Kush dhunon fëmijët, do të ketë dënime të rënda

0

Të rrahësh një fëmijë do t’i kushtojë shumë çdokujt. Këtë gjë e garantoi Kryeministri Berisha gjatë konferencës shkencore për dhunën ndaj fëmijëve. Kryeministri propozoi ndryshime në kod, që do të bëjnë të mundur ndërgjegjësimin e prindërve për të mos dhunuar fëmijët. Pjesëmarrësit në konferencë theksuan se Shqipëria është një vend ku fenomeni i dhunës kundër fëmijës është i përhapur gjerësisht dhe megjithëse situata e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, falë miratimit dhe zbatimit të ligjeve dhe politikave të reja mbrojtëse dhe promovuese, ende shumë fëmijë dhe të rinj në të gjithë vendin përballen me probleme të dhunës psikologjike dhe fizike në familje, shkolla dhe kudo. Kryeministri Berisha, i cili përshëndeti punimet e konferencës, vuri në dukje se duhet të bëhet gjithçka për të promovuar në mbarë shoqërinë shqiptare një qëndrim më të qytetëruar dhe më njerëzor ndaj fëmijëve. “Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të qartësojmë prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre më të rritur se trysnitë e pamerituara ndaj fëmijës i dhunojnë atij shtyllat më kryesore të personalitetit, ndikojnë në suksesin dhe në jetën e tij”, – u shpreh Kryeministri Berisha. Duke theksuar se është bërë një progres i ndjeshëm, Kryeministri nënvizoi se të drejtat e fëmijëve duhet të ekzistojnë edhe në të gjitha tekstet e edukatës qytetare, si kapitulli më i rëndësishëm. Kryeministri Berisha garantoi se qeveria është e vendosur të mbështesë çdo iniciativë, e cila ka si qëllim garantimin e lirive dhe të drejtave të fëmijëve shqiptarë. Ministri Ksera theksoi se dhuna ndaj fëmijëve është forma më e keqe dhe e patolerueshme e dhunës ndaj një qenieje humane dhe ky fenomen prek të gjitha shoqëritë, sistemet dhe vendet, qofshin ato të varfra, në zhvillim apo të zhvilluara dhe është e shtrirë në familje, shkollë, rrugë e shoqëri. “Së bashku me strukturat e Ministrisë së Brendshme kemi ndërmarrë nismën dhe po punojmë për identifikimin dhe heqjen nga rruga të çdo fëmije”, – deklaroi Ksera. Ambasadori i Delegacionit Evropian në Shqipëri, z. Ettore Sequi, prezantoi nismën më të re të Komisionit Evropian dhe UNICEF-it, titulluar “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna në rajonin e Evropës Juglindore”, që po zbatohet në katër vende, përfshi Shqipërinë. “Kjo nismë synon të forcojë kapacitetet e shoqërisë civile në monitorimin e pavarur në lidhje me dhunimin e të drejtave të fëmijëve e, në veçanti, të dhunës fizike të ushtruar ndaj tyre”, – deklaroi ambasadori Sequi, duke theksuar se të drejtat e fëmijëve kanë një rëndësi të veçantë për BE-në, e cila e ka kriter të fortë politik mbrojtjen e tyre, duke e vendosur edhe si një nga 12 prioritetet për statusin kandidat të Shqipërisë.
Për përfaqësuesin e UNICEF-it në Shqipëri, z. Detlef Palm, “dhuna, përfshi atë fizike dhe psikologjike, është gjithmonë një eksperiencë shumë e dhimbshme dhe degraduese, aq më tepër kur viktima të saj janë fëmijët”.

Loading...