Ligji i ri për shërbimet inteligjente të ushtrisë, opozita braktis mbledhjen

0
1567

Mazhoranca miraton e vetme projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes

Florenc Drizari

Mazhoranca miratoi e vetme projektligjin për AIM, ndërkohë që opozita braktisi mbledhjen e komisionit parlamentar. Diskutimi i projektligjit “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes” shkaktoi debate të forta në Komisionin e Ligjeve një ditë më parë dhe pas ndërprerjes së fjalës deputetit Damian Gjiknuri nga kryetari i këtij komisioni, Ilir Rusmali, opozita u largua nga mbledhja. Mbledhja e komisioni vazhdoi pa praninë e anëtarëve të majtë dhe përfaqësuesit e mazhorancës miratuan në tërësi projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, agjenci e cila ka zëvendësuar emrin e Shërbimit Informativ Ushtarak, SHIU-t. Projektligji i ri i funksionimit të SHIU-t, i sjellë në Kuvend, parashikon disa ndryshime themelore, siç është mandatimin në kohë të kreut të Shërbimit, si edhe përcaktimin e raportimit përpara Kuvendit, në komisione apo nënkomisione parlamentare.
Shkak për debatin është bere kërkesa e deputetit socialist Damian Gjiknuri për të hequr nga neni 6 togfjalëshin “Mbrojtje e rendit kushtetues”, i cili, sipas tij, krijon hapësira për abuzivitet në ushtrimin e detyrave nga kjo agjenci. Damian Gjiknuri i është referuar rolit të SHIU-t në ngjarjen e 21 Janarit, duke përdorur edhe deklaratën që Kryeministri Berisha ka bërë para komisionit hetimor për 21 Janarin në lidhje me rolin e SHIU-t, por sipas kryetarit Rusmali, deklaratat e Gjiknurit janë të pavërteta dhe debati është jashtë objektit të komisionit. Pas largimit të opozitës, eksperti i Shërbimit Informativ të Ushtrisë ka sqaruar se mbrojtja e rendit kushtetues është një detyrë që forcave të armatosura iu sanksionohet edhe në Kushtetutë.

Rusmali – Gjiknuri

Deklarata e deputetit socialist Damian Gjiknuri për heqjen e termit “rend kushtetues” nga neni 6 i projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, ka bërë që mes tij dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmalit, të fillonte një debat i cili përfundoi edhe në akuza për mënyrën se si drejtohet mbledhja dhe për deklarata të rreme në komision. Pas debatesh mes të dyve, kreu i komisionit, Ilir Rusmali, i hoqi të drejtën e fjalës deputetit socialist për shkelje të etikës. Deputeti Rusmali tha se deklaratat e Gjiknurit për referimin e asaj çfarë kishte thënë Kryeministri Berisha në lidhje më shërbimin e SHIU-t, i cilësoi të pavërteta, ndërkohë që ky i fundit në tentativë për të marrë sërish fjalën, u largua nga salla e Komisionit të Ligjeve. “Por rendi kushtetues është një term i padefinuar qartë, abuziv dhe ne jemi dëshmitarë që mund të dalë jashtë kontekstit politik, megjithëse njerëzit do të donin që të dilnin. SHIU u përdor në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese në atë të ashtuquajturën thyerje të rendit kushtetues në 21 Janar”, – tha Gjiknuri. Ndërsa kryetari i komisionit, Rusmali, iu përgjigj duke thënë se kjo nuk mund të jetë bazë për një arsyetim të tillë. Ndërkaq, komisioni vazhdoi me pyetjet e ekspertëve që kishin ardhur nga ekzekutivi dhe në fund të diskutimeve miratoi në parim projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes.

AIM

Aktualisht, me propozimin e ri, Shërbimi Informativ Ushtarak, SHIU, ndryshon emër duke u kthyer në Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes. Sipas nenit 5, pika 3 e këtij projektligji, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes është në varësi të ministrit të Mbrojtjes, me struktura varësie në territoret ku kryejnë veprimtarinë Forcat e Armatosura brenda dhe jashtë vendit. Fatura financiare e këtij ligji është 51 milionë lekë të reja, që do të përballohen nga Ministria e Mbrojtjes, ka thënë më parë gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve Rezart Tërshana, drejtor në Drejtorinë Juridike në këtë ministri. Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes përcakton një mandat të kufizuar në pesë vjet për drejtorin e këtij shërbimi si dhe kriteret specifike për drejtuesit e kësaj agjencie të specializuar në fushën e mbrojtjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency