Sanino: Drita jeshile për statusin, vetëm pas miratimit të tri ligjeve

0

Drejtori i Zgjerimit në KE: Plotësoni detyrimet, qoftë edhe në kufijtë kohorë

Loading...

Panariti, thirrje nga Brukseli për votimin e ligjeve nga opozita

Ina Jano

Hapat pozitivë dhe progresi që ka arritur deri më tani Shqipëria nuk duhet të humbasin për shkak të mosmiratimit të ligjeve. Vetëm plotësimi i rekomandimeve të bëra nga ana e Komisionit Evropian do të mundësonin hapjen e dritës jeshile dhe dhënien e statusit të vendit kandidatë, çka nënkupton miratimin e tri ligjeve me konsensus që kanë mbetur në Parlament. Kështu deklaroi dje drejtori i Zgjerimit në KE, Stefano Sanino, i cili gjatë një takimi të posaçëm me shefin e diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, u shpreh se vendi duhet të arrijë të plotësojë kushtet qoftë edhe në kufijtë kohorë të lejuar. Sanino gjatë takimit nënvizoi edhe një herë faktin se miratimi i tre ligjeve hap dritën jeshile për statusin dhe për këtë, ka shtuar ai, duhen rezultate konkrete dhe të shpejta për zbatimin e rekomandimeve të mbetura. Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe ministri Panariti, i cili u ka bërë thirrje forcave politike për të treguar përgjegjshmëri për marrjen e statusit, i cili sipas tij do të qetësonte klimën politike në vend. “Bëhet fjalë për ligje, të cilat apriori, në nivel të komisioneve, kanë pasur konsensus të plotë nga dy formacionet kryesore politike. Dëshiroj të shpresoj që edhe në këta kufij të ngushtë kohorë që kemi ne dispozicion ky kompromis të arrihet”, – tha Panariti. Ky i fundit u ka bërë thirrje forcave politike për të treguar përgjegjshmëri për marrjen e statusit, i cili sipas tij do të qetësonte klimën politike në vend. “Forcat politike duhet të kuptojnë rëndësinë e zgjidhjes së situatës. Shpresoj në një zgjidhje për të mirën e vendit”, – vijoi ministri.
Ky i fundit ndodhet në Bruksel ku do të marrë pjesë në takimin ministerial për nismën adriatiko-joniane. Takimi organizohet nga Komisioni Evropian, komisioneri për Çështjet Rajonale, Johannes Hahn, dhe në të do të marrin pjesë Ministrat e Jashtëm të Italisë, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi, Serbisë, Sllovenisë dhe Greqisë. Synimi i këtij takimi është diskutimi midis Komisionit Evropian dhe vendeve të këtij rajoni mbi implikimet e mundshme të një strategjie makro-rajonale për rajonin adriatiko-jonian. Takimi do të përbëjë një mundësi mjaft të mirë që vendet e këtij rajoni, së bashku me Komisionin Evropian, të diskutojnë për të çuar përpara bashkëpunimin në fusha të tilla, si: mbrojtja e mjedisit, transporti, peshkimi etj. Panariti duke u ndalur në takim që pati me homologun serb tha se ka shprehur dëshirën e tij që ai të jetë sa më shpejt në Tiranë dhe që bashkëpunimi mes të dy vendeve mos të mbetet vetëm në fazën e deklaratave por të ketë projekte konkrete, që do të bënin të mundur edhe marrëdhënie bilaterale të mira dhe që sigurisht do të shoqëroheshin nga marrëveshje konkrete. Gjatë qëndrimit në Bruksel, ndër të tjera, ministri Panariti takoi ministrat e Jashtëm të Italisë dhe të Sllovenisë, vende këto mbështetëse të Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Loading...