Gabon shënjestrën, vritet gabimisht Aleksandër Qarri

0

Policia: Objektivi ka qenë i plagosuri Lekë Marku dhe kushëriri i tij
Pranga Sandër Vukajt si i dyshuar, familjarët: Autori të varet

Loading...

Elton Qyno

Thellohen akoma edhe më tepër përmasat e vrasjes së 24-vjeçarit Aleksandër Qarri në Shkodër. Policia e këtij qyteti ka mësuar se vrasja e të riut ka qenë aksidentale dhe aspak e qëllimshme, pasi një tjetër person ka qenë objektiv i sulmit të dy ditëve më parë në zonën e Universitetit të Shkodrës. Aleksandër Qarri ishte duke kaluar në rrugë në vendin dhe kohën e gabuar, kur është qëlluar me pesë plumba në trup, duke vdekur pas dy orësh në spitalin rajonal të Shkodrës. Nga pyetja e dëshmitarëve, por edhe të dy personave që mbetën të plagosur në këtë atentat, policia dhe prokuroria e Shkodrës kanë arritur në konkluzionin se personi që ka qëlluar rreth 14 plumba me automatik, ka dashur të vrasë shtetasin Lekë Marku dhe një kushëririn e tij. Shkak i këtij sulmi me armë duket se është hakmarrja, pasi fisi Marku ka pasur kohët e fundit konflikte me një familje në Shkodër me mbiemrin Vukaj. Ndërkohë, plumbat kanë prekur edhe një student tjetër, 19-vjeçarin August Begeja, nga Gjadri i Lezhës, edhe ky i fundit i plagosur gabimisht me një plumb të vetëm në këmbë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, në orët e mesnatës së djeshme, policia e Shkodrës bëri me dije se ka arrestuar si të dyshuar për vrasjen shtetasin Sandër Vukaj, të cilit gjatë ndalimit blutë i sekuestruan edhe një armë zjarri pistoletë. Gjatë marrjes në pyetje, Vukaj s’ka pranuar autorësinë e krimit, duke pretenduar se ai kishte qëndruar në banesë përgjatë gjithë mëngjesit të dy ditëve më parë, kur ka ndodhur vrasja.

Të afërmit: Autori të varet

Të afërmit e shtetasit që humbi jetën në mënyrë tragjike në atentatin e së martës, kanë kërkuar nga shteti arrestimin e autorit të krimit dhe varjen e tij, pikërisht në vendin ku ekzekutoi me automatik anëtarin e familjes së tyre. Këto deklarata janë bërë teksa të afërmit ishin duke tërhequr trupin e pajetë të Qarrit nga morgu i spitalit. Ata u kanë kërkuar efektivave të policisë se kërkojnë sa më parë arrestimin e autorit të krimit dhe varjen e tij, pasi në të kundërt çdo gjë do ta zgjidhin në mënyrë private, duke u qëndruar zakoneve në fuqi të hakmarrjes. Trupi i pajetë i 24-vjeçarit është transportuar në banesën e tij në fshatin Vrakë të rrethit të Shkodrës, ku gjatë ditës së djeshme iu krye ceremonia e varrimit. Ndërkohë, dje kanë lënë ambientet e spitalit dy të plagosur, shtetasit Lekë Marku dhe studenti August Begeja, të cilët nën shoqërinë e efektivave të policisë së Shkodrës janë transportuar në banesat e tyre. Gjatë qëndrimit në spital, dy të plagosur janë mbajtur të monitoruar nga policia e qytetit, për shkak të shmangies të ndonjë incidenti të mundshëm. Në deklarimet e dhënë në polici, Marku dhe Begeja kanë treguar se nuk kanë mundur të shohin autorin e krimit, pasi i kishte ardhur nga prapa dhe më pas sipas tyre hapi zjarr me automatik. Për shkak të krismave, ata janë shtrirë menjëherë në tokë dhe kanë mbuluar kokën, gjë e cila i ka penguar të shohin se kush po qëllonte.

Dëshmia e Lekë Markut

Në deklarimet e tij, i plagosuri Lekë Marku që, sipas policisë së Shkodrës, ka qenë objektivi i sulmit, ka treguar se familja e tij ka një konflikt hasmërie prej disa vitesh me familjen Vukaj në Shkodër. Në dëshminë e tij dhënë para oficerëve në ambientet e spitalit, Marku ka treguar se mëngjesin e së martës ishte duke ecur në rrugë së bashku me djalin e xhaxhait të tij dhe se kur janë ndodhur përballë godinës së Universitetit të Shkodrës, janë sulmuar nga prapa nga një person i armatosur. Ai nuk ka qenë në gjendje ta shohë dhe ta identifikojë autorin që qëlloi me armë, pasi ka qenë i kthyer me kurriz dhe se ishte rrëzuar në tokë nga një plumb i vetëm që i kishte hyrë në këmbë. Lidhur me këtë çështje policia ka shoqëruar rreth 15 persona, ku pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë, ndërkohë që vetëm i shoqëruari Sandër Vukaj është mbajtur i izoluar si autor i dyshuar i krimit të rëndë.

Arrestimi i Sandër Vukajt

Menjëherë pas krimit të rëndë, strukturat e policisë kanë kryer shoqërimin e disa personave si dhe kontrollin e disa banesave në Shkodër. Si rezultat i kësaj, është prangosur 37-vjeçari Sandër Vukaj në ambientet e brendshme të banesës së tij në Shkodër. Gjatë kontrollit të banesës, Vukajt i është sekuestruar edhe një pistoletë. Në paraqitje për njohje që policia i ka bërë Vukajt me disa persona të tjerë që ishin dëshmitarë të ngjarjes, ata kanë konfirmuar se njeriu që qëlloi mbi Aleksandër Qarrin ishte pikërisht personi i ndaluar. Mirëpo pavarësisht nga këto pretendime, Vukaj ka këmbëngulur se nuk ishte ai autori i krimit, pasi përgjatë mëngjesit të së martës ndodhej në banesën e tij. Për të shuar çdo dyshim, policia tashmë ka dërguar për ekzaminim shkencor disa prova si dhe rrobat e Sandër Vukajt për të mësuar nëse në to ekzistojnë gjurmë baruti ose jo. Momentalisht, ndaj Vukajt është ngritur akuza e “Armëmbajtjes pa lejë”, ndërkohë që në ditët në vazhdim do të sqarohet plotësisht me prova konkrete pozicioni i tij në këtë krim të rëndë.

Loading...