Buxheti, 409 miliardë lekë, Kryeministri: Rritje e nivelit të jetesës së njerëzve

0

Berisha: 500 milionë dollarë do të investohen në infrastrukturë. Rritja e rrogave dhe e pensioneve të ulëta, prioritet

Loading...

Buxheti parashikon të paktën 5.5 miliardë lekë t’i mbeten biznesit dhe rritja reale në vend parashikohet 4 për qind

Ina Jano

Kryeministri Berisha mblodhi qeverinë jashtë rendit të zakonshëm javor për të prezantuar buxhetin e vitit të ardhshëm. Shefi i kabinetit qeveritar që në fillim të fjalës së tij e cilësoi këtë buxhet si të denjë për një vend që është duke festuar 100-vjetorin e pavarësisë dhe një arritje të të gjitha institucioneve shqiptare të cilat me punën dhe reformat e tyre arritën që ti mbijetojnë krizës ekonomike. Sipas njoftimit të bërë nga kreu i ekzekutivit, buxheti përfundimtar për vitin 2013, do të kapë shifrën prej 409 miliardë lekësh. “Buxheti në total arrin në 409 miliard lekë shpenzime, më të mëdhatë në historinë këtij vendi. Buxheti parashikon një mbështetje të fuqishme të stabilitetit makroekonomik dhe rritjes ekonomike. Rritja ekonomike e shoqëruar me konsolidim të stabilitetit makroekonomik janë zhvillimet më rëndësishme aktuale për një buxhet. Ky buxhet është një kontribuues i madh në rritjen ekomomike të vendit dhe punësimin e shqiptarëve. Me 409 miliardë lekë shpenzime, kjo përbën një nxitje të fuqishme të punësimit, krijimit të mijëra vendeve te reja të punës nga sektori publik dhe investimet publike. Kjo përbën një rritje të madhe të shpenzimeve, rritje të fuqisë blerëse, e cila në dallim nga ajo që shpalli kollagerët e krizës ka këtë vit rritjen prej 25%”, – tha lideri i mazhorancës. Kryeministri hodhi disa nga piketat kryesore se ku do të jetë i fokusuar ky buxhet dhe tha se infrastruktura, rritja e rrogave dhe e pensioneve do të vijojë të mbetet një nga përparësitë e qeverisë.

Rrogat dhe pensionet

Zoti Berisha në kryefjalën e mbledhjes së qeverisë së ditës së djeshme tha se do të jenë pikërisht 820 mijë familje, të cilat do të përfitojnë nga ky buxhet dhe që të ardhurat e tyre do të arrijnë një nivel tjetër dhe që do të jetë më i kënaqshëm sesa vitet e tjera. Për të hedhur poshtë të gjitha zërat se rritjet nuk do të jenë të mjaftueshme për të përballuar çmimet e larta, Kryeministri sqaroi se rritja jo vetëm do të indeksohet me çmimet e momentit, por edhe do të dyfishohet. Berisha deklaroi se rrogat dhe pensionet e ulëta do të kenë prioritet në krahasim me ato më të larta dhe tha se kjo është një praktikë që qeveria do të vijojë ta ndjekë për t ngushtuar sa më shumë diferencën. “Ndaj, dhe është vendosur që rrogat të rriten, duke nisur nga 1 për qind që janë rrogat e zyrtarëve të lartë. Këto rroga nuk indeksohen. Ky është parim në platformën tonë dhe, kur unë shkoj para mësuesit dhe zotohem para tyre se diferenca e rrogave midis Kryeministrit dhe jush, nga 9 me 1 që ishte, ka zbritur në 4.5 dhe do të ngushtohet edhe më tej, unë duhet t’i qëndroj kësaj, sepse do të shkoj sërish te ky mësues. Ndaj këto rroga, të lartat, do rriten më pak. Rrogat e mësuesve do të rriten 2 herë më shumë se sa është inflacioni. Pra, jo vetëm do të indeksohen, por do të dopjo-indeksohen”, – shpreh Berisha. Ky i fundit i dha porosi ministrit të Drejtësisë që së bashku me ekspertët të shikojë mundësinë që të amendohet ligji për pagat e gjykatësve dhe në këtë pikë tha se rrogat e kësaj kategoria nuk do të rriten. “Zoti ministër i Drejtësisë, unë kërkoj të rishihet çështja e rrogave të një grupi punonjësish shumë të rëndësishëm në detyrë e tyre, dhe këta janë gjykatësit, të cilët e pësojnë nga ky rregull, sepse rroga e tyre rritet në përputhje me rrogën e gjykatësit më të lartë. Ju lutem shumë, unë kam kërkuar të amendohet ligji, të bisedohet me opozitën dhe, le të gjendet një mënyrë tjetër. Ky është një grup i vogël prej 340 personash, por të shihet nëse ka edhe ndonjë grup tjetër, prokuror. Ata nuk kanë përse të viktimizohen. I vetmi grup që e pëson është ky grup, që ka lidhje me rrogën e gjykatësit kryesor”, – shtoi kryetari i mazhorancës. Ky i fundit saktësoi se rritja e rrogave dhe pensioneve nuk një veprim i bërë për qëllime politike dhe për fushatë, pasi siç tha ai kjo është një praktikë e cila është realizuar çdo vit nga qeveria.

Infrastruktura

“Në këtë buxhet, të dashur qytetarë, dua t’ju informoj se 500 milionë dollarë do të shkojnë përsëri për rrugët e këtij vendi, rrugë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, rrugë nga Fondi Rural dhe pa llogaritur këtu diçka nga Fondi i Rajoneve. Pra, rrugët do të mbeten përparësi absolute. Edhe njëherë, kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve; projekti i rrugëve është projekt jetik i zhvillimit”. Kështu iu drejtua Kryeministri të gjithë qytetarëve, të cilët ishin duke ndjekur mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ditën e djeshme, madje ai përmendi edhe një rast kur tha se persona nga qytete e fshatra të ndryshme i dërgojnë sms në telefonin e tij për t’i kërkuar që t’u shtrohet edhe rruga përpara shtëpisë. Por buxheti i vitit të ardhshëm ishte në fokusin e liderit të mazhorancës edhe në fjalën e mbledhjes së grupit parlamentar demokrat. Duke argumentuar rëndësinë që kanë rrugët, zoti Berisha shtoi se pavarësisht se shqiptarët krenohen me rrugën e kombit apo autostradën Tiranë – Elbasan, ata përsëri mbeten të interesuar për rrugët që ata kalojnë çdo ditë. Kryeministri tha se brenda dy viteve të para të mandatit të tretë, do të jetë sistemuar e gjithë infrastruktura në vend. Sa i përket borxhit publik, shefi i mazhorancës pohoi se ajo do të kapë shifrën maksimumi deri në 62.6 për qind, por nuk do ta kapë kurrsesi shifrën prej 63 për qind dhe ky është një zotim që qeveria u bën të gjithë institucioneve ndërkombëtare, një çështje kjo që pritet të jetë objekt debati. Gjithashtu Beriha nënvizoi se 5.5 miliardë lekë janë planifikuar që t’i mbeten biznesit dhe pa marrë këtu parasysh, heqjen e TVSH-së së çimentos dhe çelikut. Rritja e parashikuar për vitin e ardhshëm do të jetë 4 për qind, por nuk përjashtohet mundësia që kjo shifër të tejkalohet, ndërsa deficiti buxhetor i vendit është në masën 3.4 për qind, një nga shifrat më të ulëta në Evropë.

Loading...