Memorandumi i mirëkuptimit

0

Në Kosovë kërkohet dorëheqja e kryetarit të Akademisë së Shqipërisë, duke e konsideruar një turp ftesën që i është bërë në 40-vjetorin e themelimit Akademisë Serbe, referuar memorandumit të saj, konsideruar shkaktar kryesor i të gjitha luftërave në Ballkan. Por ky fakt, me sa duket, nuk e pengoi Akademinë e Shkencave në Tiranë që për shënimin e 40-vjetorit të themelimit të saj si mysafir të ftojë edhe Ljubisa Rakic, nënkryetarin aktual të SANU, dhe njërin prej hartuesve të memorandumit famëkeq. Kjo ftesë rezultoi me refuzimin e pjesëmarrjes në këtë ngjarje nga ana e ASHAK-ut

Loading...

Alfred Beka/Prishtinë

Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (SANU), i vitit 1986, nuk ishte pengesë që Akademia e Shkencave e Shqipërisë ta ftonte akademinë serbe në shënimin e 40-vjetorit të themelimit të saj, që u mbajt të hënën në Tiranë.
I ftuar në ceremoni ishte edhe Ljubisa Rakic, nënkryetar i SANU-së dhe njëri prej hartuesve të memorandumit famëkeq. Kjo ftesë ndikoi që asnjë akademik nga Kosova të mos merrte pjesë në manifestimin e Tiranës.
Që para dy javësh, respektivisht më 29 tetor 2012, kryetari i ASHAK-ut, Hivzi Islami, i kishte shkruar një letër homologut të tij nga Shqipëria, akademikut Gudar Beqiraj, për t’ia kujtuar se kush është Ljubisa Rakic, dhe cili ishte roli i tij në hartimin e memorandumit serb.
“Akademia Serbe në vitin 1986 ka hartuar projektin famëkeq, me emrin “Memorandum SANU”, si platformë kryesore në të cilën u mbështet Milosevici në ndërmarrjen e masave represive dhe zhvillimin e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, veçanërisht ndaj shqiptarëve, që nga viti 1987. Anëtar i ekipit të këtij ‘Memorandumit’ ishte edhe nënkryetari i sotëm i Akademisë Serbe, akademik Ljubisa Rakic, i cili, siç morëm vesh, e ka paralajmëruar ardhjen në përvjetorin e Akademisë suaj”, thuhej në letër.
“Për shkak të këtij projekti, nga i cili kjo Akademi ende nuk është distancuar, ajo mbeti e izoluar deri vonë nga asociacionet e akademive evropiane, por dhe nga disa akademi të ish-Jugosllavisë, të cilat edhe sot nuk e ftojnë në asnjë takim”, thuhet tutje në letrën e Islamit, derisa sqaron se, po për këtë shkak, as Akademia Kroate e Shkencave dhe e Arteve, vitin e kaluar nuk kishte ftuar as Akademinë Serbe, e as atë Malazeze, në 150-vjetorin e themelimit të saj – fakte këto të ditura nga z. Beqiraj. Islami konfirmoi për “Express” se nuk ka marrë kurrfarë përgjigje nga Beqiraj.
Të njëjtën gjë e konfirmon edhe akademiku Mehmet Kraja, sipas të cilit, nga akademiku, Gudar Beqiraj, nuk erdhi asnjë përgjigje, as sot e kësaj dite. Për këtë arsye, tregon ai, në shënimin e përvjetorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nuk ka shkuar në Tiranë jo vetëm kryetari, nënkryetari dhe sekretari i përgjithshëm i ASHAK, por as disa akademikë të tjerë, të cilët kishin ftesa individuale për pjesëmarrje në këtë kremte, ngase u solidarizuan me qëndrimin e udhëheqjes së Akademisë së Kosovës.
Sipas Krajës, kryetarit të Akademisë së Shqipërisë në letër i janë bërë me dije të gjitha gjërat që, mbase, nuk i dinte. Prandaj, për këtë çështje, thekson ai, nuk kemi pse diskutojmë më gjatë. Megjithëse, shton se problemi qëndron te një perceptim tjetër.
“Meqë Kosova tashmë është duke zhvilluar bisedime politike me Serbinë, atëherë ç’kuptim ka ky qëndrim kaq i ashpër i ASHAK? Po, ka kuptim, sepse këtu bëhet fjalë për fushën e dijes, të shkencës dhe arteve, ku gjërat maten ndryshe, marrin tjetër kuptim. Dialogu politik ka agjendë tjetër, e marrëdhëniet kulturore dhe shkencore nuk bëhen sipas kurrfarë urgjence dhe nën trysninë e asnjë faktori të jashtëm. Thënë ndryshe, Shqipëria mund të merrte një pozicion tjetër në këtë rrethanë, ashtu siç ka bërë, ta zëmë, Akademia e Kroacisë, e cila, edhe përkundër dialogut politik me Serbinë, nuk ka pranuar të vendosë asnjë marrëdhënie bashkëpunimi me Akademinë Serbe, pa u distancuar qartë nga Memorandumi i saj i vitit 1986, i cili shkaktoi aq shumë tragjedi në hapësirat e ish-Jugosllavisë”, sqaron Kraja.
Ai shpjegoi se Akademia e Kroacisë nuk pranon asnjë bashkëpunim as me Akademinë e Malit të Zi, sepse e konsideron atë filiale të Akademisë Serbe. “Për të qenë habia më e madhe, unë jam në dijeni se ky qëndrim i Akademisë së Kroacisë i është bërë i ditur edhe akademik Gudar Beqirajt, nga vetë kroatët”, tregon ai. Kraja mendon se, kjo nuk do të duhej të ndikojë në raportet ndërmjet dy akademive shqiptare, por për një zhvillim normal të bashkëpunimit, Akademia e Shqipërisë do të duhej të japë një shpjegim ditëve të ardhshme.
Express tentoi disa herë për të marrë një sqarim edhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, gjegjësisht nga sekretari i saj, Salvator Bushati, por telefoni i tij mbeti i mbyllur.

