Përgjimi, Shehaj: Plumbin e fundit të heroinës e mbaj gjithmonë vetë

0

Elton Qyno

Loading...

Publikohet biseda e përgjuar mes Ilir Shehajt dhe oficerit Anoril Cani, teksa përgatisnin drogën për ta dërguar në Elbasan.

Oficeri i drogës, vartës ndaj kokainës, biznesmeni Shehaj i jepte drogë dhe para në këmbim të transportimit të mallit

 

Zbardhen përgjimet e Prokurorisë së Tiranës dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilat vunë në pranga pesë trafikantë, mes tyre edhe oficerin e Antidrogës, shtetasin Anoril Cani. Në shumë biseda ambientale si dhe në telefon, prokuroria ka mbajtur në monitorim kreun e këtij grupi kriminal, shtetasin Ilir Shehaj, si dhe transportuesin e drogës, shtetasin Anoril Cani. Një nga bisedat me shumë interes dhe që ka zënë me presh në duar dy të arrestuarit, Shehaj dhe Cani, është ajo e zhvilluar në ditën e arrestimit, ku Shehaj dhe Cani komunikojnë me njëri-tjetrin, duke ndarë lëndën narkotike të llojit heroinë dhe kokainë. Pikërisht në këtë bisedë të përgjuar në një ambient në zonën e Vorës, është arritur të mësohet se mes dy shtetasve të arrestuar flitet për lëndë narkotike. Biseda zhvillohet për peshimin e drogës dhe ndarjen e saj në disa doza të vogla. Gjatë komunikimit, Ilir Shehaj me pseudonimin “Gjyshi”, i tregon se gjithmonë ai mban plumbin e fundit të drogës dhe se kishte hequr mënjanë një sasi prej 1.5 gramë e gjysmë heroinë. Pikërisht në këtë moment i është kundërpërgjigjur oficeri i policisë, shtetasi Anoril Cani, i cili në bisedat e përgjuara del duke pohuar: “Dy gramë duhet të ishte, e mbajta, s’po shtrëngohem me Gjyshin”. Pas kësaj bisede, lënda narkotike është ngarkuar në makinë dhe më pas mjeti është marrë nga shtetasi Anoril Cani, duke u drejtuar në drejtim të zonës së ish-Bllokut, ku tek ura e Lanës është arrestuar nga efektivët e repartit RENEA.

Skema e veprimit të grupit

Hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë së Tiranës kanë arritur të zbardhin plotësisht skemën e veprimit të këtij grupi kriminal. Nga materialet e transkriptuara rezulton se shtetasi Anoril Cani është i implikuar në shpërndarjen e lëndës narkotike dhe se drogën ai e siguronte nga shtetasi Ilir Shehaj. Më pas ai këtë lëndë e dërgonte tek shtetasi Everest Hoxholli dhe Gentian Xhoka, dy shpërndarës tepër të organizuar në zonën e Elbasanit. Pas çdo bisede telefonike të kryer me shtetasit Hoxholli dhe Gjoka, oficeri i policisë Cani fliste me shtetasin Ilir Shehaj me qëllim sigurimin e lëndës narkotike. Gjatë vëzhgimeve të kryera nga agjentët operativë kanë dyshuar se pas bisedave të vazhdueshme që ka pasur me shtetasin Gentian Gjoka, kanë dyshuar se shtetasi Anoril Cani pas bisedave që ka pasur me Ilir Shehaj dhe është nisur me makinën e këtij të fundit, e ka transportuar lëndën narkotike për tek shtetasi Gentian Gjoka. Mbi bazën e këtij dyshimi oficerët e Policisë Gjyqësore, të shoqëruar edhe nga specialistët e RENEA, kanë vendosur të ndalojnë automjetin me targa AA 742 BA, i cili rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Shehaj, por që drejtohej nga shtetasi në hetim Anoril Cani. Gjatë kontrollit të ushtruar është gjetur një sasi lënde narkotike prej 33 kg dhe 301 gramë e cila dyshohej se ishte heroinë. Ndërkohë që në xhepin e xhaketës dhe në portofolin e shtetasit Anoril Cani janë gjetur dhe dy doza në qese të vogla, në një sasi prej 0.8 gramë të cilat janë lëndë narkotike e llojit heroinë. Në këto kushte është kryer kontrolli i banesës të shtetasit Madrid Dule në qytetin e Vorës. Pikërisht në oborrin e shtëpisë, ku ndodhej një automjet, gjatë ushtrimit të kontrollit janë gjendur dhe sekuestruar një sasi e llojit kokainë dhe heroinë e cila kalonte shifrën e 100 kilogramëve.

Dëshmia e Shehajt dhe e Canit

I pyetur në lidhje me rrethanat e hetimit me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Ilir Shehaj ka deklaruar se lëndën narkotike ka mundur ta sigurojë në Turqi. Heroinën dhe Kokainën ai ka dashur ta shpërndajë në Shqipëri dhe se ka menduar se Anoril Cani, duke qenë punonjës policie, mund ta ndihmojë në aktivitetin e tij kriminal. Në datën 15 nëntor ai i ka dhënë këtij shtetasi një sasi lënde narkotike që sipas tij është përzierës, për t’ua dhënë disa shtetasve nga Elbasani, të cilët ishin të njohur me shtetasin Anoril Cani. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Anoril Cani ka deklaruar se është përdorues droge i llojit kokainë. Lëndën narkotike ia ka siguruar shtetasi Ilir Shehaj dhe se ai ditën e ngjarjes me makinën e Ilirit do ta çonte drogën tek disa shtetas nga Elbasani.

Biseda e përgjuar

Iliri: E peshova unë

Anorili: Mbajte për vete?

Iliri: Mbajta, plumbin e fundit e mbaj për vete unë, po me shumë kam heq gati një gram e gjys, me shumë, po njëher.

Anorili: Më shumë.

Iliri: Më shumë ishin? Nuk e kam idenë sikur kishte 5 gramë, sa kishe?

Anorili: Po se kam peshuar.

Iliri: Po kam heq gati gjysmën e çik më pak të kam dhënë ty.

Anorili: Dy gramë duhet të ishte e mbajta, s’po shtrëngohem me Gjyshin.

Loading...