso Kristopulli ka rrëfyer se ka kanë rrëmbyer pa paralajmërim në Sarandë dhe e kanë mbajtur për 5 ditë, ku vetëm më pas ka mësuar se e kanë marrë persona që punonin për SHIK. Nga hetimet e akuzës ka rezultuar se Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli janë rrëmbyer dhe keqtrajtuar mizorisht nga punonjës të SHIK. Sipas akuzës, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi vetëm se kanë qenë në kohën e ngjarjes në funksione drejtuese në SHIK, por që në asnjë nga provat e administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, nuk rezulton e pasqyruar përfshirja në vepër penale e e këtyre dy të pandehurve. Në këto kushte për këta shtetas u kërkua nga prokurorja deklarimi i pafajësisë së tyre, duke qenë se nuk i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Faktet, sipas akuzës

Gjatë këtij procesi gjyqësor 4-vjeçar, u morën në pyetje një numër i madh personash, përfshi këtu krerë të policisë dhe SHIK-ut të asaj kohe, punonjës të SHIK, pyetja e vetë të pandehurve që ndodheshin në Shqipëri, pyetja e njërit prej të dëmtuarve Ziso Kristopulli, pyetja me letërporosi e Avdyl Loshaj në Kosovë, pyetja e të afërmve apo dhe të njohurve të tre të dëmtuarve. Para gjykatës ka dëshmuar vetë Ziso Kristopulli, i cili ka deklaruar se është rrëmbyer në Sarandë në tetor të vitit 1995, nga persona që iu prezantuan si të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Më pas është marrë, u dërgua në Tiranë dhe më pas në Lezhë. Gjatë marrjes në pyetje, Kristopulli dëshmoi për gjykatën se e kanë pyetur mbi lidhjet dhe njohjet e tij me Remzi Hoxhën dhe Avdyl Loshajn. Procesi i marrjes në pyetje, sipas tij, është shoqëruar me keqtrajtime deri në torturë për marrje informacioni. Kristopulli ka dëshmuar se është marrë në makinë nga katër persona dhe shefi i tyre ishte Avni Koldashi. Ai ka dëshmuar se nuk e njeh Arben Sefgjinin, ndërsa ka identifikuar të pandehurit Budion Meçe dhe Ilir Kumbaro se i ka parë dhe janë dy nga personat që e kanë keqtrajtuar dhe torturuar. Edhe i dëmtuari Avdyl Loshaj ka identifikuar si keqtrajtues të tij të pandehurin Ilir Kumbaro, si një person mjaft të dhunshëm dhe nga dhuna e të cilit ka ndenjur për një kohë të gjatë në spital. Gjithashtu, Loshaj ka dëshmuar se ka dëgjuar britmat e Remzi Hoxhës. Ndërkohë, roje të bazës së SHIK në Vain të Lezhës kanë dëshmuar se kanë parë Remzi Hoxhën të izoluar aty dhe që merrej në pyetje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency