Kryeministri, liderit të opozitës: Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët!

0

Tërheqja për Fierin, Berisha: Rama kërkon të lajë duart pas “vrasjes” së statusit

 

 Ina Jano

Një ditë pas skadimit të afatit për miratimin e tri ligjeve në Parlament, kreu i qeverisë, Berisha, akuzoi kryesocialistin Rama se ai tashmë kërkon që të lajë duart nga “krimi” që ka bërë, një “krim” ky, nga i cili u dënuan të gjithë shqiptarët. Kryeministri nga mbledhja e qeverisë i drejtoi gishtin zotit Rama, si një nga personat të cilët janë duke mbajtur të bllokuar integrimin e shqiptarëve dhe i kërkoi atij të shpjegojë se si ka mundësi që një herë e çon në dyert e gjykatës zotin Vangjel Nderko dhe nga ana tjetër e tërheq atë vetëm një ditë pasi skadoi afati i integrimit të afërt të shqiptarëve. Duke e lënë të hapur derën për miratimin e tri rekomandimeve, Kryeministri tha se kjo është hera e tretë që shqiptarët proevropianë dënohen nga kreu i opozitës shqiptare. “Me tërheqjen e Vangjel Ndrekos, zoti Rama kërkon të lajë duart pas krimit. Mund ta bëjë, cinizëm është, por duhet t’u thotë shqiptarëve se me çfarë logjike e urdhëroi zotin Ndreko të shkonte në gjykatë dhe me çfarë logjike e urdhëroi të tërhiqej nga gjykata, një ditë pasi kaloi afati i shkruar në raportin e Komisionit Evropian dhe i shpallur nga komisioneri për Zgjerimin, data 20 nëntor. Natyrisht, ato mund të votohen edhe më vonë, mund të votohen nesër apo pas një muaji, por një afat i caktuar u shkel dhe kjo, vetëm e vetëm që shqiptarët të mos mund të merrnin këtë raport pozitiv, që ata e meritonin në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit të tyre”, – tha kryetari i ekzekutivit. Duke e quajtur kreun e opozitës shqiptare si njeri të papërgjegjshëm dhe me qëllime absurde, lideri i qeverisë tha se Rama mendoi se ishte duke i bërë nder qeverisë me votimin e ligjeve dhe harroi të gjithë shqiptarët që të enjten e kaluar i kishin drejtuar sytë në sallën e Parlamentit, nëse do të miratoheshin rekomandimet apo jo, duke hedhur pas krahëve benefitet për të gjithë vendin. Në këto kushte, kur qëllimi i bllokimit u arrit nga Edi Rama, tërheqjen nga gjykata të zotit Ndreko Kryeministri e quajti normale. Duke risjellë në vëmendje Faik Konicën, Berisha tha se shprehja e tij del e vërtetë. “Po të shohim historinë në këtë 100-vjetor, del njëqind herë e vërtetë ajo që ka thënë Faik Konica: Zoti e ruajttë Shqipërinë nga shqiptarët! Sado e hidhur të duket kjo, por kjo thënie e Konicës do të faktohej absolutisht, një nga profecitë më të mëdha për këtë komb. E them këtë, se atë që Enver Hoxha me regjimin e tij u bëri shqiptarëve, kur i zhveshi nga çdo lloj prone, nisur nga pulat e kumbullat në oborr dhe në çdo gjë tjetër, shqiptarët nuk e kanë përjetuar kurrë në historinë e tyre mijëravjeçare. Atë shtypje të egër që Enver Hoxha u bëri shqiptarëve nuk ia kanë bërë atyre regjimet më barbare. Kjo që ndodh tani është cinizmi dhe tallja më e madhe me ëndrrën fisnike të çdo shqiptari. Kjo që ndodh është një intrigë e përmasave makbethiane, në kurriz të shqiptarëve ndershëm”, – shtoi shefi i qeverisë. Ai pohoi se shqiptarët nuk e meritonin një dënim të tillë nga Rama, por rikujtoi se ky është i njëjti person i cili mbajti të bllokuar për dy vjet rresht sallën e Parlamentit, i njëjti person i cili pas humbjes së zgjedhjeve lokale premtoi se do të bashkëpunonte për integrimin dhe së fundi i njëjti person i cili urdhëroi deputetët e tij që të mos jepnin votën e tyre në Kuvend, për tri ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian. Duke iu drejtuar Ramës, Berisha përfundoi: “Në fakt, mund të them vetëm se në qoftë se ke qenë ndonjëherë Kolekë, kësaj here zoti Rama je treguar më shumë se kurrë, sikur të ka nxjerrë prej hunde një persekutor i inteligjencës teknike shqiptare, një terrorist i vërtetë dhe ti nuk po bën gjë tjetër, vetëm po mbron ideologjinë e tij dhe qëndrimin që ai ka mbajtur bashkë me bllokmenët e tjerë 45 vite në pushtet, kur ishte i fundit që në vitin ‘90 bëri thirrje për gjak dhe mosdorëzim pushteti pa dhunë”.

 

 Rama: PS nuk ka hequr dorë nga Fieri

Menjëherë pas deklaratave të shefit të qeverisë, kreu socialist Rama reagoi në rrjetin social Twitter, duke shkruar se Partia Socialiste nuk ka hequr dorë nga Fieri dhe nuk ka në mend që ta bëjë një gjë të tillë, pa u zbatuar më parë vendimet e gjykatës, pasi ajo ka fituar në popull dhe po ashtu në gjykatë. “Kryeministri, shpifja e ditës: PS u tërhoq nga Fieri! Jo, PS ka fituar në popull e në gjykatë, me vendim të formës së prerë të drejtën të drejtojë qarkun. PS s’është tërhequr nga asgjë! Kur nuk njeh vendimet e gjykatave, s’ke si kupton logjikën e proceseve gjyqësore. Pengmarrja e Fierit, alibi e Kryeministrit!”, – shkroi dje Rama. Më herët shefi i kabinetit qeveritar tha se Rama frenoi integrimin me një pretekst absurd, që nuk kishte lidhje me statusin dhe që tashmë pasi realizoi qëllimin e tij bllokues, hoqi dorë në mënyrë të befasishme nga Qarku i Fierit.

Qeveria, fond të veçantë për restaurimin e shtëpisë së Kongresit të Manastirit

Qeveria shqiptare do të jetë kontribuuese kryesore në restaurimin e shtëpisë muze ku u mblodh Kongresi i Manastirit për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe, në Manastir. Në kuadër të jubileut të pavarësisë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, lideri i qeverisë i kërkoi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që nëpërmjet Institutit të Monumenteve të Kulturës të dërgohen ekspertë dhe të merren kontaktet me Ministrinë e Kulturës dhe autoritetet e Maqedonisë që ky muze të rikonstruktohet menjëherë. Më 14 nëntor 1908, në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose i quajtur ndryshe Kongresi i Alfabetit, për diskutimin e një alfabeti të njësuar që do të ishte fillimi i letërsisë mbarëshqiptare. Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri kërkoi që në një nga sheshet e Durrësit të ngrihet shtatorja në nderim të figurës së Dom Nikollë Kaçorrit, i cili ishte klerik, politikan dhe atdhetar shqiptar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe zëvendëskryeministër i parë i vendit në kabinetin e Ismail Qemalit.