Vrasja në Klos, verifikim flirteve të viktimës me një kunatën e autorit

0

Prokuroria heton ngjarjen në dy pista hetimore, pasi familjet japin versione të ndryshme

Loading...

Thirrje për hakmarrje, policia merr në ruajtje familjet e të arrestuarve. I moshuari pëson atak

Elton Qyno

Hetimet për vrasjen makabre të 23-vjeçarit Fatjon Barmetaj janë shtrirë në dy drejtime, pasi policia dhe prokuroria e Matit gjatë ditës së djeshme kanë ngritur dyshime se Barmetaj është vrarë si pasojë e një flirti me kunatën e njërit prej autorëve të krimit. Ky version është i kundërti i atij që kanë deklaruar të afërmit e viktimës, duke pretenduar se djali i tyre Fatjon Barmetaj ka zënë aksidentalisht gruan e pronarit të lokalit me dashnorin e saj Fatjon Cami, i cili është edhe mik familje me shtetasin Astrit Boja. Hetuesit e çështjes kanë deklaruar se tashmë po hetojnë një version të kundërt të këtij por me karakter sentimental, duke verifikuar mundësinë e një lidhje intime mes viktimës dhe kunatës së pronarit të lokalit shtetasit Astrit Boja. Gjatë marrjes në pyetje, ky i fundit dhe 23-vjeçari Fatjon Cami, kanë treguar se vrasjen e kishin kryer dy-tri ditë më parë dhe se shkak i kësaj kanë qenë ngacmimet intime që viktima i ka bërë kunatës së Astrit Bojës. E reja, vizitonte shpesh lokalin ku punonte si kamerier viktima dhe për pasojë gjatë kësaj kohe mes tyre ka lindur një njohje. Në prani edhe të motrës së saj, adoleshentja ka qëndruar në ambientet e lokalit duke bashkëbiseduar shpeshherë me shtetasin 23-vjeçar Fatjon Barmetaj. Siç duket ky afrimitet nuk i ka pëlqyer pronarit të lokalit dhe kushëririt të tij, 23-vjeçar, dhe për pasojë ata së bashku kanë vendosur ta vrasin kamerierin Fatjon Barmetaj, duke e mbuluar më pas në tokë buzë shtratit të lumit.

Hetimet në dy pista

Për shkak se të dyja familjet kanë mbajtur qëndrime të kundërta rreth vrasjes makabre të 23-vjeçarit Barmetaj, prokuroria e Matit ka shtrirë hetimet në dy pista hetimore, duke verifikuar me imtësi çdo detaj të mundshme. Gjatë ditës së djeshme ishte planifikuar marrja në pyetje e gruas së pronarit të lokalit shtetasit Astrit Boja, por për shkak se vjehrrit të saj i kishte rënë atak kardiak dhe ishte shtruar në spital në gjendje të rëndë, ajo nuk ka qenë në gjendje të flasë para ekspertëve të policisë së Matit. Për shkak edhe të gjendjes psikologjike tepër të rënduar të rënduar seanca e pyetjes së saj nga policia është shtyrë për ditën e sotme. Ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje, dy personat e arrestuar kanë pretenduar se e kishin vrarë kamerierin, pasi ai ishte treguar i pabesë. Sipas tyre, Barmetaj ishte punësuar me mirëbesim në lokal, por pas disa kohësh ata kishin kuptuar se ai kishte shfrytëzuar vendin e punës, për të ngacmuar kunatën e njërit prej autorëve. Pavarësisht se të dyja pistat flasin për një histori sentimentale, aktualisht policia dhe prokuroria e Matit janë përqendruar në të dyja versionet, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.

Familja merret në ruajtje

Për shkak të gjendjes tepër të acaruar mes anëtarëve të dy familjeve Boja dhe Barmetaj është vendosur që në banesat e shtetasve të arrestuar Astrit Boja dhe Fatjon Cami të vihen efektivë policie, me qëllim ruajtjen e sigurisë së anëtarëve të tjerë të familjes. Kjo pasi gjatë ceremonisë së varrimit të 23-vjeçarit që u zhvillu ditën e djeshme, ka pasur persona që kanë bërë thirrje për hakmarrje ndaj familjarëve. Nisur nga kjo situatë policia e Matit ka marrë të gjitha masat e nevojshme, duke marrë në ruajtje familjarët e dy autorëve të krimit me qëllim shmangien e çdo akti tjetër kriminal.

Loading...