Topalli, PS-së: Përgjegjësi e madhe që s’votoni tri ligjet, ju qofshit

0

Florenc Drizari

Kuvendi voton me konsensus konventën për biodiversitetin dhe larminë biologjike

Mazhoranca vazhdon t’i bëjë thirrje opozitës për votimin e tri ligjeve të integrimit. Edhe pse kanë kaluar tri ditë nga data 20 nëntor, afat i cili u vu si kusht për klasën politike shqiptar nga Brukseli për të përmbyllur votimin e ligjeve më shumicë të cilësuar, thirrja e mazhorancës drejtuar opozitës është vota pro për tri ligjet, në mënyrë që vendit t’i mundësohet statuti i kandidatit. Gjatë seancës së djeshme Kryeparlamentarja Topalli ripërsëriti thirrjen drejtuar opozitës për të votuar nismat ligjore të cilët ndodhen në axhendën e Kuvendit prej disa javësh. Pas votimit me konsensus për ratifikimin e dy konventave, kryetarja e Kuvendit i ftoi publikisht deputetët e Partisë Socialiste të votojnë tri ligjet e integrimit. Fillimisht, Kryeparlamentarja Topalli ftoi deputetët socialist të votojnë projektligjin për Gjykatën e Lartë, më pas nismën ligjore për nëpunësin civil dhe rregulloren e Kuvendit, por palët nuk ranë dakord. Pas refuzimit të ftesës për votimin e ligjeve, Kryeparlamentarja iu drejtua deputetëve të majtë duke thënë se ky vendim për të kushtëzuar votën për ligjet e integrimit është një përgjegjësi e që kjo forcë politike duhet të marrë para shqiptarëve. “Vazhdojnë të mbesin sërish në rendin e ditës nëse bihet dakord për të votuar ligjin për Gjykatën e Lartë, për statusin e nëpunësit civil, për rregulloren e Kuvendit. A jeni dakord? Ligjin për Gjykatën e Lartë, për Statusin e Nëpunësit Civil, për Rregulloren e Kuvendit, zoti Xhafaj unë këtë kam prit. Atëherë ligjin për Gjykatën e Lartë, jeni dakord zotërinj deputetë, zoti Xhafaj? S’jeni dakord. Përgjegjësi e madhe është, ju qofshit!”, – deklaroi Topalli.

Nga ana e saj, Partia Socialiste shprehet e vendosur për të mos u tërhequr nga çështja e Qarkut të Fierit. Në thelbin e saj opozita kërkon zbatimin e vendimeve gjyqësore për këtë qark duke kushtëzuar votën për ligjet e integrimit. Me anë të një njoftimi të shpërndarë nga zyra e shtypit e PS-së, thuhet se ngërçi i krijuar në Qarkun e Fierit do të zgjidhet kur të jenë zbatuar të gjitha vendimet gjyqësore në Këshillin e Qarkut Fier. “Partia Socialiste është e vendosur për të mos u tërhequr asnjë milimetër nga qëndrimet e saj parimore në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës dhe shtetit ligjor. Ndaj ajo as është tërhequr dhe as nuk do të tërhiqet nga kërkesa parimore për zbatimin e vendimeve të formës së prerë të dhëna nga gjykatat shqiptare të të gjitha niveleve. Vetëm kështu do të zgjidhet ngërçi i krijuar në mënyrë abuzive dhe antiligjore nga qeveria në Qarkun e Fierit”, – thuhet në deklaratën e Partisë Socialiste. Përpos kësaj, Partia Socialiste duket se është tërhequr nga dy nismat e tjera ligjore që kanë të bëjnë me nëpunësin civil dhe rregulloren e Kuvendit, duke deklaruar se ato nuk kanë lidhje me Qarkun e Fierit. Aktualisht pritet qëndrimi i mazhorancës për “lëshimin” e fundit të socialistëve në lidhje me ngërçin e krijuar në këtë qark, ngërç i cili ka sjellë edhe mos votimin e tri ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkaq, gjatë seancës së djeshme parlamentare, Kuvendi votoi me 111 vota pro projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin e Nagojës “Për aksesin në birimet gjenetike dhe ndarjen e drejtë e të barabartë të përfitimeve që lindin nga përdorimi i tyre”, të konventës së biodiversitetit “Për larminë biologjike”, dhe me 106 vota projektligjin “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes” (vazhdon shqyrtimi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare).

 

PD zëvendëson Oketën me Bedri Hoxhën tek Siguria

Në seancën e djeshme plenare, u miratua kërkesa e grupit parlamentar të PD-së, kërkesë e cila argumenton se “mbështetur në nenin 20, pika 2 dhe 21, pika 2 e rregullores së Kuvendit, në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, deputeti Gazmend Oketa të zëvendësohet nga deputeti Bedri Hoxha”, si anëtar i përhershëm. Ndërkohë, u miratua dhe emërimi i deputetit Auron Tare, anëtar Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Seanca vijoi me përgjigjet e pyetjeve të deputetit Erion Braçe, drejtuar ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, dhe me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Seanca plenare mbylli punimet rreth orës 13:00.