Berisha: Austria ishte dhe mbetet mbështetëse e aspiratave integruese të Shqipërisë

0

Ina Jano

Loading...

 

Kryeministri: Në vend, rritje të investimeve austriake, në fusha si energjetikë, hidrocentrale dhe banka

Kryeministri Berisha vlerësoi se Austria është dhe mbetet një nga vendet të cilat besojnë në aspirata integruese të Shqipërisë dhe nga ana tjetër tha se vendi duhet që të integrohet në Bashkimin Evropian vetëm për shkak të meritës. Në forumin ekonomik austriako-shqiptar, ai shprehu mirënjohjen dhe vlerësimet më të larta ndaj kombit dhe qeverisë austriake, ndërkohë që tha se nuk do të harrohet kurrë kontributi i këtij vendi në procesin e firmosje së MSA-së dhe po ashtu në liberalizimin e vizave. “Austria që prej fillimit ka mbështetur aspiratat tona për integrim në Bashkimin Evropian. Nuk ishte rastësi që gjatë Presidencës austriake vendi im nënshkroi MSA-në. Prej asaj kohe, duke e konsideruar atë si një kontratë historike të vendit tim me Bashkimin Evropian, qeveria shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë e angazhuar në reforma të thella dhe universale për të përmbushur standardet, kriteret dhe normat e kërkuara gjatë procesit të integrimit. Në këtë proces, dy vite më parë ne morëm liberalizimin e vizave. Unë e di shumë mirë që Austria ishte një mbështetëse dhe avokate e madhe e Shqipërisë, në një kohë ku kishte skepticizëm mbi performancën e vendit tim. Gjithashtu, jam i kënaqur që të pohoj sot se ndër të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, performanca e Shqipërisë ishte më e mira, edhe pse ka ende disa probleme, të cila i trajtojmë shumë seriozisht. Do të bëjmë çdo përpjekje që procesi i integrimit të jetë një proces i merituar. Shqiptarët, si komb, tregojnë mbështetjen më të madhe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Unë besoj se në shumë aspekte ata kanë një avantazh të madh, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve këtu janë të respektuara në masë”, – tha Berisha. Ndërkohë që një fokus të madh gjatë fjalës ai e vuri edhe në marrëdhëniet historike mes vendeve, duke nënvizuar se edhe kjo pjesë është shumë e rëndësishme pasi popujt tanë mbeten miq të vjetër”. Ky është një rast i veçantë për mua t’i shpreh mirënjohjen time të thellë dhe vlerësimet e mia të larta kombit austriak, qeverisë austriake, në këtë përvjetor të 20-të të bashkëpunimit miqësor midis dy vendeve dhe dy kombeve tona, për mbështetjen miqësore dhe ndihmën bujare që i kanë dhënë vendit tim përgjatë këtyre 20 viteve”, – shtoi kreu i ekzekutivit.

Investimet

Kryeministri Sali Berisha ka falënderuar Austrinë për mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë në të gjitha fushat dhe që ende vazhdon ta japë. I pranishëm në konferencën “20 vjet bashkëpunim me Austrinë”, shefi i qeverisë theksoi asistencën austriake në furnizimin me ujë, edukim, shëndet si edhe në procesin e integrimit. “Misionarët austriakë kanë qenë që nga fillimet duke punuar në vendet më të vështira, duke ndihmuar fëmijët, njerëzit e sëmurë, shkollat, spitalet, madje në një numër shumë të madh duke punuar si komunitete. Kam pasur privilegjin të njoh shumë nga këta misionarë. Austria ka ndihmuar shumë në edukimin në vend”, – u shpreh Kryeministri. Kompanitë austriake kanë investuar me sukses, në fushën e energjisë, infrastrukturës, minierave siç tha Berisha, ndërsa pavarësisht krizës investimet austriake janë rritur në Shqipëri. Berisha falënderoi kompanitë austriake për investimet në fushën e energjisë, infrastrukturës, minierave, të cilat sipas tij, pavarësisht krizës janë rritur. “Falënderojmë austriakët, ata janë shumë të suksesshëm në ndërtime hidrocentrale miniera etje. Investimet austriake pavarësisht krizës nuk janë ulur në Shqipëri, përkundrazi ato janë rritur. Për shkak edhe të rritjes së besimit që ata kanë tek vendi ynë. Qeveria është e vendosur t’i mbështetur ata, për t’i afruar më shumë ata që të jenë një histori suksesi”, – vijoi më tej ai.

 

Loading...