Memorandumi i SANU

Memorandumi i SANU është një dokument që është krijuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë (SANU), si një dokument strategjik i inteligjencës serbe. Memorandumi i SANU përcaktonte drejtimin e zgjidhjes së çështjes serbe brenda ish-RSF të Jugosllavisë. Ky dokument ishte publikuar për opinionin në dy vazhdime, nëpërmjet gazetës serbe ‘Vecernje Novosti’, më 24 dhe 25 shtator 1986.

Grupi punues

Grupi punues për përpilimin e memorandumit të SANU përbëhej nga akademikët Pavle Ivic, Antonije Isakovic, Dusan Kanazir, Mihajlo Markovic, Milos Macura, Dejan Medakovic, Miroslav Pantic, Nikola Pantic, Ljubisa Rakic, Radovan Samardzic, Miomir Vukobratovic, Vasilije Krestic, Ivan Maksimovic, Kosta Mihajlovic dhe Stojan Celic.
Memorandumi i SANU për nga përmbajtja e tij nuk ndryshon nga programet e mirënjohura serbomëdha (“Nacertanije”, “Srbi Svi i Svuda”, “Homogena Srbija”…), por vetëm sa është modernizuar në kontekstin kohor:

• Kufijtë e Serbisë nuk janë në përputhje me përbërjen etnike, dhe si të tilla ato duhet të korrigjohen, sepse, sipas Memorandumit, Kushtetuta e vitit 1974 e dëmtoi shumë Serbinë, për shkak të krijimit të krahinave autonome të Vojvodinës e Kosovës, dobësimit të Federatës, dhe për shkak se krijoi kufij “artificialë” administrativë të cilët nuk e pasqyrojnë një pamje “reale”.

• Rrezikimi i popullit serb nga ana e të tjerëve brenda RSFJ-së, si asimilimi, shfrytëzimi, dëbimi, pamundësia e shprehjes, margjinalizimi në fushat politike, ekonomike, kulturore, dhe shkencore.

• Forcimi i forcave antiserbe brenda RSFJ-së (kroatët dhe shqiptarët).

• Nevoja për një aksion të shpejtë dhe sa më të afërt, për parandalimin e shkatërrimit të Serbisë dhe të popullit serb.

Ndikimi

Memorandumi i SANU pati një ndikim vendimtar në zhvillimin dhe ripërtëritjen e lëvizjes nacionaliste në Serbi, fillimisht në kuadër të Lidhjes Komuniste të Serbisë. Memorandumi pati edhe një ndikim të drejtpërdrejtë tek Slobodan Milosevici, i cili idetë e prezantuara në Memorandum u mundua t’i realizonte në vepër, nëpërmjet “Revolucionit Antiburokratik” dhe idesë për Serbinë e Madhe, e cila ndërkohë shkaktoi luftërat dhe tragjeditë e shumta në Slloveni, Kroacia, Bosnje e Hercegovinë, e në fund edhe në Kosovë.

Loading...