Tregu i punës, mundësi për moshat e reja, tkurret punësimi për të vjetrit

0

Sipas rezultateve, shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës e popullsisë15-64 vjeç është 62.2 për qind. Shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës për femrat vazhdon të jetë më e ulët sesa për meshkujt. Të punësuarit kundrejt një page zënë rreth 44 për qind të punësimit total

Loading...

Driçim Çaka

Të gjesh një vend pune nuk është e lehtë, por të jesh i moshuar dhe të gjesh një vend pune thuajse është e pamundur. Këto janë të dhënat më të fundit që kanë dalë nga Anketa e Forcave të Punës në Shqipëri. Sipas kësaj ankete, të rinjtë janë më të pëlqyeshëm nga punëmarrësit pavarësisht se dëshira e tyre për të punuar është e ulët. Ndërkohë, në kundërshtim me këtë gjë është kërkesa e lartë që kanë të moshuarit apo ajo që quhet mosha e thyer për të punuar, por nuk preferohen nga punëmarrësit që i shikojnë jo shumë të dobishëm si dhe të konsumuar. Sipas rezultateve, shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës e popullsisë15-64 vjeç është 62.2 për qind. Shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës për femrat vazhdon të jetë më e ulët sesa për meshkujt. Shkalla e aktivitetit për femrat ka ardhur në rënie të vazhdueshme nga viti 2007 në 2009, edhe pse me një ritëm të ulët, ndërsa në vitin 2010 vihet re një rritje e lehtë. Për meshkujt shkalla e aktivitetit gjatë viteve 2007-2010 mbetet pothuajse në të njëjtin nivel. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës vlerësohet të jetë 44.3 për qind, ndërsa për të rriturit (popullsia 30-64 vjeç) ky tregues është 74.4 për qind. Shkalla e ulët e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë është kryesisht për shkak të ndjekjes së shkollës. Nga të dhënat e më të fundit më 2010, 66.6 për qind e të rinjve nuk ishin pjesëmarrës në tregun e punës pasi ata ishin duke ndjekur shkollën. Shkalla e përgjithshme e punësimit në Shqipëri ndryshon pak mes viteve 2007 dhe 2010, së pari duke rënë nga 56.4 për qind në 53.8 për qind dhe më pas më 53.4 për qind në vitet 2009-2010.

Të punësuarit

Të punësuarit kundrejt një page zënë rreth 44 për qind të punësimit total. Përgjatë viteve 2007-2010 përqindja e të punësuarve me pagë ka ardhur në rritje (nga 34.6 për qind në vitin 2007 në 44 për qind në vitin 2010). Nga ana tjetër, të vetë-punësuarit pa të punësuar kundrejt një page dhe punëtorët pa pagesë të biznesit të familjes zënë respektivisht pothuajse 30 për qind të punësimit total. Lidhur me statusin në punësim ekzistojnë dallime gjinore karakteristike. Në vitin 2010, pothuajse gjysma e të punësuarve meshkuj ishin të punësuar me pagë, pak më shumë se një e treta e tyre ishin të vetë-punësuar pa të punësuar kundrejt një page dhe 13 për qind e tyre ishin punëtorë pa pagesë të familjes. Nga femrat e punësuara, 43.3 për qind e tyre ishin të punësuara si punëtore pa pagesë të familjes, 37.5 për qind të punësuara kundrejt një page, dhe rreth një e pesta të vetë-punësuara pa të punësuar kundrejt një page. Grupi i vogël i punëdhënësve praktikisht mbizotërohet nga burrat. Përgjatë viteve 2007-2010 tendenca në rritjen e numrit të të punësuarve me pagë reflektohet dhe tek të punësuarat femra, ndërsa nga viti 2008 përqindja e femrave të punësuara si punëtore pa pagesë në biznesin e familjes ka ardhur në rënie (nga 48.6 për qind në vitin 2008 në 46 për qind në vitin 2009 dhe në 43.3 për qind në vitin 2010).

Papunësia

Ndërmjet viteve 2007 dhe 2010 shkalla e përgjithshme e papunësisë në Shqipëri ka treguar vetëm luhatje të vogla në një interval relativisht të ngushtë mes 13 dhe 14 për qind (shih Tabelën 4). Ky stabilitet është rezultat i dy trendeve të kundërta. Ndërsa përqindja e meshkujve që kërkojnë punë ka rënë nga 14.4 në 12.5 për qind në 12.2 për qind dhe në 2010 shkon në 12.8 për qind, për femrat ajo është rritur nga 12.2 në 13.9 dhe në 15.9 për qind për vitet 2009-2010. Statistikisht papunësia afatgjatë përcaktohet nga një kohëzgjatje prej 12 muajsh e më shumë.
Përgjatë viteve 2008-2010 shkalla e papunësisë afatgjatë ka ardhur në rritje nga 8.5 në vitin 2008, në 9.1 në vitin 2009 dhe në 10.6 për qind në vitin 2010. Shkalla e papunësisë sipas grup-moshave sillet në mënyrë shumë të ngjashme gjatë viteve 2007-2010. Analiza e shkallës së papunësisë për secilin vit tregon ndryshime sistematike mes grupmoshave, si në rastin e shkallës së punësimit, por tashmë në një formë tjetër. Kështu, kurba e shkallës së papunësisë fillon në një shkallë të lartë papunësie prej 25 për qind apo më shumë për më të rinjtë dhe pastaj merr një formë hiperbolike në një nivel më të ulët mes 10 dhe 15 për qind për grup-moshat e mesit.

Sektorët e punësimit

Sektori i bujqësisë (ku përfshihen dhe pyjet e peshkimi) ishte sektori mbizotërues i punësimit në Shqipëri ndërmjet viteve 2007 dhe 2010, edhe pse me një rënie të lehtë nga 47.6 për qind në vitin 2007, në 43.9 për qind në vitin 2008, dhe në 42.5 për qind në vitin 2010. Sektori i industrisë zë rreth 21 për qind të punësimit total, shërbimet e tregut 21 për qind, dhe shërbimet jo të tregut 16.5 për qind. Ndërmjet viteve 2007 dhe 2010 ka pasur disa luhatje të lehta të këtyre përqindjeve, por nuk ka një trend të qëndrueshëm. Aktivitetet industriale (sidomos ndërtimi dhe industria nxjerrëse, me përjashtim të industrisë përpunuese) në mënyrë të qartë janë sektorë ku dominojnë të punësuarit meshkuj. Kjo është e vërtetë në një shkallë më të ulët dhe për shërbimet e tregut (me përjashtim të shërbimeve financiare). Ndërsa e kundërta ndodh në sektorin e shërbimeve jo të tregut ku përqindja e femrave të punësuara është paksa më e lartë sesa përqindja e meshkujve të punësuar kryesisht sepse femrat dominojnë në sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë, por janë të nën-përfaqësuara në sektorët e administrimit publik dhe mbrojtjes. Sektori i industrisë përbëhet nga seksionet C-F (industria nxjerrëse; industria përpunuese, prodhimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike, e gazit, e avullit dhe e ujit; ndërtimi). Sektori i shërbimeve të tregut përbëhet nga seksionet G-K (tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automobilave; hotele dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme). Sektori i shërbimeve jo të tregut përbëhet nga seksionet L-Q (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv, social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare).

Popullsi aktive

Popullsia ekonomikisht joaktive përbëhet nga të gjithë personat të cilët nuk janë të punësuar apo të papunë. Një krahasim mes meshkujve dhe femrave në grup-moshat e mëdha (15-29, 30-64, dhe 15-64) sipas “statusit të aktivitetit kryesor” të vetëperceptuar nga ana e tyre nxjerr në pah një përqendrim mbi statusin tipik sipas moshës dhe gjinisë. Kështu, 67.5 për qind e të rinjve ekonomikisht joaktivë në vitin 2010 deklaruan që janë nxënës/studentë ose në trajnim. Pak më shumë se 18 për qind e popullsisë ekonomikisht jo aktive janë duke përmbushur detyrat shtëpiake, ndërsa 14.2 për qind deklaruan që besojnë që nuk ka punë të disponueshëm.

Loading...