Shtatorja e Adem Jasharit, Krasniqi përgëzon Bashën: Nderon të gjithë shqiptarët

0
687

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, shprehu kënaqësinë që priste në bashki, në këtë 100-vjetor të pavarësisë, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, me një kontribut të rëndësishëm në luftën për çlirimin e Kosovës

Një shtatorë e re në bronz për komandantin legjendar të Kosovës, Adem Jashari, do të vendoset në Tiranë më 27 nëntor. Në një ceremoni të veçantë, pritet të marrin pjesë drejtues të lartë të qeverisë së Kosovës, Shqipërisë, pjesëmarrës në luftën e UÇK-së dhe familjarë të të rënëve në këtë luftë. Vlerësimet për nismën e Bashës për vendosën e shtatores së Adem Jasharit, i dha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin në një takim të posaçëm mbajtur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në zyrën e tij.

Takimi

“Në këtë 100-vjetor, shqiptarët janë më pranë së kurrë me njëri-tjetrin”, – tha z. Krasniqi, duke iu referuar Rrugës së Kombit dhe vazhdimit të saj, nga Morini drejt Prishtinës. “Erdhëm në më pak se tri orë në Tiranë dhe kjo është një mrekulli që s’e kisha menduar kurrë më parë se mund të realizohej. Kam 40 vjet i angazhuar në politikë, por një gjë të tillë s’e kisha menduar së mund të realizohej”, – u shpreh Krasniqi. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, shprehu kënaqësinë që priste në bashki, në këtë 100-vjetor të pavarësisë, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, me një kontribut të rëndësishëm në luftën për çlirimin e Kosovës. “Në këtë 100-vjetor të pavarësisë, – tha Basha, – Bashkia e Tiranës ka vendosur që pjesë e aktiviteteve të rëndësishme, të jetë edhe vendosja në Tiranë e shtatores së simbolit të qëndresës së shqiptarëve për liri, komandantit legjendar Adem Jashari. Flijimi i familjes Jashari ishte akt historik i pakrahasueshëm në historinë tonë. Vendosja e shtatores së Adem Jasharit është një homazh që i bëhet atij dhe të gjithë luftëtarëve që ranë për lirinë e Kosovës”, – theksoi kryebashkiaku Basha. Z. Basha ka ftuar edhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, të jetë pjesë e kësaj ceremonie. Në këtë ceremoni që do të mbahet me nderet më të larta ushtarake, më 27 nëntor, do të marrin pjesë drejtues të lartë nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, pjesëmarrës në luftën e UÇK-së dhe familjarë të të rënëve në këtë luftë. Krasniqi ka vlerësuar këtë vendim të kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha, si një vlerësim për të gjithë luftëtarët që ranë për lirinë e Kosovës. Rënia e Adem Jasharit, sipas z. Krasniqi, mobilizoi gjithë kombin në luftën e Kosovës. Flijimi i tre brezave, siç ndodhi me familjen Jashari, është një akt i paprecedentë në historinë botërore, prandaj, sipas kreut të Kuvendit të Kosovës, vendosja e shtatores së Adem Jasharit në Tiranë u bën ndër të gjithë shqiptarëve. “Deri më sot kemi përqendruar të gjithë energjinë tek ekzistenca e shqiptarëve, – tha Basha, – tani është koha të planifikojmë të ardhmen”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e ka njohur z. Krasniqi edhe me idenë e tij për krijimin e Asamblesë së Pushteteve Vendore Shqiptare, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e më gjerë. Kjo asamble synon të rrisë bashkëpunimin mes të zgjedhurve vendorë, në të mirë të qyteteve.

Shtatorja

Shtatorja e re e Adem Jasharit do të jetë në bronz. Shtatorja do të përurohet me rastin e festës dhe bashkë me të pritet që për qytetarët e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarët e trojeve që do të vizitojnë Tiranën, të vendoset për 100-vjetor një shtatore e Ismail Qemalit dhe një tjetër e Ahmet Zogut. Shtatorët e këtyre figurave u vendosën që të ngriheshin në vitin jubilar, me shumicë votash në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency