30 nëntor, afati i fundit për regjistrim

0

Afati për dorëzimin e listave, deri më 15 nëntor

Driçim Çaka

Universitetet private do të kenë kohë të mjaftueshme për të regjistruar çdo kandidat pavarësisht se kjo procedurë ishte ndaluar më parë. Për këtë ndryshim është bërë shkak një udhëzim i ri i Ministrisë së Arsimit, i cili i jep të drejtë çdo universiteti privat të mbyllë regjistrimet në datën 30 nëntor dhe jo në 15 nëntor, siç ka qenë më parë. “Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet private të arsimit të lartë të kryhet deri më datë 30.11.2012”, – përcakton udhëzimi i MASH-it. Një tjetër pikë e udhëzimit thekson se çdo universitet privat do të ketë kohë që të dorëzojë listat e studentëve pranë AKP-së deri në datën 15 dhjetor. Kjo do të thotë se pavarësisht se afati i fundit është data 30 nëntor, privatët do të kenë mundësi që të bëjnë regjistrime edhe gjatë muajit dhjetor. “Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të dytë, “Master i Shkencave” ose “Master i Arteve të Bukura” dhe “Master Profesional”, në institucionet private të arsimit të lartë të kryhen deri në datën 30.11.2012 nga IAL-të private. Për aplikim, kandidati duhet të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm”, – vazhdon udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit me të gjitha ndryshimet e bëra. Çdo universitet privat duhet të dorëzojë listat e plota deri në datën 15 dhjetor, afat i tejkaluar për sa u përket regjistrimeve në arsimin e lartë, pasi shumë studentë do të kenë mundësi të regjistrohen në çdo kohë pavarësisht se do të kenë kaluar 3 muaj mësim. “IAL-të privatë i dërgojnë AKP-së, brenda datës 15.12.2012. një listë të studentëve të regjistruar në programet e studimit të ciklit të dytë, në formë shkresore dhe elektronike (hardcopy dhe në CD). AKP brenda datës 15.1.2013. u dërgon IAL-ve private listën përkatëse me numrat e matrikulimit të studentëve”.

Dokumentet

a) diploma e Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave ose diplomën; dëftesën e shkollës së mesme të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri; dëftesë pjekurie të shkollës së mesme (kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011), si dhe certifikatën përkatëse, të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, që vërteton se ka fituar provimet me zgjedhje.
b) dokument identifikimi (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit.
c) 2 fotografi.
d) shtetasit e huaj duhet të paraqesin edhe:
i) lejen e qëndrimit në Shqipëri (kopje e noterizuar).
ii) dokumentin që vërteton njohjen e gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe).
iii) dokumentin që vërteton njohjen e gjuhës së huaj (njohur ndërkombëtarisht) në të cilën zhvillohet programi i studimit ku regjistrohet kandidati (me përjashtim të rastit kur gjuha e huaj është gjuha zyrtare e shtetit nga vjen kandidati).
4. Në qoftë se kandidati nuk ka dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga drejtoria arsimore rajonale/zyra arsimore ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi Qendror i Shtetit.