61 vota pro Shqipërisë, Parlamenti Evropian: Të merret statusi pa humbur kohë

0

Gëzim Saliu

Loading...

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian miraton rezolutën: Plotësoni 3 kushtet

Parlamenti Evropian konfirmon mbështetjen për Shqipërinë. Komisioni i Punëve të Jashtme të PE-së miratoi dje me 61 vota pro, 2 abstenime dhe 1 kundër raportin e Nikolaos Chountis, në bazë të të cilit shprehej vota pro e eurodeputetëve për marrjen e statusit kandidat nga ana e Shqipërisë. Nga ana tjetër, PE u ka bërë thirrje palëve politike në vend të arrijnë sa më parë konsensusin për të përmbushur reformat e kërkuara për integrimin.

 

Raporti

Sipas eurodeputetëve, Shqipërisë duhet t’i jepet pa vonesa të mëtejshme statusi i vendit kandidat në BE. Me votimin e rezolutës së djeshme, eurodeputetët kanë dhënë një mbështetje masive për tri amendamentet kyçe të raportit. Së pari, ata u bëjnë thirrje shteteve anëtare që t’i japin pa humbur kohë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pasi, sipas tyre, arritjet e vendit në këtë vit kanë qenë në një nivel të konsiderueshëm. Së dyti, eurodeputetët, me anë të rezolutës kërkuan përgjegjësi nga klasa politike shqiptare, në kuadër të përmbushjes së tri kushteve të mbetura pezull dhe së treti eurodeputetët konsideruan se zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 janë një test i rëndësishëm i pjekurisë së demokracisë së vendit. Në këtë kontekst, PE kërkoi nga të gjitha forcat politike të zhvillojnë fushatë dhe zgjedhje të lira e të ndershme dhe të punojnë së bashku për të përmirësuar klimën politike në vend. Rezoluta po ashtu u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të zbatojnë me korrektësi legjislacionin për zgjedhjet. Ndërkohë, raporti i përgatitur nga Nikolaos Chountis shpreh shqetësim për progresin e pamjaftueshëm në sistemin gjyqësor, ku nënvizohet kërkesa për zhvillimin e një drejtësie të pakorruptuar, të pavarur dhe transparente. Një rëndësi të veçantë, në këtë rezolutë, i kushtohet edhe lirisë së mediave, ku theksohet se duhet të jetë e standardeve ndërkombëtare dhe zbatimi i plotë legjislacionit. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh të gjithë progresin në mbrojtjen e minoriteteve, eurodeputetët theksuan nevojën e vazhdimin të përpjekjeve në këtë drejtim. Ata shprehën rezerva lidhur me nivelet e trafikimit të qenieve njerëzore, dhe i bënë thirrje qeverisë shqiptare ta luftojnë këtë fenomen. Po ashtu, PE kërkon më shumë përpjekje për të luftuar diskriminimin ndaj komunitetit rom, LGBT-së, dhe grupeve vulnerabël të shoqërisë. Në përfundim, rezoluta e miratuar e PE-së shpreh shqetësimin për papunësinë në vend dhe numrin e shqiptarëve që jetojnë në kushte varfërie, duke pohuar në të njëjtën kohë se vitet e fundit niveli i papunësisë ka pësuar ulje. Raporti i Parlamentit Evropian pritet të votohet në seancë plenare në muajin dhjetor në Strasburg, ndërkohë që vendimi përfundimtar për marrjen ose jo të statusit në formë të plotë do të merret nga Këshilli i Ministrave të BE-së në mesin e muajit dhjetor. Më 10 tetor, Komisioni Evropian i dha statusin e vendit kandidat Shqipërisë, por me kushtin që deri në dhjetor të jenë përmbushur tri kritere, përkatësisht votimi i projektligjit për Gjykatën e Lartë, përmbyllja e reformës parlamentare dhe votimi i projektligjit për statusin e nëpunësit civil. Për rreth dy muaj kohë, klasa politike shqiptare nuk arriti të gjente konsensusin për të përmbushur tri kushtet e Brukselit. Në këtë formë, sipas specialistëve të fushës, dy janë skenarët e mundshëm të KE-së për Shqipërinë. E para, që vendi do të marrë statusin kandidat, pavarësisht se opozita kushtëzoi tri ligjet me çështjen e Fierit dhe ato nuk u votuan dhe së dyti, vendosja e kushtit të zgjedhjeve të 2013-ës, për ta marrë plotësisht statusin, tetorin e ardhshëm.

Loading...