Qemal Bej Karaosmani: udhërrëfyesi i prijësit

0

Çelo Hoxha

Në vjeshtën e vitit 1912 shtetet ballkanike ishin përfshirë në luftën që njihet si Lufta e Parë Ballkanike. Shqiptarët qëndruan asnjanës, me mendjen më tepër te krijimi i shtetit të tyre i pavarur, megjithatë trojet e tyre u shkelën nga të gjitha ushtritë e vendeve fqinje, të cilat, veç përzënies së Perandorisë Osmane nga Ballkani, me synimin të përfitonin nga territore që ata i konsideronin të ishin, por nuk ishin më shumë seç kishin qenë territoret e këtyre shteteve para se të fitonin pavarësinë, territore osmane. Të lëvizje brenda territoreve shqiptare, sidomos me idenë e Ismail bej Vlorës për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, ishte një sipërmarrje e vështirë, nëse nuk ishe, kuptohet, i shoqëruar nga personat e përshtatshëm. Rruga Durrës – Vlorë, që ishte itinerari vendas i delegacionit të pavarësisë kishte dhe një pengesë tjetër: “shinat që s’prajshin”.Në 10 nëntor 1912, Elmas Kanina dhe Et’hem Vlora i dërguan Bashkisë së Beratit një telegram që lajmëronte ardhjen e Ismal bej Vlorës në Durrës. Ky telegram kishte si mesazh përmbajtjen e një telegrami tjetër, të cilin paria e Vlorës e kishte marrë prej Vjenës, më 27 vjeshta e dytë (9 nëntor me kalendarin e ri): “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës asht sigurue. Ju porosis qi tyke i u-mbështetun fatit t’atdheut të punoni së bashku e si vllezën, të merreni me rregullimin e punëvet të përgjithshme, edhe të ruani qetësiën. I epni rrethevet lajmen e gëzueshme. Ju falem të gjithve atënisht. Ismail Qemal”.
Pak ditë më vonë, Aziz pashë Vrioni mori një telegram tjetër nga Vlora, me firmën e Bektash Cakranit.
“E ardhmja e Shqipëniës u sigurua. Shkëlqesia e Tija Ismail Qemal Beu me shokët e Tija të ndershëm, janë nisë prej Budapeste drejtë për këtu, qi të gjinden në Mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare e cila do të bahet në Vlonë, edhe kanë lajmue telegrafikisht se nesër mbërrijnë në Durrës. Në telegrammët qi erth, porosit qi të dërgohen atje karroca ose kual për të hypun, prej Berati. Ne prej këtei, zumë me dërgue kual. Mirë po, nga shkaku qi Viosa ka ardhë shum e nuk ka va, karrocat e kualt, qi pa fjalë nesër mbrama duhet të gjinden në Durrës shifet nevoja të dërgohen nga Berati. Prandaj lutemi të gjithë kini mirësiën me i gjetë aty e me i dërgue edhe na lajmoni me të shpejtë. Bektash Cakrani”. Telegrami, i publikuar për herë të parë nga Lef Nosi në serinë e dokumenteve që ai botoi në 1924-1925, mban datën 19 nëntor.
Falë motit të keq, parisë së Beratit iu ngarkua misioni më i vështirë në jetën e shumë personazheve dhe më i rëndësishmi jo vetëm për fatin e tyre, por të të gjithë shqiptarëve: garantimi i sigurisë së themeluesit të shtetit. Detyra historike iu ngarkua Qemal bej Karaosmanit, i cili atë kohë ndodhej në Berat me detyrën e shefit të kadastrës. Me katër besnikë të tij dhe tre kuaj rezervë, të nesërmen Qemal Beu nisi udhëtimin historik. Dita ishte me shi; e enjte, 21 nëntor.
Natën e parë fjetën në Lushnjë, në çifligun e Qemal Beut. Të nesërmen u nisën me natë, ngaqë dita ishte e shkurtër; në Durrës mbërritën në darkë vonë. Natën e kaluan aty. Ismail Beu ishte vendosur në hotelin e Azis pashë Vrionit, buzë detit.
Plani më i afërt që bënë atë natë ishte udhëtimi të nesërmen. Mundësitë ishin dy: të kalonin nga Lushnja ose Karatopraku. Varianti i parë ishte më i pëlqyeshmi, sepse ishte më lehtë për të udhëtuar për të gjithë dhe, përveç kësaj, Qemal Beu realizonte dhe një dëshirë të lushnjarëve, të cilët i kishin kërkuar dhe ai ua kishte premtuar, t’u çonte në qytetin e tyre Atin e Pavarësisë.

Nga Durrësi u nisën vonë, 23 nëntor.

Meqenëse Lushnja ishte larg, Qemal bej Karaosmani i nisi një telegram Bexhet Beut në Çermë: “Sot po nisemi dhe po vijmë aty, jemi ma tepër se njëzet vetë. Pra, pregatituni dhe na bani vend ke Dervish Beu ose në shpië tuaj. Në dashtë zoti mbrama jemi aty”. Atë natë e kaluan në Çermë.
Udhëtimi nuk kishte pengesë vetëm motin. Te ura e Darçit, sa dolën nga Kavaja, delegacioni i pavarësisë u takua me Nebi Sefën. Ky e tërhoqi mënjanë Qemal Beun dhe i tha se e kishte dërguar Emin bej Vokopola dhe komandanti i xhandarmërisë së Lushnjës, Ibrahim efendi Borshi, të cilët i kishin komunikuar telegramin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë së Janinës: “Ismail Qemal Beun me gjithë shokë ose gjallë ose të vdekë t’a shtini në dorë”. Pasi kishte marrë këtë telegram, komandanti i xhandarmërisë kishte bërë dy veprime: dërgoi në Gramsh të Lushnjës një forcë ushtarake për të arrestuar Ismail Beun dhe, nga ana tjetër, njoftoi firmëtarin e ardhshëm të pavarësisë, Nebi Sefën, të lajmëronte delegacionin e Ismail Qemal Beut.
Në këtë kohë mbërriti një letër nga Berati, e dërguar nga Azis pashë Vrioni dhe Baki efendi Gjirokastra. Letra kishte telegramin e Janinës, që kërkonte Ismail Beun gjallë ose vdekur, dhe një këshillë, nga Azis Pasha, që Ismail Beu të hynte në konsullatën e austriake për të shpëtuar veten. Informacionin e mori i pari përgjegjësi i udhëtimit, Qemal bej Karaosmani.
Pasi u informua, Ismail Beu u mendua pesë minuta, pastaj dha një përgjigje që duhet të ngulitet në kujtesën e çdo shqiptari, me detyrim, si shenjë e sakrificës në shërbim të kombit. Variantin e strehimit në konsullatë e hodhi poshtë, tashmë ai e identifikonte veten me Shqipërinë: “Në qoftë se unë kthehem prej këndej e hyj në konsullatë ose iki e shpëtoj vehten t’ime, ideja ime për shpëtimin e Atdheut fluturon e ikën me mua”.
Nëse rruga vazhdonte, ai i garantoi që vetëm fitohej: ose pavarësia, ose një hero. “Në qoftë se ia mbërrijmë Vlonës, dëshira jonë plotësohet e në qoftëse do vritem atëherë bahem dëshmor e theror i Atdheut”.
Atë natë në Çermë, çështja e drejtimit të udhëtimit dominoi bisedën. Nga t’ia mbanin, nga Lushnja ku ishin të rrezikuar nga xhandarët, apo nga Karatopraku ku i kërcënonte uji deri në shalë të kalit. Të nesërmen, 24 nëntor, megjithëse erdhi një telegram qetësues nga Janina, i cili këshillonte që Ismail Beu të mirëpritej dhe nderohej, me urtësinë e plakut, ai zgjodhi rrugën e kërcënuar nga ujërat, duke mos i zënë besë, pasi u këshillua dhe me Qemal Beun, telegramit të dytë nga Janina.

Natën tjetër e kaluan në Libofshë, në shtëpinë e Nedim bej Leskovikut.

Rrugës për në Fier, te ludra e Petovës, u takuan me delegatët e Elbasanit dhe Kosovës: Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mid’hat Frashëri, Salih Gjuka dhe Bedri Pejani. Xhandarët që ndeshnin gjatë rrugës i afroheshin Atit të Pavarësisë e i puthnin dorën. Në Fier Ismail Beu së bashku me Qemal Beun kaluan një kohë të gjatë në zyrën e telegrafës, ku, mes mesazheve të shumta, mbërriti dhe një telegram nga populli i Elbasanit që njoftonte se e kishin zgjedhur Qemal bej Karaosmanin si delegat të tyre në Kuvendin e Vlorës. Në darkë vonë, 25 nëntor, delegacioni mbërriti në Vlorë.
Dy-tri ditë pas ngritjes së flamurit, Qemal bej Karaosmani kujtoi, siç thotë vetë, se e kishte përfunduar misionin e tij, por Ismail Beu, tashmë kryeministër, i shpjegoi se ai kishte nevojë për njerëz me karakterin dhe besnikërinë e tij. Detyra e parë në administratë e shtetit shqiptar ishte Këshilltar dhe Kryesekretar i Kryesisë së Shtetit. Pa u mbushur viti, pasi ministri i Bujqësisë Abdi bej Toptani kishte dhënë dorëheqjen në korrik 1913, Qemal Karaosmani u emërua ministër i Bujqësisë. Në kujtimet e tij, Qemal Beu tregon se arsyeja e largimit të tij nga Vlora, por që nuk iu pranua nga Ismail Beu, kishte qenë ideja për t’u lënë të merreshin me punët e qeverisjes njerëz “persona me kulturë të cilët meritojnë për kësi detyre”. Duke iu referuar shkollimit të tij, modestia që ka treguar duket e tepruar. Qemal Beu kishte mbaruar shkollën e mesme në Stamboll dhe po aty kishte vazhduar universitetin, ku u diplomua për Administratë Civile dhe Ekonomi.
Nga themelimi i shtetit shqiptar, Qemal bej Karaosmani ruajti arkivën, flamurin dhe penën e Pavarësisë. Sipas pasardhësve të tij, flamuri iu dhurua më vonë shqiptarëve të Bostonit, ndërsa pena dhe arkiva u dorëzuan nga pasardhësit respektivisht në Muzeun Kombëtar dhe Arkivin Qendror të Shtetit.
Me rolin e tij të spikatur në procesin e shpalljes së pavarësisë ishte e kuptueshme që Qemal bej Karaosmani të bëhej personazh edhe në zhvillimet politike të ardhshme të Shqipërisë. Në mars 1916 Qemal bej Karaosmani ai ishte një nga organizatorët e Kongresit të Elbasanit, i cili synonte, mes të tjerash, përcaktimin e mënyrës së qeverisjes së vendit deri në kthimin e mbretit, i njohur si Princ Vidi, i cili nuk u kthye më kurrë; në 1920, ai ishte një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës, i cili hodhi përfundimisht themelet e shtetit shqiptar; më vonë shërbeu si deputet etj.
Por, ngritja e Shqipërisë ishte ashtu siç nisi: një mision fisnik në një terren gjeopolitik të vështirë. Mbretëria shqiptare nuk zgjati, në 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, pastaj nga gjermanët e në fund frenat e shtetit i mori një grup kriminelësh shqiptarë. Komunistët vepruan kundër gjithçkaje për të cilën shqiptarët kishin qenë krenarë: pasurisë, dijes dhe shqiptarizmit.
Me Qemal bej Karaosmanin regjimi komunist u soll si me të gjitha reliktet e çmuara të kombit. Familja e tij u zhvendos nga shtëpia me 40 dhoma në Elbasan në një shtëpi të vogël në Kavajë, e detyruar të jetonte së bashku me familjen e shtëpisë. Në 1949, ai vdiq i lënë jashtë vëmendjes së shtetit shqiptar, pavarësisht nga kontributi i tij i shquar në themelimin e vetë shtetit. Një film që u bë gjatë regjimit komunist në lidhje me këtë udhëtim, Nëntori i Dytë, është thuajse krejtësisht i devijuar nga e vërteta historike.
Pasardhësit, gjithashtu, iu nënshtruan persekutimit për arsyen e vetme se i përkisnin një familjeje të shquar. Për të rrokur përmasën e ndëshkimit ndaj njerëzve të shquar mjafton një detaj i vitit 1982, kur nipi i Qemal bej Karaosmanit deshi t’i vendoste foshnjës së tij emrin e stërgjyshit të shquar. Gjendja civile nuk e pranoi atë emër dhe stërnipi i firmëtarit të pavarësisë u thirr me dy emra: Ermal në publik dhe Qemal në shtëpi. Vetëm pas rrëzimit të diktaturës komuniste, ky djalë e mbajti dhe vazhdon ta mbajë lirshëm emrin shquar: Qemal Karaosmani.

Shënim: Për këtë artikull janë konsultuar disa burime. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Burimet e konsultuara janë: gazeta Arbënia, nr. 427, 28 nëntor 1936; gazeta Liri e Shqipëris, 22 korrik 1913; dokumente të botuara: Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja “Nënë Tereza”, Tiranë. Përveç këtyre botimeve, për këtë artikull është shfrytëzuar edhe një bisedë imja me Qemal Karaosmanin (i Riu), 9 mars 2012, si dhe intervistat e tij dhe të Nebi Sefës (i Riu), nipi i Qemal Karaosmanit dhe Nebi Sefës, dhënë në media të ndryshme të Tiranës.