Kuvend, 40 emrat e firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë gdhenden me germa të arta

0
178

Për herë të parë, 40 emrat e firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë gdhenden me germa të arta në një pllakat në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, në nderim e mirënjohje me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në një ceremoni të organizuar në ambientet e Kuvendit, Kryetarja Jozefina Topalli vlerësoi emrat që kontribuuan në themelimin e shtetit shqiptar, duke përuruar monumentin në të cilin janë gdhendur me shkronja të arta emrat e firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë. Ky dokument fillon me fjalët “Sot, në 28 të vjeshtës së tretë 1912, pas fjalës së Kryetarit Ismail Qemal Beut të gjithë delegatët në një za venduan që Shqipëria me sot të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Sipas Kryeparlamentares Topalli, 40 firmëtarët e Pavarësisë u persekutuan nga diktatura komuniste, duke u lënë në harresë edhe nga historia. “Këta janë emra, në rastin më të mirë të harruar, ndërsa ende sot asnjë libër historie nuk e ka të plotë listën e baballarëve të kombit. Harxhuam gati 50 vjet duke falur, nderuar e blatuar mirënjohje idhujve të rremë”, – tha Kryetarja e Kuvendit. Sipas Topallit, kjo nismë e Kuvendit vjen në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe përpiqet sadopak të vërë në vend një drejtësi të mohuar më parë. “Firmëtarët e Aktit të Pavarësisë në vitet 45 u arrestuan, të tjerë u burgosën, të tjerë u pushkatuan, ndaj dhe emrat e tyre një pjesë të madhe u fshinë dhe për 50 vite. Shqiptarët nuk ditën se cilët ishin baballarët e kombit tonë. Njëlloj si amerikanët të mos dinin dhe të mos lejohej të përmendin emrin e Xhorxh Uashingtonit apo të baballarëve të tjerë të kombit. Ndaj dhe ne, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, sot jemi aq krenarë dhe aq të privilegjuar, që kemi mundësinë të inaugurojmë dhe t’u bëjmë homazh këtyre njerëzve, firmëtarëve të Pavarësisë dhe baballarëve të kombit tonë; duke u në këtë mënyrë, gati me 100 vjet vonesë, që të vëmë në vend një padrejtësi, që na bën të turpërohemi si shqiptarë, sepse shqiptarë ishin edhe ata, që i burgosën për 50 vite, i pushkatuan dhe një pjesë të tyre ne nuk ua dimë se ku i kanë varrin dhe eshtrat”, – tha Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency