Ekspertët, mendime të ndryshme për kriteret e hartimit të projektbuxhetit 2013

0
1295

Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu: Gjithmonë, rritja e matur është standardi më i mirë


Blendi Hasani

Projektbuxheti i shtetit për vitin 2013 tashmë ka marrë formën e tij përfundimtare nga Ministria e Financave, ndërsa po shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave për të mbërritur për debat parlamentar këtë muaj (nëntor). Ende nuk janë dhënë shifrat konkrete, por Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PD-së se ai do të jetë më i madh sesa buxheti i një viti më parë dhe se do të jetë realist. Ndërkohë, ekspertë të Ministrisë së Financave sqarojnë se ai do të ruajë stabilitetin makroekonomik, domethënë një borxh publik rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm bruto, një inflacion 3+-1% si dhe një deficit buxhetor rreth 3.5%.
Sipas njërit prej varianteve në këtë dokument, të ardhurat janë parashikuar 357,2 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet 386.2 miliardë lekë me një deficit prej 28.9 miliardë lekë. Disa ekspertë, por edhe deputetë të shumicës kanë nxitur së fundmi qeverinë të shpenzojë më tepër për të garantuar një ritëm më të lartë rritjeje të ekonomisë. Sipas tyre, qeveria duhet të shtojë deficitin buxhetor dhe të mbështesë ekonominë, pa pasur si pengesë nivelin 60% të borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sherefedin Shehu, aktualisht deputet i PD-se, mendon se buxheti i vitit 2013 nuk duhet të mbesë peng i kufirit të borxhit, por duhet të mbështesë ekonominë. Por kundër kësaj shprehet ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli, i cili thotë se qeveria duhet të marrë masa për uljen e nivelit të borxhit dhe të menaxhojë më mirë financat publike. “Në kushte të tjera duhet të ruhet niveli i borxhit brenda limitit të vendosur në ligj, por kjo situatë krijon edhe shmangie. Edhe vetë ligji ka përcaktuar që niveli i borxhit nuk duhet të tejkalojë 60%, përveç situatave të veçanta që nënkupton periudhat e fatkeqësive e krizave dhe rasteve të ngjashme. Nuk mund të thuhet rrezik sepse kemi praktikat e vendeve të zhvilluara e atyre të pazhvilluara, vendet e rajonit, të cilat kanë pasur kapërcim deri me 14% të nivelit të borxhit publik”, – deklaron Shehu.
Ndërsa, ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli, thotë se qeveria duhet të marrë masa për uljen e nivelit të borxhit dhe të menaxhojë më mirë financat publike.
“Do të ishte absurde që të kishim një parashikim buxhetor me tejkalim të nivelit të borxhit publik mbi 60%. Përkundrazi, ajo që pritej ishte të kishim masa për uljen e nivelit të borxhit, me qëllim që deri në vitin 2015, Shqipëria të kishte një nivel borxhi 54%, siç edhe është deklaruar para disa muajve. Në fakt s’po ndodh kështu dhe kjo është rrjedhojë e një politike e menaxhimit jo efektiv të financave publike”, – deklaroi Angjeli.
Nëse qeveria rrit huamarrjen gjatë vitit të ardhshëm, borxhi publik kalon mbi kufirin ligjor prej 60%. Një rritje e kontrolluar nuk përbën problem, thotë Shehu, sipas të cilit, në të gjithë botën është provuar që masat shtrënguese në periudha të vështira ekonomike ose të krizës, nuk janë produktive. Për këtë, Shehu thekson se në këtë periudhe krize rritja e nivelit të borxhit publik konsiderohet si një stimul ekonomik. Ky, thotë Shehu, është i vetmi argument për rritjen e borxhit publik. “Gjithmonë rritja e matur është standardi më i mirë, sepse borxhi në një nivel të caktuar prodhon rritje ekonomike”, – nënvizon Shehu.
Por nuk ndan të njëjtin mendim z. Angjeli. Ai është i mendimit se mbajtja e masave antikrizë edhe gjatë vitit 2013 në buxhet është e domosdoshme. “Buxheti duhet të përmbajë një politik të qartë fiskale për vitin 2013 në nxitje të rritjes ekonomike të vendit, sepse pa një rritje ekonomike nuk gjenerohen të ardhura. Por nga ana tjetër nuk duhet humbur kontrolli mbi deficitin dhe borxhin dhe nuk duhet lejuar asnjë tejkalim i borxhit mbi 60%”, – deklaron Angjeli.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, deklaron se viti 2013 pritet të sjellë një përmirësim të rritjes ekonomike krahasuar me këtë vit, çka do të thotë se pesha specifike e borxhit publik në mënyrë të dëshirueshme do të jetë e kontrollueshme.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, deklaron se viti 2013 pritet të sjellë një përmirësim të rritjes ekonomike krahasuar me këtë vit, çka do të thotë se pesha specifike e borxhit publik në mënyrë të dëshirueshme do të jetë e kontrollueshme. Nuk ka rëndësi se sa është niveli i borxhit publik, por ku investohen fondet, shprehet, ndërsa thekson se rritja e shpenzimeve publike do të jepte një stimul ekonomisë, kryesisht investimeve, punësimit dhe eksporteve. “Në debatin e sotëm nuk po fokusohet njeri tek problemi real që është se ku po shkojnë paratë dhe sa efiçente janë këto para në drejtim të nxitjes së prodhimit vendas, punësimit dhe eksportit, pra në bërjen e ekonomisë tonë kombëtare më konkurruese. Duhet të them që më shumë se niveli i borxhit, shqetësim duhet të jetë destinacioni dhe përdorimi sa më efiçent i tyre me sa më pak korrupsion dhe me shumë përfitim në ekonominë tonë kombëtare. Përsëri problem mbetet rritja e llogaridhënies së përdorimit të parave publike dhe respektimi i prioriteteve që ndihmojnë në përballimin e efekteve të krizës ekonomike globale”, – deklaron Preçi.
Sipas tij, ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare gjatë vitit të ardhshëm pritet të jenë më të larta. “Viti 2013 do të jetë viti i parë në të cilin rritja ekonomike fillon ngritjen që nga koha e ngadalësimit të shënuar në vitin 2008. Viti 2013 projektohet të ketë rritje ekonomisë më të shpejtë se 2012-a, çka do të thotë se pesha specifike e borxhit publik në mënyrë të dëshirueshme do të jetë e kontrollueshme”, – shprehet Preçi.
Për ish-ministrin e Financave dhe deputetin e PS-së, Arben Malaj, qeveria duhet të hartojë një buxhet realist dhe pa optimizëm të tepruar, edhe pse është një vit elektoral, ndërsa thekson se rritja e nivelit të borxhit publik mbi 60% është e rrezikshme për ekonominë shqiptare.
Sipas Malajt, duke parë që të ardhurat gjatë këtij viti nuk janë realizuar, qeveria duhet të jetë e kujdesshme në hartimin e buxhetit, kryesisht në shpenzimet. “Edhe në kushtet kur do të rrisë nivelet e borxhit qeveria deklaron se do të rrisë pagat dhe pensionet. Nëse pagat dhe pensionet rriten nga rritja e deficitit, kjo është politika më e dëmshme e cila mund të na çojë në një situatë që vende të tjera po e vuajnë sot. Në kushtet kur borxhi del jashtë kontrollit gjëja e parë që duhet është ta ndalosh atë. Të ndalosh borxhin ka dy rrugë, të rritësh arkëtimin e të ardhurave në buxhet dhe të ulësh nivelin e shpenzimeve. Paketa që po zbatohet nga vendet që sot janë në krizë është shkurtimi i shpenzimeve”, – deklaroi Malaj.
Deputeti i PD-së, Sybi Hida, shpreh mendimin se qeveria duhet të mbështesë më shumë sektorin privat me financat publike, edhe pse i duhet të rrisë shpenzimet. Sipas tij, nuk ka rëndësi nëse niveli i borxhit publik është mbi 60%, nëse kjo është një stimul fiskal për ekonominë.
Por për ish-zv.ministren e Financave, Adriana Berberi, rritja e nivelit të borxhit publik është një sinjal jo i mirë për vlerësimin e ekonomisë dhe thithjen e investimeve të huaja. Sipas Berberit, hartimi i buxhetit të 2013-ës i përket jo vetëm qeverisë, por të gjithë shqiptarëve.
Ndërkohë, institucione financiare si FMN dhe Banka Botërore gjithnjë janë shprehur më konservatorë në këtë drejtim, duke këshilluar qeverinë shqiptare që jo vetëm të mos e rrisë deficitin buxhetor, por ta ulë atë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency