Kur futbolli bëhet supersticioz

0
1020

Kur aftësitë e drejtuesve dhe paratë e financuesve nuk mjaftojnë, atëherë “në lojë” futen edhe “fiksimet” e protagonistëve. Shumë janë të bindur se skuadrat e tyre do të gjejnë rrugën e suksesit, nëse urinojnë në fushë (si Brajan Fraj) apo nëse zhvarrosin një bretkosë…

 

Marrë nga “Goal.com”

Nëse investon shumë në një klub dhe dëshiron të fitosh? Më parë duhet të sigurohesh që nuk të kanë mallkuar apo edhe duhet të lexosh mirë “CV” e lojtarëve që afron. Ka disa prej atyre që nëse shënojnë gol atëherë të çojnë ekipin në një seri më poshtë.

 

“Vrasësi” i skuadrave japoneze

Sulmuesi japonez, Rijoishi Maeda, ka një këmbë vrasëse. Skuadrës që ai i shënon golin e parë të sezonit, i shkakton edhe rënien nga kategoria. Duket për të qeshur, por në Japoni e besojnë. Në vitin 2007, golin e parë ai ia shënoi Ventforet Kofusë, e cila në fund të sezonit përfundoi një kategori më poshtë. Në 2008-n, viktima e radhës ishte Tokio Verdu, ndërsa në 2009-ën ishte Xhef Junajtid. Në mënyrë të pabesueshme, kjo ndodhi edhe në 2010-ën dhe 2011-ën, respektivisht me klubet Kjoto Sanga dhe Motedio Jamagata. Tifozët e Jubilo Ivatës, ku luan Maeda, përgjatë gjithë karrierës, i janë lutur atij që golin e parë ta ruajë për rivalët e Gamba Osakës, me shpresës se “magjia” do t’i prekë edhe ata.

 

Bela Gutman “mallkon” Benfikën

Kur trajneri i famshëm Bela Gutman u largua nga Benfika në vitin 1962, ai mallkoi klubin duke thënë: “Për plot 100 vite, duke filluar që tani, Benfika nuk do fitojë kurrë një trofe në Evropë”. Në fakt, deri tani fjalët e tij do kenë rënë vesh të Zotit, pasi portugezët kanë arritur pesë herë deri në finale dhe në të gjitha rastet janë mundur. Janë mundur nga Milani (dy herë), Interi, Mançester Junajtid dhe PSV. Në tërë këto finale Benfika është kënaqur me statusin e nënkampiones. Në vitin 1990, kur Benfika luante me Milanin në finale, Eusebio shkoi te varri i Gutmanit dhe iu lut që ta hiqte mallkimin, por mesa duket nuk e dëgjoi…

 

Mallkimi i dentistit

Në vitin 1947, Amerika Kali ishte një klub kolumbian mjaft i suksesshëm në nivelin amator. Por u mor një vendim që ai të merrte statusin e klubit profesionist dhe të merrte pjesë në kampionatet më të rëndësishme. Në fakt, ky vendim nuk i kënaqi të gjithë. Dentisti Benxhamin Urrea Monsalve, i quajtur ndryshe si “Garabato”, ishte tepër i mërzitur. “Ju mund ta bëni Amerikën një klub profesionist, ose çfarë të doni, por betohem në Zot që nuk do fitojë kurrë një trofe shumë të rëndësishëm”. Edhe pse u investuam shumë para në këtë klub, titulli i parë kampion erdhi pas 31 vitesh. Gjithsesi, mallkimi i dentistit vazhdon “të privojë” këtë skuadër nga Kupa Libertadores. Kolumbianët kanë shkuar katër herë në finale dhe asnjëherë nuk e kanë fituar dot…

 

“Babagjyshi”… i fitoreve

Dajv Baset ka pasur shumë ide të çuditshme gjatë karrierës së tij si trajner, por më e paharrueshmja është zgjidhja që pati për krizën e Shefild Junajtid në vitet ‘90. Kur skuadra u ngjit në Premier Ligë, trajneri ishte në prag të shkarkimit, pasi deri më 22 dhjetor ai nuk arriti të fitojë asnjë ndeshje. Tekniku organizoi një festë Krishtlindjesh me ekipin pak ditë më pas, ku vetë u vesh si Santa Klaus. Kjo festë u duk sikur prishi mallkimin e keq të ekipit, pasi ata patën një ecuri mbresëlënëse në pjesën e mbetur të kampionatit. Nga vendi i fundit, ata e mbyllën sezonin në vendin e 13-të. Si supersticioz i dalluar, Baset vendosi që para fillimit të sezonit të ri, ata të organizonin një tjetër festë Krishtlindjesh, edhe pse në fakt ishte muaji gusht. Pak ditë pas festës, Shefild Junajtid luajti kundër Mançester Junajtid dhe realizoi një fitore mbresëlënëse 2-1. Edhe ai sezon përfundoi me sukses për ekipin. Ndërkohë, në edicionin 1992-93, tekniku vendosi të heqë dorë nga besëtytnitë dhe nuk e përsëriti festën para sezonit. Fatkeqësisht, atë sezon skuadra ra nga kategoria…

 

“Mbreti” që nuk parashikon dot

Legjenda e historisë së futbollit ka qenë i jashtëzakonshëm kur luante, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë kur bën parashikime. Në fakt, sa herë që ai bën një parashikim, duket sikur përcaktohet që të ndodhë krejt e kundërta. Pele ka parashikuar triumfin në Kupën e Botës në edicionet specifike për Kolumbinë, Kinën, Spanjën, Argjentinën apo Francën dhe në të gjitha rastet këto ekipe kanë pësuar eliminime të parakohshme. Gjithashtu, parashikimet e tij konsistojnë edhe mbi pasardhësin e mundshëm në futboll. Sa herë që ka etiketuar një lojtar si pasardhësin e vet, karriera e tyre ka pësuar një rënie drastike. Mjafton të përmendësh emra si Ni Lamptej apo Fredi Adu.

 

Urina në Birmingem

Në vitin 1906, Birmingemi ra pre e një mallkimi të komunitetit rom. Pasi i larguan nga shtëpitë e tyre për të ndërtuar stadiumin “St. Endrjus”, ata e mallkuan klubin që të mos arrinte kurrë në nivele të larta. Ky mallkim u mor shumë seriozisht, kur ecuria e klubit të suksesshëm të atyre viteve sa vinte e përkeqësohej. Trajneri Ron Saunders u mundua ta prishte këtë mallkim, duke vendosur kryqe në të katër cepat e stadiumit, por as kjo nuk funksionoi. Derbi Kauntri kishte pasur një problem të ngjashëm, por e kishin zgjidhur duke paguar pasardhësit e atyre që kishin mallkuar, në mënyrë që ta hiqnin atë gjë. Mirëpo trajneri Berri Fraji mësoi një mënyrë tjetër për të shpëtuar Birmingemin. Ai vendosi të urinojë në të katër cepat e fushës, pasi kishte dëgjuar se vetëm kështu mund të prishej mallkimi. A e bëri trajneri atë gjë? Pa diskutim që po, e madje më shumë sesa një herë. Thuhet se e bënte këtë gjë sa herë ndesheshin me një kundërshtar të fortë. Mbase fusha e lojës nuk kishte një aromë të mirë, por çuditërisht Birmingemi nisi të përjetojë ditë më të bukura…

 

Bretkosa e Arubinjës

Kur Vasko de Gama u përball me skuadrën e Andarait në vitin 1937 u tregua e pamëshirshme. Ajo fitoi me rezultatin e thellë 12-0. I zhgënjyer dhe i turpëruar, trajneri i Andarait, Arubinja, mallkoi ekipin kundërshtar. Ai u ul në gjunjë dhe u lut me fjalët: “Nëse ka Zot në parajsë, Vasko nuk duhet ta fitojë titullin kampion në 12 vitet e ardhshme”. Për të përçuar lutjen e tij në parajsë, sipas një rituali të zonës, ai mori një bretkosë, e dogji dhe e groposi në fushën e stadiumit. Për 11 vite me radhë, Vasko de Gama nuk e fitoi dot titullin kampion, edhe pse iu afrua shumë herë. Të trembur nga mallkimi i Arubinjës, ata urdhëruan që të gërmohej me ekskavator dhe të hiqej e gjithë fusha e stadiumit, ku ishte groposur bretkosa. 11 muaj pasi bënë këtë veprim, ata fituan titullin…

 

Pavarësia e Indisë

Mohun Began është një nga klubet më të njohura në Indi. Por, në vitin 1911 ishte një klub i një niveli tejet amator, kur dhe do të ndeshej kundër një skuadre angleze. Ajo sfidë u prit me shumë interes, duke qenë se luanin ndaj regjimentit Ist Jorkshajer dhe bëhej fjalë për një skuadër të pushtuesve anglezë. Edhe pse pa shumë talent, Mohun Began realizoi një fitore heroike 2-1, çka ekzaltoi të gjithë popullin indian. Një prift hindu, me emrin Brahmin, u afrua pranë skuadrës dhe tha: “Kur do të vijë pavarësia e Indisë? Ajo ka për të ndodhur kur ju të fitoni sërish trofeun IFA Shild”. Dhe, në fakt, profecia e tij u përmbush. Mohun Began e fitoi këtë trofe në vitin 1947, në të njëjtin vit që India fitoi pavarësinë ndaj Anglisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency