Ilir Shehaj pranon: Droga është imja, e bleva në Turqi

0
1588

Prokurorja Sevdari: Përgjimet dhe vëzhgimet provojnë dijeninë tënde, ma pranuat edhe gjatë marrjes në pyetje

Sonja Caka

Ilir Shehaj pranon pronësinë e drogës së kapur pak ditë më parë në makinën ku u arrestua oficeri i antidrogës Anoril Cani. “Droga është imja, e kam blerë në Turqi dhe ma solli një shtetas turk me emrin Haxhi”, – mësohet të ketë deklaruar para organit të akuzës dhe në gjykatë i arrestuari me pseudonimin “Gjyshi”, të cilit iu gjet lëndë narkotike e llojeve heroinë dhe kokainë në makinë dhe në magazinën e tij në Vorë të Tiranës. Por, Shehaj ka qenë i vetmi që ka pranuar lidhjen me drogën, pasi, si oficeri i antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ashtu dhe tre të arrestuarit e tjerë, kanë mohuar të kenë lidhje me këtë sasi droge, pavarësisht përballjes me përgjimet që disponon si provë të fortë organi i akuzës së kryeqytetit. Prokurorja Antoneta Sevdari ka deklaruar para gjykatës se droga vinte nga Turqia me kamionë, kalonte në Kosovë dhe përfundonte në magazinën e Shehajt në Vorë. Më pas, me ndihmën e oficerit të antidrogës Cami dhe lidhjeve familjare me të arrestuarit e tjerë, ata bënin edhe shitjen e mallit për në qytete të tjera të vendit, ndërsa dyshohet se një pjesë kalonte dhe përtej Adriatikut.

Mohimi

“Nuk e kisha idenë se çfarë kishte brenda makinës. Thjesht i kërkova Ilirit të më huazonte makinën e tij për të shkuar në Qytetin Studenti për të takuar të dashurën time. Nuk kisha lidhje me sasinë e drogës që thuhet se u gjet në makinë”, – është përpjekur të mohojë përfshirjen e tij në këtë linjë droge oficeri i policisë Anoril Cani. Por, disa pyetje të prokurores dhe gjyqtarit të masave e kanë vënë përballë fakteve të pakundërshtueshme 31-vjeçarin, i cili ka preferuar të shfrytëzojë një problem shëndetësor për të folur me zë të ulët ose të mos përgjigjet fare para gjykatës. Përmes avokatit Qazim Gjonaj, por edhe vetë, oficeri i policisë pretendoi se ishte i sëmurë me një paralizë të pjesshme dhe duke enë në këtë gjendje i ka kërkuar makinën Shehajt për të lëvizur për te e dashura. Por, nuk diti të shpjegojë itinerarin e para arrestimit, atë të lëvizjes me makinë me Shehajn nga Vora në Shijak, ku kanë takuar disa persona dhe më pas te Stacioni i Trenit në kryeqytet, ku ka lënë të akuzuarin me pseudonimin “Gjyshi” dhe ka lëvizur i vetëm. Cani u përgjigj se ishte sëmurë dhe nuk kishte ku të rrinte, ndërsa nuk dinte se çfarë përgjigje t’i kthente gjyqtarit Artan Gjermeni kur e pyeti se pse nuk shkonte në spital apo diku tjetër për të pritur kur ishte i sëmurë por lëvizte sa në një qytet në tjetrin. Madje, edhe këtë lëvizje nga Vora në Shijak dhe më pas në Tiranë, Cani e mohoi, por u gjend përballë ndërhyrjes së prokurores Sevdari, e cila i tha se nga vëzhgimi i asaj dite rezulton e provuar dhe me fakte se kishin qenë më shumë kohë me Shehajn, madje dhe kur ka marrë “mallin” nga magazine për në makinë. Jo vetëm nga vëzhgimi i grupit operacional, por edhe para prokurores gjatë marrjes në pyetje e ka pohuar një fakt të tillë, pra dijeninë e një pakoje që u fut në makinë.

Përgjimet

Katër nga të arrestuarit për drogën e kapur disa ditë më parë në kryeqytet, kanë mohuar të kenë dijeni për të, përfshi këtu edhe specialistin e antidrogës që merrej me transportin e saj. Por, përgjimet e akuzës, si ato telefonike dhe ato ambientale, flasin ndryshe, tregojnë të kundërtën e pretendimeve të tyre dhe me disa fjali të thëna prej vetë të akuzuarve, prokurorja Sevdari u provoi dje në seancë dijeninë për të. “Kur të kam marrë në pyetje në orën 3 të mëngjesit, natën e arrestimit, më ke pranuar se pe një pako që e futi në makinë Ilir Shehaj kur shkuat në Vorë, ndërsa tani po e mohon. Je ish-oficer i Policisë Gjyqësore dhe mund të thuash nëse firmën që ke hedhur në procesverbal e ke hedhur nën ushtrimin e dhunës. Së dyti, grupi i vëzhgimit ka të fiksuara dhe kemi provat për të gjithë itinerarin e lëvizjeve të tua dhe Shehajt ditën kur u bë arrestimi. Së treti, jo thoni se nuk keni bërë biseda telefonike për drogën me të arrestuarit e tjerë. Po biseda që keni bërë me Gentian Gjokën, ku flisni për mallin dhe transportin apo sigurimin e tij, dhe nuk ka asnjë bisedë që bëhet mes jush për sëmundje të nënës tënde”, – i është drejtuar prokurorja Sevdari oficerit të antidrogës të arrestuar për tregti droge, duke kundërshtuar mohimin e tij për përfshirjen në këtë rrjet. Këto ishin vetëm disa element të përgjimeve të bëra publike në seancë nga prokurorja e çështjes, ndërsa rezulton se ka biseda dhe lëvizje të pesë të arrestuarve, të cilat provojnë implikimin e tyre në këtë rrjet. Sipas akuzës, 31-vjeçari, i cili më herët se seksioni i antidrogës kishte punuar në sektorin e përgjimeve, dyshohet se organizonte zonat e shpërndarjes së lëndës narkotike në Tiranë, garantonte për të shmangur gjurmimin nga kolegët e antidrogës, si edhe godiste apo u bënte presion rrjeteve të tjera të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet për shkak të territorit.

Lidhjet familjare

Mes të arrestuarve rezulton të ketë lidhje të forta gjaku. Nga hetimet ka rezultuar se Madrit Dulo dhe Ilir Shehaj janë kushërinj të parë mes tyre. Ndërkohë që, specialist i antidrogës kishte djalë daje Everest Hoxhollin, ndërsa ky i fundit kishte djalë teze të arrestuarin tjetër Gentian Gjoka. Duke pasur lidhje familjare mes tyre, si dhe duke pasur një person në sektorët më të rëndësishëm, fillimisht atë të përgjimeve dhe më pas te antidroga, grupi e kishte më të lehtë të transportonte drogën nëpër qytete të ndryshme, të merrte dijeni për personat që ishin nën përgjim, si dhe vinte në dijeni ata duke dekonspiruar operacionet e kolegëve të antidrogës. Gjithashtu, Cani, duke pasur lidhjet të forta gjaku me Hoxhollin dhe ky i fundit me Gjokën, e kishin më të lehtë për të spastruar territorin nga rrjete të tjera të shitjes së drogës, duke monopolizuar këtë të fundit. Të qen[t e Canit në sektorë kyç të Policisë së Shtetit, si në përgjime dhe më pas te antidroga, i jepte mundësinë që të mos kapeshin asnjëherë dhe të zotëronin tregun e shitjes së drogës në disa qytete. Shehaj ishte në pozicionin e grosistit të mallit, heroinës dhe kokainës, pasi e shiste atë për brenda vendit dhe për jashtë, konkretisht me destinacion shtetin fqinj të Italisë.

Të arrestuarit

  • Anoril Cani, 31 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Departamentin e Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policise së Shtetit;
  • Ilir Shehaj, 46 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i njohur me pseudonimin “Gjyshi”;
  • Gentian Gjoka, 32 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i njohur me pseudonimin “Papu”;
  • Mandrit Dulo, 38 vjeç, lindur dhe banues në Vorë;
  • Everest Hoxholli, 27 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Elbasan, i njohur me pseudonimin “Nipçja”.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency