QSUT Kardiokirurgët, operacione të rralla në zemër

0

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë javës së fundit mjekët e shërbimit të Kardiokirurgjisë në bashkëpunim me mjekët italiane kanë kryer 9 ndërhyrje të rralla, ku 3 prej të cilave ishin për herë të parë për shkak të hapjes së vogël prej 10 centimetrash që u është kryer atyre në trup. Sipas shefit të shërbimit të Kardiologjisë në QSUT, z. Edvin Prifti këto operacione janë të një niveli të lartë dhe është e pamundur të kryhen pa asistencën e specialistëve italianë. Ndërkohë që për ministrin e Shëndetësisë z. Vangjel Tavo këto lloj ndërhyrjesh vlejnë për sistemin shëndetësor jo vetëm duke sjellë risi, por edhe duke ulur ditëqëndrimin e pacientëve në spital dhe për pasojë edhe koston. Ndërkohë për mjekun italian Vittorio Vanini, Shqipëria ka arritur standarde të larta evropiane në mjekësi sidomos në pjesën e kardiokirurgjisë. Kurse për drejtorin e QSUT Edmond Rrushi, institucioni që ai drejton do të bëjë të mundur që në buxhetin e ardhshëm, te jetë një fond për blerjen e aparaturave të nevojshme për këtë lloj operacioni, pasi kostoja e tyre nuk i kalon 30 mijë eurot. Po kështu janë parashikuar dhe trajnime të stafit mjekësor. Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo: “Është kënaqësi dhe jam i lumtur që jam sot (dje) këtu për të deklaruar një arritje shumë të rëndësishme të shëndetësisë shqiptare, ku në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në shërbimin e Kardiokirurgjisë në bashkëpunim me dy profesorë të nderuar italianë u bë e mundur kryerja e disa ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërhyrje të cilat në vendin tonë kryhen për herë të parë por ajo çka është e rëndësishme dhe duhet theksuar është se edhe në vende të tjera të zhvilluara kryhen këto lloj operacionesh. Nga informacionet që shefi i shërbimit të kardiokirurgjisë na jep është se ne jemi vendi i dytë në Ballkan që realizojmë ndërhyrje të tilla. Kjo e bën shëndetësisë shqiptare në shëndetësinë e zhvilluara tashmë e cila po tejkalon, kapërcen sfidat dhe kufijtë e bashkëpunimit me shtetet fqinjë por edhe të një bashkëpunimi edhe më gjerë. Janë këto operacione të cilat do të vazhdojnë të kryhen në QSUT edhe në të ardhmen dhe ajo që është më e rëndësishme është se këto lloj ndërhyrje që sjellin ulje të vdekshmërisë së pacientëve, ulje të ditë-qëndrimit dhe për pasojë edhe të kostos”. Ndërsa drejtori i QSUT-së Edmond Rrushi, falënderoi ekipin e mjekëve italianë për kryerjen e një sërë ndërhyrjeve kirurgjikale. “Për kirurgët dhe kardiokirurgët duatë jep sot një premtim të rëndësishëm, që nga ana e drejtorisë do të kenë mbështetjen maksimale për të gjitha zhvillimet e mëtejshme, për të tjera ndërhyrje të tilla të cilat do të jenë risi. Ne buxhetin e ri ne do të sigurojmë që një pjesë e mirë e fondeve të shkojnë për aparatura dhe pajisje të nevojshme në mënyrë që operacione të tilla të kthehen në rutinë për QSUT”. Shefi i shërbimit të kardiokirurgjisë Edvin Prifti u shpreh: “Këto ndërhyrje u realizuan në tre pacientë, ku në dy prej tyre u riparuan valvulat nitrate dhe në një prej tyre u zëvendësuan. Ne jemi shumë të kënaqur për realizimin e këtyre procedurave me sukses, pasi janë procedura tepër të sofistikuara, tepër komplekse dhe kërkojnë impenjimin e një numri të madh specialistësh si në kardiokirurgji ashtu edhe në reanimacion, anestezistë, kardiologë etj., por ka nevojë edhe për një sërë instrumentesh të reja. Kjo për vetë faktin se çdo operacion në zemër kryhet duke hapur kockën e kraharorit nga 15 deri në 20 centimetra, ndërkohë që me ndërhyrjet e bëra së fundmi kanë një hapje 7 deri ne 10 centimetra, që mundëson aksesin kirurgjikal për të hyrë në zemër, por që sjell edhe ulje të sëmundshmërsië dhe riparim të shpejtë postoperator si dhe rehabilitim të pacientëve në kohë minimale. Por kjo lloj procedure sjell edhe një efekt kozmetik të mirë për pacientët”.

Loading...

 

 

 

 

 

Loading...