Dështon tryeza për integrimin: PS nuk heq dorë nga Fieri

0
1710

Berisha: Takimi, për propozime dhe amendime për ligjet. Qarku i Fierit nuk mund të ketë diskutim politik

Ina Jano

Kryeministri Berisha iu përgjigj menjëherë ftesës së kryesocialistit Edi Rama për t’u takuar dhe për të folur në lidhje me integrimin. Edhe pse me një axhendë të ngjeshur ditën e djeshme, kreu i qeverisë, nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i ktheu përgjigje pozitive Ramës, por tryeza e integrimit dështoi pa u ulur në bisedime. Sipas deklaratës së bërë publike nga Kryeministria, në bisedimet paraprake janë përfshirë dy krerët e grupeve parlamentare të partive, pra zoti Astrit Patozi dhe zoti Gramoz Ruçi, por PS ka nxjerrë përsëri çështjen e Qarkut të Fierit si një nga çështjet që do të duhet të diskutoheshin, kur paraprakisht kjo çështje nuk do të duhej të përfshihej në listën e diskutimeve. Në këto kushte, zoti Berisha ka reaguar duke u shprehur se vendimet e gjykatave të një vendi të lirë nuk mund të diskutohen nëpër tryeza politike dhe ky është një qëndrim parimor i tij, që është bërë publik edhe më parë. “Kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm për zbatimin e propozimit të tij të mocionit në këshillat e komunave e bashkive për këshilltarët e Qarkut të Fierit, si zgjidhja e vetme politike dhe ligjore e mundshme, pa ndërhyrje në vendimet e gjykatave”, – tha në një reagim publik zëdhënësja e Kryeministrisë, Erla Mëhilli. Ajo sqaroi se lideri i qeverisë vijon të mbetet i hapur për diskutime dhe takime, por këto duhet të jenë për çështje që lidhet vetëm me integrimin dhe tri ligjet që pritet të votojë opozita në Parlament, megjithëse duket se afati për Shqipërinë tashmë ka përfunduar, pasi siç kishte bërë publik Komisioni Evropian, data 20 nëntor ishte afati i fundit për të plotësuar detyrimet e mbetura. Për zotin Berisha përgjigjja e Ramës është e qartë, ai për të disatën herë kërkon që të bllokojë integrimin e vendit dhe këtë e bën në momentet më kulmore dhe të rëndësishme për vendin dhe për më tepër me një çështje që është tejet lokale. “Këto ligje dhe votimi i tyre nuk kanë asnjë lidhje me një çështje lokale, e cila përdoret si pretekst prej tre muajsh, nga kryetari i Partisë Socialiste për bllokimin e votimit të tyre. Me sa duket, me qëllimin e vetëm për të mos lejuar grupin e tij parlamentar për të votuar këto ligje, sipas kërkesës së Komisionit Evropian në mënyrë që Shqipëria të marrë mbështetje për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha në mënyrën më të përsëritur ka bërë të qartë qëndrimin e tij parimor se në asnjë rrethanë, ai nuk do mund të pranojë diskutimin e vendimeve të gjykatave në tryeza politike”, – pohoi Mëhilli.
Më herët, zoti Berisha u shpreh i gatshëm të takohej që pasditen e djeshme me liderin socialist, duke qenë se nuk kishte mundësi që takimi të bëhej paraditen e sotme, siç kishte propozuar Rama. Kryeministri tha se për shkak të axhendës në orën 10:00 të së martës nuk mund të ulej në tryezë me kryetarin e opozitës për t’u takuar në lidhje me integrimin. Nga burime zyrtare mësohet se sot në orën 10:00 Kryeministri do të marrë pjesë në përurimin e projektit të Postës Shqiptare, “Linja ndërkombëtare e internetit 100 GBps” në Qafë-Morinë dhe kjo ka qenë arsyeja e pamundësisë së tij. Në mbledhjen e djeshme së qeverisë, rreth orës 11:30, Kryeministri ka deklaruar se deri mesnatën e mbrëmshme ishte i gatshëm të takohej me Ramën për tri rekomandimet që presin votën e opozitës. Menjëherë pas fjalës së liderit të mazhorancës, reagoi edhe shefi i selisë rozë. Rama e ftoi Berishën për një takim për integrimin në hotelin “Sheraton”, në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm. Kreu socialist propozoi që të pranishëm në takimin të ishin edhe partitë e tjetra parlamentare dhe takimi të bëhej nën praninë e mediave, në mënyrë që të ishte sa më transparent. Në mbledhjen e grupit kuvendor, që filloi rreth orës 13:40 të ditës së hënë, Rama mori përgjigje pozitive për ftesën nga Kryeministri. Përpara deputetëve së selisë blu, kreu i kësaj force politike tha se ishte i gatshëm që të takohej çdo orë dhe sekondë me Ramën apo përfaqësues të tjerë për të zgjidhur këtë çështje. Ai sqaroi se paraprakisht duhet që të bihej dakord për axhendën e diskutimeve dhe deklaroi se priste çdo diskutim, propozim dhe amendim për tre ligjet nga opozita dhe jo një tryezë për Fierin, pasi kjo ishte një çështje që s’kishte lidhje me statusin. Berisha nënvizoi se e kishte të pamundur takimin në orarin e propozuar nga Rama dhe i shprehu këtij të fundit gatishmërinë e tij për tu takuar pasditen e së hënës ose të së martës. “Unë jam i gatshëm për tre ligjet, në çdo orë pas kësaj mbledhjeje, deri në 12 të natës. Edhe nesër pasdite mund të takohemi, megjithëse mirë do ishte që të mblidheshim sot dhe nesër të mblidhnim parlamentin dhe deri në orën 6 pasdite, Komisioni Evropian të merrte lajmin që këto ligje, të shumëpritura prej tij me qëllimin më të mirë për të mbështetur integrimin, të votoheshin”, – deklaroi dje shefi i ekzekutivit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency