Çfarë parashikon buxheti rekord për vitin 2013?

0

Blendi Hasani

Loading...

 

Nga investimet në infrastrukturë, deri te rritja e të ardhurave nga sektorët më jetikë

Hartuesit e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm, i cili sapo ka mbërritur në Kuvend, pasi ka kaluar në miratimin e Këshillit të Ministrave, janë bazuar në punën e tyre në disa drejtime, ndër të cilët më kryesori është sigurimi i rritjes së vazhdueshme, në kushtet e krizës globale. Edhe vitet e fundit, lufta dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare kanë qenë në këtë drejtim dhe rezultati ka qenë tejet pozitiv.

Disa nga politikat tatimore të hartuara/miratuara gjatë vitit 2012 do të fillojnë të ushtrojnë efektin e tyre gjatë vitit 2013. Të tilla janë:

Është propozuar dhe është në proces miratimi përjashtimi nga TVSH i makinerive dhe pajisjeve të importuara për kryerjen e investimeve me vlerë mbi 50 milionë lekë (për sektorin e fasonit dhe të agrobiznesit po shqyrtohet ulja e pragut për vlerën e investimit). Në këtë propozim është përfshirë edhe përjashtimi nga TVSH i lëndëve të para që përdoren për ndërtimin e hidrocentraleve, si hekur dhe çimento. Efekti në të ardhura për vitin 2013 është i papërfillshëm, pasi për këtë kategori mallrash aktualisht funksionon skema e shtyrjes se TVSH-se në import. Pritet miratimi i ndryshimeve brenda këtij viti.

Ndryshimi më i rëndësishëm i legjislacionit tatimor gjatë 2012 ka qenë miratimi i ligjit të ri për akcizat, që ndryshoi në mënyrë thelbësore mënyrën e administrimit të kësaj takse, duke ia kaluar këtë funksion administratës doganore dhe duke përafruar kuadrin ligjor me Acquis. Në kuadër të këtij ligji, pësoi ndryshime dhe struktura e taksimit për disa nga mallrat e forta, si birra, vera, pijet alkoolike.

 

Pullat fiskale

Që nga muaji mars 2012 ka nisur zbatimi i Projektit të Koncesionit të Pullave Fiskale, që gjithashtu ka ndryshuar procedurat e porositjes, prodhimit, shpërndarjes dhe kontrollit të pullave fiskale. Ecuria e projektit ka qenë e kënaqshme deri tani.

Ne grupin e “taksave nacionale” është përfshirë taksa e ambalazheve njëpërdorimshe të plastikës dhe qelqit, të cilat kanë qenë objekt i taksimit me akcizë. Ambalazhet e plastikës taksohen me 100 leke për kg, si në import ashtu dhe prodhimi vendas, ndërsa ambalazhet e qelqit taksohen me 50 lekë për kg. Tek Taksat Nacionale është propozuar përfshirja e një takse mbi eksportin e lëndës drusore, në masën 30% të çmimit të shitjes. Pritet miratimi i ndryshimit brenda këtij viti. Efekti i pritshëm 235 milionë lekë.

Është propozuar dhe është në proces miratimi heqja e tarifës doganore për kafen, si një kërkesë e ardhur nga grupet e interesit të industrisë përpunuese, për uljen e kostos së prodhimit të kafes së pjekur në vend. Efekti i pritshëm negativ 185 milionë lekë.

Gjatë 2012 ka vijuar puna për diskutimin e draftit të ligjit të ri për TVSH, i hartuar me asistencën franceze në kuadër të IPA 2007.

Viti 2012 ishte viti i parë i deklarimit integral të të ardhurave nga individët, për të ardhurat e realizuara gjatë 2011. Për këtë fazë të parë të zbatimit, skema është më “e thjeshtë” se ajo e përdorur në shumicën e vendeve të BE-se. Detyrimi për deklarim lind vetëm për nivele të ardhurash vjetore 2 milionë lekë ose më shumë. Nga politikëbërësit është konsideruar si mjet për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, dhe nuk pritet të ketë impakt të rëndësishëm mbi të ardhurat, të paktën për vitet e para të zbatimit. Skema parashikon disa kategori shpenzimesh të zbritshme, për të ardhura që nuk kalojnë një prag të caktuar.

 

Parashikimi i të ardhurave 2013

Të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2013 janë parashikuar duke u bazuar në ecurinë e treguesve makroekonomikë e fiskalë të vitit 2013, si dhe mbi kuadrin makroekonomik e fiskal 2013 – 2015. Supozimet kryesore për kryerjen e parashikimeve të të ardhurave të buxhetit të shtetit bazohen në:

Treguesit e rishikuar makroekonomikë për vitin 2013;

Ecurinë e deritanishme (janar – shtator 2012) të realizimit të të ardhurave për secilin zë; Pritshmërinë për realizimin e secilit zë të të ardhurave për të gjithë vitin 2012; Efektet e ndryshimit të politikës tatimore, të hartuara (në proces miratimi)/miratuar gjatë vitit 2012; Efektet pozitive të pritshmërisë së përmirësimit administrativ në mbledhjen e të ardhurave krahasuar në vitin 2012; Elementet specifike sipas zërave të të ardhurave, sjellja, ndërvarësia dhe korelimi tipik i tyre me variablat ekonomikë.

Bazuar në sa më lart, të ardhurat në buxhetin e vitit 2013 do të jenë si më poshtë: Totali i të ardhurave parashikohet në nivelin e 360.7 miliard lekë, me një rritje prej 5.8 për qind kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012, ose në nivelin 25.2 për qind të PBB, nga ku:

Të ardhurat nga tatimet e doganat parashikohet të jenë 255.2 miliard lekë, me një rritje prej 5.4 për qind krahasuar me të pritshmin për vitin 2012, ose rreth 17.8 për qind të PBB.

Të ardhurat nga fondet speciale, ku përfshihen kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe të ardhurat për kompensimin në vlerë të pronarëve parashikohen në 60.9 miliardë lekë, me një rritje prej 4.8 për qind krahasuar me të pritshmin për vitin 2012 ose rreth 4.3 për qind e PBB.

Parashikimi për të ardhurat nga pushteti lokal për vitin 2013 është 12 miliardë lekë me një rritje prej 5.5 për qind kundrejt të pritshmit për vitin 2012 ose rreth 0.8 për qind e PBB.

Të ardhurat jotatimore parashikohen në masën 20.6 miliardë lekë, 14.2% më pak se i pritshmi ose rreth 1.4% të PBB.

Të ardhurat nga ndihmat parashikohen rreth 12 miliardë lekë ose rreth 0.8 për qind e PBB.

 

Parashikimi i shpenzimeve 2013

Parashikimi i shpenzimeve është mbështetur në procedurat e buxhetimit mbi baza objektivash e produktesh, të vëna në zbatim në të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore dhe fondet speciale të tyre. Procesi i përgatitjes së projektbuxhetit të vitit 2013, në përputhje me kërkesat e ligjit organik të buxhetit, është pjesë e procesit të përgatitjes së dokumentit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2013-2015 (Faza II).

Bazuar në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe nivelin e burimeve të financimit të deficitit, shpenzimet totale buxhetore për vitin 2013 parashikohen në masën 409 miliardë lekë ose 28.6% e PBB-së. Burimet do të përdoren kryesisht: Për mbajtjen e deficitit buxhetor në nivelin 3.4% të PBB; rritjen e diferencuar të pagave në masën 2-5% (arsim e shëndetësi 3-4%); rritjen e diferencuar të pensioneve në masën 4% për qytetin dhe 5% për fshatin; mbajtjen e një ritmi të qëndrueshëm të investimeve publike në 5% të PBB.

 

Investimet në infrastrukturë

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do të vazhdojë të jetë në fokus, duke përfituar pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime publike. Kështu, për vitin 2013 ajo do të përfitojë 41.6 miliardë lekë ose rreth 58.4% të totalit të investimeve publike. Në projektbuxhetin 2013 parashikohet që 28.3% e investimeve publike për këtë ministri të jenë investime me financim të brendshëm. Në të njëjtën kohë, kjo ministri zë edhe pjesën më të madhe të financimit të huaj (rreth 64.5% të totalit të financimeve të huaja) kryesisht më projekte për ndërtim rrugësh. Këto fonde do të shërbejnë kryesisht në arritjen e objektivave të mëposhtëm:

Ndërtim dhe rehabilitim sipas standardeve të projektimit për 44 km rrugë të rrjetit kombëtar dhe sistemim asfaltim dhe riveshje për 14 km rrugë të rrjetit kombëtar.

Mirëmbajtje me koncesion e 2.9% të rrjetit kombëtar, dhe përmirësimi në rrjetin rrugor kombëtar i 8% të njollave të zeza të identifikuara. Kryerja e aktivitetit të nevojshëm për përditësimin vjetor të Planit Kombëtar të Transportit. Konsolidimin i Administratës Detare (Drejtorisë së Përgjithshme Detare) me struktura të plota sipas standardit të IMO-s. Përmirësimi i gjendjes së infrastrukturës hekurudhore nëpërmjet zëvendësimit të traversave në 3.34 km linjë, ndërrimit të traversave në 29 copë ndërruese. Rritja në masën 60% e standardeve dhe performancës së punës, së Organit Kombëtar të Incidenteve/Aksidenteve ajrore nëpërmjet investimeve në forcimin e kapaciteteve. Të sigurojë kushtet për rreth 17% të familjeve që kanë aplikuar pranë bashkive. Fillimi i punimeve për ndërtimin e venddepozitimit të mbetjeve të ngurta në Qarkun e Elbasanit, i cili do t’i shërbejë një popullsie prej 296.000 banorësh.

Zgjerimi dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të furnizimit me ujë nëpërmjet mbulimit me rrjet ujësjellësi në zonat urbanë në 93% dhe në zonat rurale në 70%.

 

 

 

 

Loading...