Evalda Paci, si lexohet Buzuku nga vitrina

0
1234

Intervistoi: Violeta Murati

Për të lexuar kontekstin e kësaj ekspozite, jo thjesht si kuriozitet në gjurmë të librave të ekspozuar, u takuam me filologen Evalda Paci, një prej studiuesve në Qendrën e Studimeve Albanologjike, që ndjek autorët e vjetër të shqipes, konkretisht e përkushtuar në punën e saj “Mesharit” të Buzukut. Ditën e martë, më 27 nëntor, Paci do të mbajë një ligjëratë të hapur në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë me temë “Meshari i Gjon Buzukut në traditën e studimeve shqiptare; tekste të veçanta në përbërje të Mesharit (Kënga e këngëve, kolofoni)”

Nga mëngjesi herët e gjithë ditën e ditës në sallën e Bibliotekës, në katin e parë ku është ekspozuar libri i parë shqip, njerëzit nuk rreshtin së vizituari. Mbështesin bërrylat mbi xham e tentojnë të lexojnë ndonjë rresht mbi faqen e hapur nga “Meshari” i Buzukut! Shumica s’marrin vesh gjë, po kurioziteti nuk i ndal të lënë gjurmë djerse mbi xham. Ka rënë disi trauma se mund të vidhet dhe vendin e rojeve të sigurisë ia kanë lënë dy punonjëse të bibliotekës, me karta varur në qafë. Ajo që rri më afër Mesharit, të paktën ditën që ishim ne, është e qeshur dhe ka zell të madh për të shpjeguar në mënyrën e saj, e aq sa di mbi librin. Më shkurt, aty mungon një person i specializuar që të shërbejë si ciceron. Shpesh gruaja e Bibliotekës bëhej qesharake me prirjen për të thënë ç’ka dëgjuar e ç’di rreth “Mesharit”.

Në ironi të kësaj atmosfere janë të paktë edhe njerëzit që merren me tekstet e vjetra të shqipes. Për të lexuar kontekstin e kësaj ekspozite, jo thjesht si kuriozitet në gjurmë të librave të ekspozuar, u takuam me filologen Evalda Paci, një prej studiuesve në Qendrën e Studimeve Albanologjike, që ndjek autorët e vjetër të shqipes, konkretisht e përkushtuar në punën e saj “Mesharit” të Buzukut. Paci nuk ka qenë asnjëherë në Vatikan, por si shumë të tjerë që janë marrë me tekstet e vjetra, tashmë “Meshari” është familjar për të. Po kështu edhe me faqen simbolike të përzgjedhur për t’u ekspozuar që lidhet me pasthënien, kolofonin e shkruar nga Buzuku. Përveçse vlerë muzeale, ekspozimi i “Mesharit”, sipas filologes, përbën “një moment të rëndësishëm përballjeje për çdo studiues të teksteve të vjetra shqip dhe të historisë së shqipes së shkruar që nuk ka pasur mundësi reale ta vizitojë atë në ambientet ku ruhet prej kohësh”. Paci na rikthen në një kronologji të shkurtër botimi të “Mesharit”, duke afruar qasjen e sotme mbi to, qoftë edhe krahasuese. Ndërsa e ndjekim me pasuesit e Buzukut, si përcillen ata në kontekstin e ekspozimit të “Mesharit”.

Ditën e martë, më 27 nëntor, Paci do të mbajë një ligjëratë të hapur në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë me temë “Meshari i Gjon Buzukut në traditën e studimeve shqiptare; tekste të veçanta në përbërje të Mesharit (Kënga e këngëve, kolofoni)”.

 

Na tërheq posteri ku thuhet: Ekspozohet Meshari për herë të parë për publikun. Ç’vlerë merr për ju ardhja e Mesharit në Shqipëri?

Ekspozimi i Mesharit në Shqipëri ka një vlerë muzeale, aq më tepër që realizohet në një kontekst festiv që lidhet me një jubile të rëndësishëm siç është përvjetori i njëqindtë i themelimit të shtetit shqiptar. Por është padyshim dhe një moment i rëndësishëm përballjeje për çdo studiues të teksteve të vjetra shqipe dhe të historisë së shqipes së shkruar që nuk ka pasur mundësi reale ta vizitojë atë në ambientet ku ruhet prej kohësh. Një vëmendje e tillë shpjegohet nga fakti që libri i Gjon Buzukut përbën një ekzemplar unik të një modeli që nuk ka pasur pasues të ngjashëm në llojin e vet në traditën vijuese shkrimore të historisë së gjuhës e letërsisë së vjetër shqipe.

 

Mendoni se është i duhur ekspozimi i Mesharit pikërisht në faqen e pasthënies-kolofonit?

Mendoj se është një zgjedhje e përshtatshme, duke qenë se ekspozimi duhet dhe të ofrojë një tekst të kuptueshëm dhe domethënës nga libri. Në fakt, kolofoni ka qenë përherë një nga tekstet të cilit përherë i janë referuar studiuesit, qëkur kanë ndërmarrë riprodhimet e para të pjesshme të tij. Një model filologjik të sjelljes së kolofonit e gjejmë te Justin Rrota (1930, 1938) dhe te Eqrem Çabej (1936) në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Kolofoni mbetet një pjesë e preferuar dhe në vëllimin e parë të botimit “Shkrimtarët shqiptarë”, 1941, pikërisht sepse kujdesues i asaj pjese të veprës qe sërish Justin Rrota, kontribuesi kryesor në sjelljen në Shqipëri të kopjeve fotografike të Mesharit (1929). Në pikëpamje filologjike në përmbajtjen e tij kolofoni sigurisht ka nota të ndikimit nga modele përkatëse të kohës, por sigurisht është një nga tekstet më origjinale të veprës në kuptimin që aty autori ka gjetur dhe hapësirë për t’u shprehur për punën e mundimshme të ndërmarrë gjatë një periudhe kohore të caktuar. Fatkeqësisht çka mund të prisnim më tepër të dinim mungon në këtë pjesë të librit.

 

Duke parë këtë faqe të kopjes unike, cila është përshtypja juaj? Sigurisht që ju vijnë imazhe krahasimi…

Patjetër që vijnë në vëmendje versionet e konsultuara dhe gjykimet e shprehura mbi përmbajtjen fizike të librit. Në këtë pikë ndërhyjnë disa komponentë dhe përvoja jonë është ndërtuar kryesisht mbi botimet ekzistuese të librit, të realizuara në shekullin e kaluar. Kolofoni gjindet në botimin e Namik Ressulit (Romë, 1958) dhe në botimin kritik (përkatësisht versionin e transliteruar dhe të transkribuar të këtij botimi) të realizuar nga Eqrem Çabej (Meshari i Gjon Buzukut (1555), Tiranë, 1968). Sigurisht që varianti i transliteruar ka hollësi më teknike që paraqiten më të thjeshtuara në variantin gjegjës të transkribuar. Kjo sidomos në lidhje me ato shenja grafike që paraqesin më shumë vështirësi kodifikimi ndaj atyre më të njohura se i përkasin alfabetit latin.

Në këtë të fundit gjinden dhe shënimet shpjeguese të natyrës filologjike, të domosdoshme për një kuptim më të thelluar të tekstit. Por konsultimi i variantit të transliteruar lehtëson afrimin me faqen përkatëse në origjinalin, pra në vetë librin.

 

Në krah të Mesharit janë ekspozuar dhe dy kopje të fotografuara të tij (1929). Çfarë vëreni që ju tërheq vëmendjen në dallim me ekzemplarin?

Natyrisht që ka një lloj vëmendjeje në drejtim të dallimeve që mund të bien në sy. Besoj se këto dallime janë më tepër të natyrës teknike dhe kërkojnë vëzhgime më të thelluara të të gjitha varianteve, në të tjera kushte pune.

 

Në këtë ekspozitë Meshari ka si shoqërues botime nga autorë të tjerë të letërsisë së vjetër shqipe. Në ç’kontekst i shikoni?

Një ekspozim i tillë ka domethënie të veçantë, qoftë dhe për të vendosur “Mesharin” në një kontekst shkrimor vijimësie. Veprat që pasojnë “Mesharin” në këtë ekspozitë kanë histori të ndryshme në pikëpamje të rrethanave në të cilat janë botuar dhe të dhënave që njihen mbi secilën prej tyre. Për disa prej tyre shihet qartë se ka variante kësombllash, madje ndonjëra është ekspozuar pikërisht në faqen ku shihet se është dhënë leja e ribotimit të veprës (rasti i lejes imprimatur të Doktrinës së Budit për të cilën shprehet vetë Franciscus Blancus në gjuhën latine, një tekst mjaft domethënës dhe prekës njëkohësisht për shprehjet dhe delikatesën gjuhësore).

Dhe rasti i ekzemplarëve të veprës së Pjetër Bogdanit (1685) është po aq interesant. Në secilin ekzemplar shihet qartë shënimi Superiorum permissu, që tregon se për botimin e veprës është siguruar leja e eprorëve. Për botimin e mëvonë të veprës së Bogdanit gjithashtu të ekspozuar në të njëjtin ambient shihet qartë se kjo leje shënohet në gjuhën italiane. Teksti i mësipërm i shkruar në gjuhën latine nga Frang Bardhi është ndër më domethënësit dhe sepse përmban një vlerësim të qartë pozitiv për punën e Pjetër Budit me “Doktrinën e kërshtenë”. Për t’u vënë në dukje dhe arsyetimi i ekspozimit të kësombllave: ekspozita përmban në vijimësi pas origjinalit të Mesharit dhe dy kopjeve fotografike të tij një variant të veprës së Matrangës (1592) për të vijuar më pas me Budin (disa variante të “Doktrinës së Kërshtenë” dhe të veprave të tjera të tij), “Dicionarin latinisht-shqip” të Frang Bardhit (1635), veprën e këtij të fundit mbi Gjergj Kastriotin (1636), “Çetën e profetënve” të P. Bogdanin (mbizotërojnë kësombllat e vitit 1685), Koncilin e Arbënit (1706) në dy variante gjuhësore, Doktrinën e Kazazit (1743) dhe veprën e Jul Varibobës. Siç u tha më sipër, ndonjë vepër rezulton të ketë dhe më shumë se një variant qoftë dhe të të njëjtit botim dhe ky fakt gjithashtu bashkë me elementet tekstore plotësuese lehtëson mjaft dhe çështjen e studimit dhe të trajtimit shkencor të saj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency