TAP, projektuesit, të shqetësuar për mjedisin

0

Gazsjellësi Trans Adriatik do të diskutojë ndikimin mjedisor e social me komunitetet vendore në Shqipëri

Loading...

 

Blendi Hasani

Si pjesë e veprimtarive të tij, për angazhimin e palëve të interesuara, TAP-i po bën publik përmbajtjen e raportit të VNMS-së për komunitetet vendore në Shqipëri. Banorët e zonave që mund të preken nga gazsjellësi janë të ftuar të japin mendimet dhe komentet e tyre, të cilat do të përfshihen në hartimin e projektit.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt gazsjellësi për gaz natyror. Gazsjellësi TAP do të transportojë gaz nga rajoni i Kaspikut nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmes detit Adriatik për në Italinë e jugut dhe më tej për në Evropën Perëndimore. TAP-i do të hyjë në Shqipëri nga Greqia në komunën Qendër të Bilishtit në Qarkun e Korçës. Dalja në det do të jetë në zonën bregdetare në veri të Fierit.
Pas disa viteve punë, për përzgjedhjen dhe përmirësimin e gjurmës në Shqipëri, TAP-i ka përfunduar vlerësimin për ndikimin në mjedis dhe social (VNMS) dhe po përgatitet që t’ia dorëzojë atë autoriteteve shqiptare. Procesi i VNMS-së ka përfunduar dhe raporti është hartuar nga një grup ekspertësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe në pajtim me politikën mjedisore dhe sociale të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Objektivi i VNMS-së është vlerësimi i ndikimeve të mundshme të Projektit në mjedis, në trashëgiminë kulturore dhe në burimet socio-ekonomike, si dhe hartimi i masave për shmangien, zvogëlimin apo zbutjen e ndikimeve negative.
Në këtë kuadër TAP-i po bën publik dokumentin e VNMS-së për të gjitha komunitetet e prekura përgjatë gjurmës së gazsjellësit me qëllim që të sigurohet se pikëpamjet e palëve vendore, të interesuara mbi ndikimet dhe masat zbutëse, të përfshihen në hartimin e Projektit të gazsjellësit.
Ekipi i TAP-it në javët e ardhshme do të organizojë 22 takime informimi mbi VNMS-në në Shqipëri. Takimet me komunitetet vendore do të nisin më 19 nëntor në Shqipërinë lindore (rrethi i Korçës) dhe do të përfundojnë më 7 dhjetor në Shqipërinë perëndimore (rrethi i Fierit). Njoftimi publik për datën dhe vendin e mbledhjeve është publikuar nga mediat vendore. Më 8 Dhjetor do të organizohet në Tiranë një takim informimi mbi VNMS-në e Projektit TAP me OJF-të aktive në Shqipëri dhe palë të tjera të interesuara.
TAP-i e nisi procesin e dorëzimit zyrtar të VNMS-së në Shqipëri në prill të vitit 2009. TAP-i dorëzoi tek autoritetet shqiptare raportin studimor të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe social dhe po përgatitet që ta paraqesë këtë raport të plotë në fillim të vitit 2013.

Albert Haak, menaxher i TAP-it për Shqipërinë tha: “TAP-i është i angazhuar për komunikim të hapur dhe transparent. Ne me padurim po presim që t’ia paraqesim këtë dokument të rëndësishëm komuniteteve në Shqipëri dhe të dëgjojmë komentet e tyre. Është e rëndësishme për ne që ta zhvillojmë këtë gazsjellës në dialog të vazhdueshëm me ta, duke u siguruar që të trajtohen të gjitha shqetësimet dhe t’u jepet përgjigje të gjitha pyetjeve”.

Gjurma e propozuar e TAP-it në Shqipëri

Gjurma e TAP-it në Shqipëri u identifikua gjatë studimeve ekstensive për përmirësimin e gjurmës së gazsjellësit në periudhën 2009-2012. Në veçanti, vëmendje e posaçme iu kushtua shmangies së habitateve të ndjeshme natyrore.
Gazsjellësi TAP në Shqipëri do të ketë një gjatësi rreth 209 km në tokë dhe 60 km në det në seksionin shqiptar të detit Adriatik.
TAP-i do të jetë një nga investimet e huaja të drejtpërdrejta më të mëdha në Shqipëri dhe do të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës energjetike të vendit dhe si rrjedhojë do të nxisë rritjen ekonomike përmes krijimit të punësimit dhe zhvillimit të aftësive vendore.
TAP-i është në pritje për t’u përzgjedhur si zgjidhja e preferuar për transportin e gazit nga konsorciumi Shah Deniz në Azerbajxhan në vitin 2013. Sapo të merret vendimi përfundimtar për gazsjellësin dhe të bëhen të gjitha miratimet e nevojshme, TAP-i do të fillojë ndërtimin (pritet në 2015).

Rreth TAP-it

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt gazsjellësi për gaz natyror. Gazsjellësi do të transportojë gaz nga rajoni i Kaspikut nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmes detit Adriatik për në Italinë e jugut dhe më tej për në Evropën Perëndimore. Projekti synon rritjen e sigurisë së furnizimit si dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz për tregjet evropiane. TAP-i do të hapë një të ashtuquajtur Korridor Jugor Gazi për në Evropë dhe do të krijojë një rrugëdalje të re në treg për gazin natyror nga deti Kaspik.
Projekti është hartuar për të zgjeruar kapacitetin e transportit nga 10 në 20 miliardë metër kub në vit. TAP-i gjithashtu parashikon rrjedhjen fizike në të kundërt deri në 80 për qind dhe opsionin për të ngritur objekte të depozitimit të gazit natyror në Shqipëri për të siguruar edhe më tej sigurinë e furnizimit gjatë ndonjë ndërprerjeje operacionale të furnizimeve të gazit.
Aksionarët e TAP-it janë shoqëria zvicerane, Axpo (42.5%), shoqëria norvegjeze, Statoil (42.5%) dhe shoqëria gjermane E.ON Ruhrgas (15%).

Loading...