Bashkia: Rama si Robert Çamçakëzi, vjen vërdallë duke sharë

0

Pasi e la Tiranën 11 vjet pa dekor në Ditën e Flamurit, 28 Nëntor, kreu i Partisë Socialiste, njëkohësisht ish-kryebashkiaku Edi Rama, teksa shëtit sot rrugëve të Tiranës dhe shikon se si çdo ditë ajo zbukurohet me dekorin dhe flamujt kuqezi, akuzon për vendosje të shëmtuar të flamujve, për batërdi. Por Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj sulmeve që kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka ndërmarrë në adresë të saj. Në një reagim për mediat, Bashkia Tiranë e cilëson liderin e së majtës, si personazhin e filmit Robert Çamçakëzi “Rama është bërë si Robert Çamçakëzi, vjen vërdallë duke sharë”, thuhet në reagimin e Bashkisë. Bashkia Tiranë nënvizon se sulmet e Ramës janë frymë negative dhe përçarëse në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërkohë e akuzon se në 11 vjet kryetar të Bashkisë së Tiranës Rama nuk bëri asnjë zbukurim për 28 Nëntor. Ndërkohë që flamuj të ndryshëm e banderola me logon e 100-vjetorit të Pavarësisë, por jo vetëm, çdo ditë e më shumë po zbukurojnë kryeqytetin, në prag të 28 Nëntorit. Kryeqyteti po “pushtohet” dita ditës nga dekori festiv kuq e zi, ku përveç dekorimeve nga Bashkia e Tiranës, atmosferës festime i janë shtuar edhe flamujt që qytetarët, kanë vendosur në dritaret e tyre, këtë vit më shumë se çdo përvjetor. Një pjesë e bulevardit “Bajram Curri” është mbushur me flamuj kuq e zi, teksa është vendosur edhe një flamur i madh në fasadën e “Hotel Tirana International”, duke i dhënë një hije tjetër qendrës së qytetit. Bashkia e Tiranës po e zbukuruar qytetin me flamuj dhe simbole kombëtare, që janë vendosur jo vetëm në sheshin në qendër të qytetit, por edhe në institucionet që ndodhen aty, si Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, Muzeu Kombëtar, etj. Pak ditë na ndajnë nga kulmi i festimeve në 28 Nëntor, por deri atëherë qytetit do t’i shtohen çdo ditë detaje të reja festive.

Loading...