Juliano: Unë, Rivera dhe ndeshja e trukuar

0
821

Altin Vorpsi

Një nga lojtarët simbol të Napolit dhe kombëtares italiane, Antonio Juliano, ka hapur “plagë” të vjetra të futbollit italian. 34 vite pas sfidës mes Napolit dhe Milanit, mesfushori rrëfeu se rezultati i asaj sfide ishte i caktuar ende pa fishkëllyer arbitri. Dy ditë më parë, Juliano shpjegoi se si trukoheshin ndeshjet e viteve ‘60 dhe ‘70 në Itali.

 

Marrë nga “corrieredelmezzogiorno.corriere.it”

Në Itali “biskotat” kanë shije të hidhur. Të paktën ato që serviren në stadiume. Në vendin fqinj takimet e trukuara janë mësuar t’i quajnë kështu. Fenomeni që rrezikon t’i marrë “jetën” lojës më popullore në glob, njihet prej vitesh në Itali.

 

Zbulimi

Antonio Juliano, ish-kapiteni i Napolit dhe mesfushor i përfaqësuese italiane, ka tentuar që të hedhë dritë në anën e errët të futbollit italian në një konventë të quajtur “Futbolli mes rregullave” të organizuar nga shoqata “Azzurra Lex”. Përballë presidentit të Gjykatës së Napolit, Karlo Alemi, kreut të Prokurorisë Sportive Italiane, Stefano Palaci, dhe dhjetëra avokatëve e gjyqtarëve, lojtari i famshëm ka zbuluar si “kombinoheshin” apo trukoheshin ndeshjet e viteve ‘60 dhe ‘70.

 

34 vite më vonë

Në veçanti, Juliano tregoi se si “trukoi” së bashku Xhani Riverën ndeshjen e fundit të edicionit 1977-1978 të Serisë A. Flasim për sfidën mes Napolit dhe Milanit, që u mbajt më 7 maj 1978. Kjo ishte një nga ato takime ku rezultati final mësohet ende pa filluar 90 minutat. Në këtë ndeshje të dyja skuadrave u duhej nga një pikë për të siguruar pjesëmarrjen në Kupën UEFA. Kështu, pas 34 vitesh, vjen edhe rrëfimi që nuk pritej. Xhani Rivera tregon se nuk mban mend gjë, edhe pse nuk mohon asgjë. “Shpeshherë ndodhte që futbollistët të bisedonin me njëri-tjetrin para ndeshjeve, por në fushë secili bënte lojën e vet”, – shpjegon nëpërmjet telefonit ish-ylli i kuqezinjve.

 

“Rrëfimi”

“Në edicionin ’77-’78, në javën e fundit, – shpjegoi Juliano, – u përballëm me kuqezinjtë në “San Paolo”. Me një barazim, të dyja ekipet do të mund të siguronin pjesëmarrjen në Kupën UEFA. Për këtë fakt, para ndeshjes, unë shkova dhe takova Riverën dhe Albertosin. Të tre së bashku vendosëm që takimi të mbyllej në barazim dhe më pas ua komunikuam edhe shokëve. Në fund të 90-minutëshit të tërë ishim të gëzuar, pasi gjithçka u mbyll në 1-1. Sa i përket ndeshjes, ne ishim në humbje (për Milanin shënoi Bigon në 74’) dhe tërë shokët e ekipit më thoshin: ‘Si ka mundësi? Na the se do të barazonim…’ Kështu shkova tek Albertosi dhe i kujtova që kishim bërë një pakt. I kërkova përse nuk po e respektonin. Ai në atë çast replikoi: ‘Kapiten, po çfarë duhet të bëj? Unë hidhem nga e djathta dhe lojtarët e tu më godasin në trup!’ Pasi më tha këto fjalë, vjen edhe episodi që ndryshoi gjithçka. Në minutën e 90-të morëm një goditje këndi. Aty, Vinacani, që ishte njëri prej atyre futbollistëve që gola me kokë nuk bën në tërë karrierën, shkoi në zonën e rreptësisë dhe shënoi. Të gjithë u gëzuam. Më shumë se ne u gëzuan tifozët në stadium”.

 

Përgjigjja e Riverës

E menjëhershme ishte përgjigjja e Riverës: “Nëse barazimi do të kualifikonte të dyja skuadrat, atëherë nuk ishte nevoja as të flisnim. T’ju them të drejtën nuk më kujtohet shumë mirë, – tha ish-kapiteni i Milanit, – por nëse të dyja skuadrave u leverdiste nga një pikë, atëherë sinqerisht ju them se nuk ishte nevoja që të flisnim fare…” Tashmë pas 34 vitesh rrëfimi i Julianos ishte shumë pa vlera. I vonuar mesfushori i përfaqësues italiane që rihapi një çështje që është mbyllur prej kohësh nga drejtësia italiane.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency