Mjekimi i gabuar, mjekët do të dëmshpërblejnë pacientët

0

Kreu i QKCSA-së, Isuf Kalo: Problem, ka spitale të paakredituara
Hana: Pacientët kanë fituar disa gjyqe, kemi dëmshpërblyer shuma të mëdha

Blerta Mrishaj

Në rast gabimi mjekësor apo dëmtim të shëndetit, mjekët do të dëmshpërblejnë pacientët. Vetëm në dy vitet e fundit janë paditur në gjykatë dy spitale shtetërore, përkatësisht dy raste në Vlorë dhe një tjetër rast në Lushnjë. Këto tri procese janë të fituara nga pacientë për mjekim të gabuar. Për këtë shteti ka paguar një vlerë totale mbi 30 milionë lekë dëmshpërblim. Nisur nga shtimi i fenomenit, Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor ka vendosur që të hartojë një ligj, në të cilin të sigurojë profesionin e mjekut, sipas të cilit, ky i fundit do të paguajë për çdo gabim mjekësor. Drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana, ka deklaruar se nuk do të shpenzohet asnjë qindarkë nga arka e shtetit, por do të jenë vetë bluzat e bardha që paguajnë për dëmin e bërë. Nga ana tjetër, kreu i Qendrës Kombëtare të Akreditimit, Isuf Kalo, ka quajtur tejet problematik faktin se në vend operojnë akoma spitale të cilat nuk janë të akredituara. Për këtë ai ka kërkuar ushtrimin e kontrolleve në terren.
Buxheti

Efektet financiare të gabimeve mjekësore, sipas saj, rëndojnë buxhetin e spitaleve, pasi nuk ka një fond special ose zë të veçantë në buxhet dhe në këtë mënyrë vështirësohen spitalet në ofrimin e shërbimeve të planifikuara. Edhe pse një fenomen i ri, Hana theksoi se “mund të kthehet në fenomen mjaft shqetësues në të ardhmen e afërt, sikurse është aktualisht në botë”. Fenomeni mund të ketë efekte financiare të mëdha në të ardhmen, nënvizoi Hana, duke propozuar ndërhyrje në bazën ligjore me krijimin e një ligji për sigurimin e profesionit të mjekëve. Hana tha se ISKSH propozon gjithashtu ndërhyrje në mënyrën e menaxhimit të institucioneve ofruese, veçanërisht të spitaleve, ndërhyrje në bazën ligjore, në mënyrën e menaxhimit të institucioneve ofruese, veçanërisht të spitaleve, por edhe përmirësim të autonomisë dhe menaxhimit spitalor etj. Bluzat e bardha, që kryejnë gabime mjekësore, do t’i dëmshpërblejnë vetë pacientët. Për këtë arsye ISKSH kërkon hartimin e një ligji për sigurimin e profesionit të mjekëve. Një ligj i tillë, sipas drejtores së ISKSH-së, Elvana Hana, është i nevojshëm, pasi efektet financiare të gabimeve mjekësore rëndojnë buxhetin e spitaleve.
Situata

Kjo kërkesë vjen në një kohë, kur pacientët kanë fituar disa gjyqe dhe institucionet janë detyruar të dëmshpërblejnë qytetarët me shuma të mëdha. “Kemi pasur gabime mjekësore të shoqëruara me dëme financiare, vlera monetare e të cilave ka qenë 30 milionë lekë. Prandaj i duhet paraprirë këtij risku, duke vënë piketat në një ligj për sigurimin e profesionit. Profesione të veçanta të sigurohen ekstra apo qoftë dhe vetë institucionet shëndetësore të sigurojnë stafin e tyre nga gabimet mjekësore në mënyrë që të përgjigjen para pacientit për dëmet që shkaktojnë”, – u shpreh Hana. Ndërsa drejtori i Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore, Isuf Kalo, kërkon nga Ministria e Shëndetësisë të forcojë kriteret në lidhje me licencimin e institucioneve shëndetësore. “Ideja jonë është që ndofta sistemi i licencimit duhet të jetë shumë rigoroz për sistemin alternativ në mënyrë që ato të përmbushin disa standarde”, – u shpreh Kalo. Deklaratat u bënë në konferencën e 7-të të Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, siguroi se nga janari i vitit të ardhshëm, të gjitha institucionet publike dhe private do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit.